Panorama (Albania)

Policia bën bilancin e verës, 133 aksidente më pak, 6 jetë të shpëtuara

-

Në mbyllje të sezonit turistik, Sektori i Sigurisë Rrugore pasqyroi rezultatet e 3 muajve ku u shënua fluksi turistik, por edhe të 8- mujorit të parë të vitit, nga ku rezulton një ndërgjegjë­sim i drejtuesve të mjeteve, ndonëse disa problemati­ke ende vazhdojnë. Drejtori i Sektorit të Sigurisë Rrugore, Skënder Ismaili, në një dalje publike tha se gjatë këtij 8- mujori kanë ndodhur 133 aksidente më pak dhe janë shpëtuar 6 jetë në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ndërsa janë vendosur 20 mijë gjoba më pak, që përkthehet në ndërgjegjë­sim të drejtuesve të mjeteve. Në zbatim të planit të masave të Drejtorisë së Përgjithsh­me të Policisë së Shtetit për sezonin turistik 2019, shërbimi i Policisë Rrugore përforcoi me shërbime shtesë akset kryesore të vendit në zonat turistike të qyteteve Sarandë, Vlorë, Durrës, Kavajë, Lezhë dhe Shkodër, ku fluksi i mjeteve dhe turistëve ka qenë tepër i madh, gati trefish në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Janë monitoruar me shërbime patrullimi rrugor për 24 orë akset me fluks të shtuar: Tiranë – Fushë- Krujë - Lezhë - Shkodër; Tiranë - Gjiri i Lalzit - Durrës; Vlorë - Dhërmi - Himarë - Sarandë; Rruga e Kombit - Milot – Morinë. “Si rezultat i angazhimit të shërbimeve të Policisë Rrugore, por dhe bashkëpuni­mit dhe rakordimit të veprimeve me Patrullat e Përgjithsh­me dhe shërbimet e tjera të angazhuara në terren dhe veçanërish­t për sezonin turistik, është bërë e mundur që për periudhën 8- mujore, janar– gusht 2019, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2018, të kemi 133 aksidente më pak, 6 jetë më shumë të shpëtuara, 43 të plagosur rëndë dhe 80 të plagosur lehtë më pak. Duke krahasuar periudhat tremujore të sezonit turistik 2018 dhe të vitit 2019, për periudhën qershor– korrik- gusht 2019, janë 57 aksidente më pak, 4 të vrarë më pak, 18 të plagosur rëndë dhe 28 të plagosur lehtë më pak, se e njëjta periudhë e vitit 2018”, u shpreh dje Ismaili. Shërbimi i Policisë Rrugore konstaton se ka ndërgjegjë­sim dhe sjellje më korrekte të drejtuesve të mjeteve gjatë drejtimit të mjetit, por vazhdon të mbetet shqetësues drejtimi i mjetit nën ndikimin e alkoolit, tejkalimi i shpejtësis­ë, drejtimi i mjeteve nga drejtues të pa pajisur me leje drejtimi, mospërdori­mi i kaskave mbrojtëse nga drejtues motomjetes­h dhe përdorimi i celularëve gjatë drejtimit të mjeteve. Mosrespekt­imi i sistemeve të sinjalizim­it vertikal dhe horizontal vazhdon të “prodhojë” masa administra­tive për këtë shkelje, kryesisht brenda qendrave të banuara.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania