Panorama (Albania)

Vritet me thikë para Bashkisë 21- vjeçari

I dyshuari kishte dhunuar edhe familjen para vrasjes

- ALBI LALA

Qyteti i minatorëve të Bulqizës është tronditur mesditën e djeshme nga një ngjarje e rëndë kriminale. Një 21- vjeçar humbi tragjikish­t jetën teksa u godit me thikë nga një bashkëmosh­atar në qendër të qytetit, në sheshin "Minatori".

Arlind Pasha mbërriti në spitalin e qytetit pa shenja jete. Burime pranë Komisariat­it të Policisë Bulqizë bënë me dije se autori i krimit dyshohet të jetë shtetasi Fatjon Keta, 22 vjeç, lindur e banues në qytetin e Bulqizës. Dëshmitarë të shumtë kanë parë skenën e krimit, por nuk ishin në gjendje të tregonin se cila ka qenë biseda e fundit mes Pashës e Ketës, pasi ata kanë qenë disi të veçuar nga qytetarët që shëtisnin në pedonalen e qytetit. Ata i kanë thënë Policisë lokale se kanë parë Arlind Pashën të shtrirë përtokë dhe Fatjon Ketën që ikte me shpejtësi drejt Qytetit të Ri. "Nuk kemi dëgjuar çfarë biseduan dy të rinjtë. Kemi parë vetëm momentin kur Pasha ra në tokë dhe nisi hemorragji­a e gjakut. Fatjon Keta u largua me shpejtësi. E dërguam në spital 21- vjeçarin e plagosur, por ai nuk kishte shenja jete. Me sa kuptuam, goditja me thikë ishte fatale", i thanë Policisë dëshmitarë­t e ndodhur pranë vendit të ngjarjes.

NGJARJA Nga këqyrja e kamerave të lokaleve pranë vendngjarj­es, dallohet qartë takimi mes të dyshuarit Fatjon Keta dhe viktimës, Arlind Pasha, në sheshin para bashkisë së qytetit. Ata qëndrojnë në këmbë dhe nuk dallohet të jenë të nervozuar. Pamjet faktojnë momentin kur Fatjon Keta nxjerr nga brezi një thikë dhe ia ngul në kraharor, afër zemrës, të riut Arlind Pasha. Ky i fundit shembet përtokë dhe 22- vjeçari largohet me shpejtësi. Pak orë pas krimit, Policia e Bulqizës lokalizon vendin ku ishte fshehur autori dhe pas rrethimit e arreston atë. "Ishte fshehur te disa të afërm të tij, në Qytetin e Ri. Kërkuam të vetëdorëzo­het, por nuk pranoi. Mobilizuam forcat dhe e arrestuam në kushtet e flagrancës. Në banesën ku ishte fshehur, gjetëm edhe armën e krimit, thikën", thanë burime policore.

I ARRESTUARI I dyshuari më pas u dërgua në dhomat e izolimit ku po mbahet nën kontrollin e efektivëve të Policisë. Për shkaqe hetimi dhe për të zbuluar të vërtetën e ngjarjes, oficerët e Policisë nuk i kanë treguar Ketës së Arlind Pasha ka ndërruar jetë. "Shyqyr Arlindi ia hodhi dhe kësaj here", janë shprehur oficerë të Policisë Gjyqësore. "Ai nuk ka treguar shkaqet e ngjarjes, ndaj dhe ju nuk duhet të gënjeni", i janë drejtuar oficerët autorit të dyshuar. Mirëpo, ky rreng i Policisë nuk ka sjellë ndonjë zhvillim të ri për rrethanat e ngjarjes. "Ne e kemi gënjyer 22- vjeçarin në mënyrë që ai të ruajë qetësinë dhe të tregojë të vërtetën e krimit. Por, me sa duket, Keta ka probleme të shëndetit mendor dhe ka gjasa të jetë përdorues i lëndëve narkotike", thanë burime nga Policia. Fatjon Keta ka deklaruar se Arlind Pasha e kishte shqetësuar herë pas here, madje në prani të shumë bashkëmosh­atarëve. "Sa herë më takonte, më fyente rëndë, me fjalor banal. I pata thënë disa herë se duhet t'i ndalte sharjet. Ai edhe sot më thoshte: ' O rrotë …… etj.', janë disa nga pohimet e Ketës në Polici. Mësohet se Keta nuk ka shfaqur shenja pendese. Babai i të dyshuarit i tha Policisë se djali herë pas here grindej me pjesëtarët e familjes dhe se ishte mjaft i zhurmshëm. "Bërtiste sa herë hynte në shtëpi", është shprehur babai i Fatjon Ketës. "Madje, kishte raste që ishte i dhunshëm. Para një viti u detyruam të çojmë në Polici pasi rrahu nënën e tij ( gruan time). Toleruam dhe doli nga Komisariat­i i Policisë. Tani na bëri gjëmën", ka deklaruar Ferit Keta. Vetëm dy- tri orë pas ngjarjes së rëndë, Policia e Bulqizës ka organizuar shërbimet e saj pranë dy banesave, autorit të krimit dhe viktimës, për të shmangur agravimin e mëtejshëm të ngjarjeve. Kjo masë është marrë pasi dy familjet ndodhen në të njëjtën lagje, pranë njëra- tjetrës.

 ??  ?? Autori i dyshuar, Fatjon Keta
Autori i dyshuar, Fatjon Keta
 ??  ?? Viktima, Arlind Pasha
Viktima, Arlind Pasha
 ??  ?? Vendi ku ndodhi vrasja në Bulqizë
Vendi ku ndodhi vrasja në Bulqizë

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania