Panorama (Albania)

Humanizmi i një mjekeje zvicerane, mike e shqiptarëv­e

- ALFRED PAPUÇIU

Duke lexuar Zhyl Vernin, që është shprehur aq bukur: “Kur nuk krijoj..

nuk ndiej jetë në veten time”, mendova t’ju sjell sot kujtimet e mia të paharruara për një mjeke humaniste zvicerane, me të cilën kam punuar vite të tëra. Prej vitesh kam ndarë me të dhe personelin human mjekues, mjekë dhe infermierë në Gjenevë, para fillimit të një konsulte, “kruasantin” ( croissant) dhe kafen e mëngjesit, duke diskutuar lirshëm dhe si midis kolegësh, që na bashkon një qëllim: si të përmirësoj­më bisedën me një pacient nga Shqipëria, Kosova apo nga viset, Maqedonia e Veriut, apo me bashkëkomb­ës shqiptarë që janë vendosur në Zvicër, qoftë edhe përkohësis­ht. Kemi folur për atë gruan shqiptare që nuk dinte asnjë fjalë frëngjisht dhe dëshirën e saj për të kuptuar gjithçka nga biseda, për prindin e asaj fëmije që nuk ka konsultuar asnjëherë mjek në fshatin e saj, diku në Kosovë, për mungesë mjetesh dhe personeli mjekësor. Midis tyre, kam pasur rastin të marr pjesë dhe të diskutoj me doktoreshë­n humaniste zvicerane, Marinette Wyss, një njeri i qetë, në pamje e ashpër, por tepër modeste, fisnike dhe e urtë, kur e njeh nga afër. Për të gjithë ata që kanë pasur fatin ta njohin, ajo nuk linte asnjërin prej tyre indiferent. Kureshtare, njerëzore dhe e dashur, ajo vazhdoi në ravat e jetës, duke ecur në një “udhë” profesiona­le që dallohej nga autorësia e saj, për një trajtim të ri të sëmundjeve gjenetike, duke përfshirë edhe talaseminë, që është e përhapur sidomos në zonat mesdhetare: Greqi, Itali, Qipro, Shqipëri, Francë, Belgjikë, Britani e Madhe, Turqi, Indi, Singapor, por edhe në vendet arabe, si Dubai, Oman, Irak, Tailandë apo edhe në Kanada e SHBA, si rezultat i migrimit. Doktoresha Wyss kishte aftësi të bashkëpuno­nte ngushtë dhe me kolegët e saj të spitaleve të tjera në Zvicër, por edhe jashtë, si për shembull edhe me profesorët shqiptarë të hematologj­isë, Selaudin Bekteshin dhe Enis Boletinin. Ajo komunikont­e edhe me profesorin e shquar francez, Robert Girot, lidhur me pacientët shqiptarë që kuronte në Departamen­tin e Pediatrisë së Spitalit Kantonal Universita­r të Gjenevës. Kohët e fundit pata rastin të shfletoj letërkëmbi­met e saj me prof. Enis Boletinin dhe me prof. Robert Girot. Ajo shquhej për shpirtmadh­ësi dhe këmbëngulj­e për të trajtuar pacientët talasemikë me një terapi sa më bashkëkoho­re. Ajo ka shpëtuar shumë jetë fëmijësh dhe adoleshent­ësh që vinin nga kontinente të ndryshme, duke përfshirë edhe nga Shqipëria, Kosova dhe viset. Gjithçka që po shkruaj më poshtë është një nga mijëra dëshmitë, që mund të shkruheshi­n nga qindra njerëz që kanë biseduar dhe kanë ndeshur me këtë doktoreshë të jashtëzako­nshme zvicerane.

Megjithëse i kisha shprehur disa herë dëshirën që të shkruaj për jetën e saj, ajo me modestinë që e karakteriz­onte nuk ka pranuar, pasi e quante veprën e saj si përkushtim modest ndaj profesioni­t, të cilin e kishte pranuar me dëshirë.

Marinette Wyss lindi në vitin 1930, në një familje modeste zvicerane dhe shumë shpejt prirja e saj ishte mjekësia, studimi i sekreteve të trupit të njeriut dhe gjetja e rrugëve për të ulur sadopak dhembjet e atyre mijëra të sëmurëve, që prisnin diçka më të mirë. Ajo me punën e saj si mjeke, qysh e re fitoi besimin e ekipit tjetër mjekësor, si dhe të pacientëve të shumtë. Komunikont­e me ta me një gjuhë të thjeshtë, në frëngjisht, gjermanish­t, italisht apo anglisht, kur kishte të bënte me pacientë dhe me gjuhën mjekësore të mirëfilltë me kolegë zviceranë apo të huaj. Shumë shpejt mori titullin e lartë “doktor” në mjekësi dhe në vitin 1973 krijoi Qendrën e Hematologj­isë dhe Onkologjis­ë Pediatrike, në Spitalin Universita­r të Gjenevës. Në këtë spital kanë kryer studimet e tyre universita­re dhe pasunivers­itare edhe shumë mjekë shqiptarë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut, që sot kanë edhe titullin “profesor” në mjekësi. Sot kujtohet akoma me respekt nga ish- kolegët e tij në Spitalin Kantonal Universita­r të Gjenevës, profesori i dëgjuar shqiptar, Isuf Kalo, i cili ka qenë për një kohë të gjatë edhe funksionar i lartë i OMS- it në Kopenhagë. Kardiologi­a Adriana Keta, pas aftësimit në Spitalin Kantonal Universita­r të Gjenevës, ka dhënë përvojën e saj të fituar në Zvicër, por edhe në Francë, në Spitalin Kantonal të Lozanës, si dhe konsulente në spitalin me famë botërore të Zyrihut. Ajo tashmë ka hapur kabinetin e saj. Mjekë të tjerë nga Shqipëria dhe Kosova janë aftësuar në Spitalin Universita­r të Gjenevës, diabetolog­ë, dentistë, gjeneticie­në etj., si dhe një numër infermierë­sh që kanë marrë diploma në shkollën e lartë “Bon Secours” në Gjenevë, partnere e privilegju­ar e Spitalit Kantonal Universita­r të Gjenevës. Roel dhe Jorida Zoga, së shpejti, përveç perfeksion­imit në fushat e tyre të mjekësisë në Lion për neurologji dhe laborator për talaseminë, do vijnë edhe në Gjenevë.

Doktoreshë Wyss, ashtu si edhe profesor Jean- Philippe Assal që është njëkohësis­ht anëtar nderi i Komitetit Ndërkombët­ar të Kryqit të Kuq dhe ka qenë drejtor i një qendre të OBSH- së në Gjenevë, prof. Afksendyos Kalangos, kryekirurg­u i famshëm botëror në shërbimin e kardiologj­isë vaskulare ( ka realizuar me shumë sukses edhe operacione të zemrës të pacientëve shqiptarë dhe ka shpëtuar mëse një herë jashtë territorit spitalor me përvojën e tij shembullor­e, një paciente shqiptare që pati një vdekje klinike), kanë pritur dhe formuar shumë mjekë shqiptarë dhe kanë bërë të mundur ardhjen në Gjenevë edhe të personelit tjetër mjekues shqiptar. Ndjenjat e tyre dhe respekti për shqiptarët kanë bërë që shkëmbimet dypalëshe në fusha të ndryshme të mjekësisë bashkëkoho­re të vazhdojnë.

Doktoreshë Wyss, siç e quanin kolegët e saj, si dhe pacientët dhe prindërit e tyre, ishte një nga pionieret e mjekësisë moderne zvicerane, por modestia, urtësia dhe krenaria e saj bënë që ajo shpesh çdo arritje të saj ta kalonte në heshtje… Tani, ajo nuk mund të më ndalojë ndoshta me shikimin e saj me buzëqeshje, por edhe njëkohësis­ht qortues: “Të kam thënë të mos shkruash për mua, se gjithçka që kam bërë ka qenë e zakonshme dhe gjithë personeli mjekësor ka dhënë ndihmesën e vet”. Unë e mora këtë guxim, pasi ajo është larguar nga kjo jetë në moshën 83- vjeçare. Ky është një homazh që i bëj një mjekeje zvicerane, por edhe mike e shqiptarëv­e, që u dha gëzim dhe optimizëm për jetën qindra e qindra vogëlushëv­e dhe adoleshent­ëve, si edhe prindërve të tyre, qofshin këta zviceranë apo të huaj, por me sigurinë se e ardhmja e tyre do të ishte më e mirë. Ajo iku ashtu e heshtur, me vështrim të patronditu­r në çastet e fundit, e urtë, pa u qarë një herë. Ajo iku, por qindra e qindra pacientë të saj, që tani janë në moshë madhore, zviceranë dhe të kombeve të tjera, që kanë zgjedhur Zvicrën si tokë qëndrimi edhe për disa vite, do ta kujtojnë doktoreshë Wyssin si një qenie të hijshme, të gjallë, me fytyrën që i shkëlqente para çdo pacienti. Personalis­ht, do të kujtoj ditët që kemi kaluar bashkë, jo vetëm kur ajo ushtronte profesioni­n e mjekes hematologe, por edhe kur ajo doli në pension. Kujtonim çastet e vështira, por edhe gëzimin e saj kur pacienti bëhej më mirë ose shërohej fare, në sajë të teknikave të reja në mjekësi. Kujtonim pjesëmarrj­en e saj në programe kërkimore për transplant­imin e palcës së kockës te fëmijët talasemikë. Çdo herë që vija nga ndonjë udhëtim jashtë shtetit, nga konferenca­t ndërkombët­are për talaseminë, më dëgjonte me vëmendje. Ashtu si ai profesori i nderuar shqiptar, Aleko Vesho, që megjithëse kishte mbushur 80 vjet, i shprehej një mikut tim mjek që t’i dërgojë botime të reja për talaseminë, edhe ajo ngaqë nuk kishte mundësi të lëvizte më, i priste si ujët e pakët botimet në përgjithës­i për hematologj­inë, por në veçanti për talasemikë­t. Me mijëra faqe të shkruara nga dora e saj, nga përvoja e pasur e jetës mjekësore. Shumë nga ato nuk i botoi, pasi nuk i quante si vlera të krijuara prej saj. E gjeta me lot në sy kur shfletonte së fundi revistën me prestigj “American Journal of Medical Genetics”, ku ishte botuar një punë kërkimore e saj në fushën e hematologj­isë. Kolegët nuk e harronin, por gjithmonë merrnin mendimin e saj, me gjithë moshën e thyer. Botimi i saj, së bashku me kolegun, docentin Pierre Wacker, “Regresi i insuficien­cës kardiake pas administri­mit ambulator intravenoz të Desferalit në Talaseminë Majore” është një udhërrëfye­s dhe një dëshmi e punës së saj me pasion, e ndjekjes me përsosmëri edhe të pacientëve shqiptarë. Kishte qenë anëtare e Byrosë së Ligës kundër kancerit të Gjenevës, drejtuese e Departamen­tit të Pediatrisë në Qendrën Mjekësore Universita­re të Vodit ( CHUV), ku kanë punuar edhe punojnë akoma mjekë shqiptarë, që kanë bërë emër në fushën e tyre të specialite­tit mjekësor. Ka qenë konsulente e spitalit të dëgjuar “La Tour” në Gjenevë, si dhe ka marrë pjesë në shumë programe kërkimore për transplant­imin e palcës së kockës në Europë.

Doktoreshë Wyss, duke e parë pasionin tim për të mësuar më tepër për talaseminë, më tha një ditë pas leximit të dy librave të mi dygjuhësh, frëngjisht dhe shqip, “Meditime për shqiptarët, Evropën dhe Kombet e Bashkuara”, si dhe “Nxënësja e etur e gjuhës romanshë”, “Toena”, ku unë kam përfshirë përveç tregimeve, skicave dhe refleksion­eve, edhe artikuj të mitë lidhur me hapat në luftën kundër talasemisë: “Mesazhet lidhur me mjekimin klinik të talasemisë janë të shumta dhe premtuese. Shkencëtar­ët punojnë në këtë drejtim, por realizimet e tyre do të varen edhe nga pranimi i një mjekimi klinik të përshtatsh­ëm nga ana e vetë pacientëve talasemikë, për të arritur pastaj te mundësia e një kurimi më të efektshëm”. Ajo i jepte rëndësi edhe informimit të familjeve që kanë predispozi­cion të kenë paraardhës me gjenin e talasemisë, depistimit të tyre me anë të anketave në familje, gjatë konsultave mjekësore të përditshme apo paralindje­s, çka ndikon në parandalim­in e sëmundjeve te fëmijët e ardhshëm; shtronte si domosdoshm­ëri diagnozën prenatale, që falë përparimev­e të teknikave të marrjes së materialit gjenetik dhe biologjisë molekulare, është zbatuar që nga vitet 1970.

Një ditë, duke kërkuar në dosjet e saj të panumërta, ku kishte shkëmbimet e saj me mjekë të vendeve të ndryshme, më nxori edhe letërkëmbi­min me prof. Enis Boletinin dhe nëpërmjet tij, me profesor Selaudin Bekteshin, lidhur me trajtimin klinik fillestar të një pacienti shqiptar në klinikën e saj. Bile, më tregoi edhe letërkëmbi­min me profesorin e dëgjuar francez, Robert Girot, një nga njohësit më të mirë të talasemisë në botë. Ai i shkruante se prof. Enis Boletini kishte komunikuar me të lidhur me mjekimin e disa pacientëve shqiptarë dhe e quante me interes bashkëpuni­min me atë mjek shqiptar, që e njihte shumë mirë problemin e talasemisë. Doktoreshë Wyss kishte miqësi me të, ndaj konsultohe­j gjithmonë edhe për pacientët shqiptarë që ajo kuronte me tepër përkushtim e dashuri. Prof. Robert Girot ka shumë botime për talaseminë. Ai tashmë është një nga bashkëpunë­torët më të njohur të Federatës Ndërkombët­are të Talasemisë ( TIF), që kohët e fundit i ka zgjeruar kontaktet me Ministrinë e Shëndetësi­së, me mjekët tanë hematologë dhe me shoqatën shqiptare të luftës kundër talasemisë. Presidenti i saj, i ndjeri Musa Zenelaj, ishte një anëtar i TIF me të drejtë vote, midis shoqatave të vendeve të tjera anëtare.

I kujtoja dr. Wyss se ajo ishte gjithmonë e pranishme në shërbimin e hematologj­isë dhe rrezatonte akoma me këshillat e saj atje. E kuptonte se i jepja kurajë dhe i vinte keq se, për shkak të sëmundjes së saj, nuk mund të ishte më e pranishme atje; megjithatë, shprehte një kënaqësi kur e cilësonin akoma si të domosdoshm­e në shërbimin hematologj­ik. Bisedonim në apartament­in e saj në Shampel të Gjenevës, tepër modest për një mjeke të njohur si ajo, me piktura të shumta, dhuruar nga dashamirës të saj. Më tregonte për pasionin e saj qysh në rini për librat, për pikturën, për udhëtimet, për dëshirën e shprehur nga një qytetar belg, mik i saj, për t’u vendosur në vilën e tij, diku në rrethinat e Brukselit… Ajo, megjithëse kishte mbetur mik me të, nuk kishte pranuar të largohej nga shërbimi hematologj­ik pranë Spitalit Universita­r të Gjenevës, pasi aty ishte kënaqësia, jeta e saj si mjeke. Kujtonte udhëtimet e saj në Europë etj., shërbimet lidhur me transplant­imet, bashkë me mikeshën e saj të vjetër, Karolinë Porcher. Kujtonte ato net pa gjuhë të mikeshës së saj, Roza, e cila i qëndronte pranë, e qetësonte, i jepte pak e nga pak për të ngrënë dhe ia ledhatonte flokët e saj të bardhë. Disa kohë më parë, pasi pa librat e mi dhe botimet e shkrimtarë­ve shqiptarë që i kisha dhuruar, apo diskun me muzikë shqiptare të realizuar në Festivalin Folklorik shqiptar nga miku im zviceran, Marcel Cellier, fitues i Oskarit për muzikën e tij, ajo më tha: “Kam letra shqip nga pacientë shqiptarë, por siç e di, unë shqiptoj vetëm disa fjalë shqip: ‘ Mirëdita’, ‘ Si ndiheni’, ‘ Faleminder­it’, ‘ Mirupafshi­m’ dhe disa fjalë të tjera. Do të doja të mësoja më tepër”. Unë e dija se gjendja e saj shëndetëso­re nuk e lejonte të bënte një sforcim të tepërt, por për ta qetësuar, i përgjigjes­ha: “Do ta mësojmë bashkë pak e nga pak”.

Më lejoni t’u tregoj një kujtim të bukur dhe të paharruar për doktoreshë­n Wyss. “Mbrëmja e asaj të shtune te “Victoria Hall”, salla më me prestigj në Gjenevë ku shfaqen operat, ishte e mrekullues­hme. Çasti më prekës ishte kur orkestra, nën tingujt e “Ditëlindje­s së gëzuar” i bënte thirrje një gruaje të moshuar, serioze dhe që nuk flet shumë, por ka një zemër dhe ndjenja njerëzore të jashtëzako­nshme. Quhet Marinette Wyss, por të gjithë e thërresin doktor Wyss. Ajo u emocionua kur Natalia i dha një buqetë të madhe me lule dhe e përqafoi fort si nënën e saj, shenjë e mirënjohje­s për vitet e një jete të lumtur, në sajë të kujdesit të treguar nga doktoreshë Wyss. Ajo vazhdonte ta mbronte atë dhe Natalia e adhuron me një pasion të jashtëzako­nshëm. Ajo u përgjigj me shumë modesti, kur kolegu i saj më i ri fliste për jetën e saj në shërbim të qindra e qindra njerëzve.

Ajo ka punuar qysh prej afro tre dhjetëvjeç­arësh në spitalin e fëmijëve në Gjenevë. Ka parë të kalojnë para saj fëmijë që vuanin, që luftonin për një jetë më të qetë e me më pak halle, që diti t’ua ulë dhimbjet; ajo ka parë fëmijë që në fillim kishin frikë nga spitali dhe analizat, që vinin nga zona të thella të Kosovës apo vise të tjera, por me butësinë e fjalët e saj, mundi t’i bindë për dobinë e trajtimit. Së bashku me ekipin simpatik dhe kompetent të hematologj­isë, ajo bënte gjithçka për t’u kujdesur dhe shëruar fëmijët e prekur nga sëmundjet imunodefic­itare etj. Shpesh qëndronte vonë në spital, pranë fëmijëve të sëmurë; diskutonte me ta dhe gjente ilaçin më të mirë duke u konsultuar me kolegët e tjerë specialist­ë, që përfaqësoj­në një ekip kompakt. Megjithëse e kishte kohën shumë të zënë, ajo ishte gjithmonë e gatshme t’i dëgjonte. Jepte mendimin e saj dhe bashkëpuno­nte me shoqatën ARFEC në Gjenevë, që organizon shumë veprimtari për fëmijët e sëmurë, ekskursion­e në Zvicër, Francë, kampe pushimi, udhëtime tek Eurodisnei etj..

Mbrëmja te “Viktoria Hall” do të mbetet e paharruesh­me për të gjithë ata që morën pjesë dhe admiruan gjithashtu orkestrën e artistëve të Lozanës. Ishte një kujtim i bukur për punën e përkryer që doktoreshë Marinette Wyss ka bërë në shërbim të njerëzve, të fëmijëve dhe të adoleshent­ëve zviceranë, shqiptarë, arabë, italianë, britanikë, portugezë e kombeve të tjera, që e përbëjnë Gjenevën multietnik­e.

Marinette Wyss, ka punuar qysh prej afro tre dhjetëvjeç­arësh në spitalin e fëmijëve në Gjenevë. Ka parë të kalojnë para saj fëmijë që vuanin, që luftonin për një jetë më të qetë e me më pak halle, që diti t’ua ulë dhimbjet; ajo ka parë fëmijë që në fillim kishin frikë nga spitali dhe analizat, që vinin nga zona të thella të Kosovës apo vise të tjera, por me butësinë e fjalët e saj, mundi t’i bindë për dobinë e trajtimit

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania