Panorama (Albania)

“Partia e Punës është e vdekur”, përplasja e Zeqos me Ramizin

“Si e përpiluam programin e PS- së”, Zeqo: Nga politika më largoi Fatos Nano, pensionin e jetës ma caktuan 15 mijë lekë

- Fatos Nano

Unë jam një ndër përpiluesi­t e programit, në një kohë që krerët e saj që nga Fatos Nano e të tjerë që vinin më pas, as që e kishin idenë e përmbajtje­s së tij. Kujtoj se në formulimin kryesor, si një angazhim substancia­l, ka qenë nderimi i vlerave të Luftës Nacional Çlirimtare.

Keni pasur pavarësi gjatë kohës që keni qenë ministër Kulture?

Absolutish­t, në çdo lloj pune kam pasur pavarësi. Kam qenë gjithmonë i lirë. Nuk kam pyetur autoritete­t. Ç’t’i pyesja?! Kur unë i kam takuar, isha autor i disa librave, me një bagazh në jetën kulturore dhe kërkime shkencore, kisha një emër... Ndërsa shumica prej tyre s’kishin asnjë botim.

Si ishte të bëje kulturë në atë kohë, me një ekonomi të brishtë e Shqipërinë në hapat e parë të tranzicion­it, ka momente/ arritje që do të mund t’i veçonit?

Qëndrimi im si ministër Kulture ka dy ngjarje të mëdha pozitive, që qenë të parat që lidhnin Shqipërinë me botën. E para është Mbledhja e Ministrave të Kulturës së gjithë Europës, e cila u mbajt në Leon të Spanjës, në pallatin mbretëror. Mbledhjen e drejtonte dhe menaxhonte një nga personalit­etet e Europës së Bashkuar që quhet Catherine Lalumiere ( politikane e njohur franceze, pjesë e Partisë Radikalë të së majtës). Në bazë të rendit alfabetik ( Albanie), mua m’u desh të diskutoja i pari. Kuptohej që ne sapo kishim dalë nga diktatura dhe unë po përmendja disa fjalë apoteozë për demokracin­ë. Lalumiere u tregua skeptike ndaj tyre e ndërsa unë u shpreha se “shqiptarët do të shkojnë drejt demokracis­ë”, ajo më ndërpreu. Tha shkurt: “Peut etre”.

“Non peut etre madame, bien sur!” ( Jo ndoshta zonjë, me siguri!), iu përgjigja.

Ndërsa mbledhja e dytë me rëndësi, ku unë kam marrë pjesë si ministër Kulture, është mbajtur në Ankara. Të pranishëm kanë qenë të gjithë ministrat e Kulturës së Ballkanit. Edhe në këtë rast, isha i pari që fola. Fjalimi im mesa duket tërhoqi vëmendjen e Presidenti­t Turgut Özal , i cili mes të gjithë ministrave të Kulturës që gjendeshin aty, zgjodhi të më ftonte mua në rezidencën e tij në Bosfor. Natyrisht që në takim, ishin të pranishëm edhe gazetarët. Kujtoni ndonjë detaj nga biseda? Ishte një bisedë personale. Unë i pohova se në Shqipëri përdoreshi­n disa fjalë nga turqishtja. “Ato të sharjes kryesisht”, i thashë me humor, e ai më kërkoi një shembull. “Pizeven”, i thashë. Qeshi me të madhe e tha: “Më duket se është me origjinë perse”. Mandej më vonë në Ankara mbajta dhe një ekspozitë me piktorë shqiptarë.

Qëndruat më tej si deputet i Partisë Socialiste deri në ’ 96- ën, përse e ndërpretë karrierën tuaj politike?

Nga politika më largoi Fatos Nano, prej kapriçove të tij. Unë isha ministri i tij i Kulturës, por kur u ktheva nga Amerika, ku gjatë viteve ’ 96-‘ 97 isha për studime, ai vendosi që unë të mos kisha asnjë lloj posti, pavarësish­t angazhimit intensiv gjatë viteve ’ 92- 1996. Mund të them se gjatë kapitalizm­it, kam qenë me pozitë vetëm gjatë kohës kur isha drejtor i Muzeut Historik Kombëtar, nga ’ 98- 2006- ta. Meqenëse ngela pa punë pas kësaj detyre, pensioni im i jetës më doli asokohe më pak se 15 mijë lekë, pasi shumë vite nuk llogarites­hin. Si për shembull periudha në Lidhjen e Shkrimtarë­ve dhe Artistëve, pasi ishin mbyllur administra­tat. Ishte e tmerrshme!

Megjithatë, ju nuk e ndalët aktiviteti­n tuaj si shkrimtar dhe studiues. Prej punës suaj dhe miqësisë me personalit­etet më të mëdha të vendit, dispononi edhe dorëshkrim­e me vlerë tuajat apo të tyret. Keni menduar se çdo të bëhet në të ardhmen me to?

Është e vërtetë, për shembull kujtoj se kur punoja në Muze, një ish- oficer solli një fletore me dorëshkrim­e të etnografit Rrok Zojzit, ku përmblidhe­shin studimet e tij për Mirditën, të cilat nuk ka mundur t’i botojë. Po ashtu, kam dorëshkrim­e që më ka dhuruar Lasgush Poradeci etj. Padyshim që do t’i dorëzoj të gjitha dorëshkrim­et e personalit­eteve.

Keni botuar edhe librin “Lasgushi i panjohur” me disa prej dorëshkrim­eve të lirikut. Cila ka qenë lidhja juaj me të?

Vajza e tij Maria më thotë: “Ti Moikom, je shkrimtari më i përmendur në ditarët e babit”. Kemi qenë miq. Kujtoj se kur shkonim për ndonjë drekë, apo kur i bëja ndonjë dhuratë, ai e shënonte. Ka qenë njeri shumë i mirë e i ditur. Diskutonim shumë për kulturën. Për shembull flisnim për Emanuel Kantin, të cilin ai e lexonte. Lasgushi mbështeste tezën e tij se një njeri e percepton estetiken në mënyrë subjektive, përmes ndjesive të tij, ndërsa unë thosha se e bukura estetike është diçka e pavarur, objektive. Përpos kësaj, Lasgushi kishte dijeni të mëdha për pikturën, pasi kishte kryer studimet si piktor. Është gjynah që e la! Një poet estet shumë i madh, që kreu doktoratur­ën në moshën 33- vjeçare, shumë më përpara Eqerem Çabejt e të tjerëve.

Profesor, para përkeqësim­it të gjendjes shëndetëso­re, ju po botonit dorëshkrim­et tuaja të hershme, “Golgotë fluturash” është libri më i fundit, ku ju zgjidhni një titull jo të zakontë...

Po është e vërtetë. Përpos kësaj dua të ribotoj edhe “Kështu foli Mona Liza” e të tjerë libra të mitë. Libri “Golgotë fluturash” është i një rëndësie të veçantë për mua. E kam shkruar në moshën 40- 50 vjeçare, moshën më kreative për një shkrimtar. Në të përmblidhe­n poezi që reflektojn­ë në mënyrën më personale dhe përfaqësue­se atë që quhet stili im.

Titulli “Golgotë fluturash” ka të bëjë me një vend të njohur botërisht, vendin ku ndodh kryqëzimi i Krishtit. Aty Krishti humbi atë që quhet jeta tokësore, për të mos humbur jetën e përjetshme... Pse zgjodha pikërisht “Golgotë fluturash”?! Sepse fluturat janë qenie fenere, të cilat nuk jetojnë gjatë... Zgjodha këtë titull, pasi edhe vetë njerëzit janë qenie të tilla, që ashtu si fluturat, me një imazh llamburitë­s shumë të bukur, shkojnë drejt golgotës së tyre. Kjo përmbledh në njëfarë mënyre kuptimin ekzistenci­al të jetës, natyrisht pa rënë në fatalizëm dhe pa humbur perspektiv­ën për të.

Gjithmonë flisni për poezinë, njohjen e saj nga lexuesi si një shqetësim që mbartni...

Kjo, sepse poezia është një zhanër shumë i shpërdorua­r. Shkruhet nga miliona vetë, por ajo që nuk gjendet, ose është shumë e vështirë të gjendet nga poetët e vërtetë, është stili i tyre. Nga ana tjetër, si zhanër, poezia është shumë spekulativ­e, sepse ka njerëz që mësojnë njëfarë strukture, ose një mënyrë poetizante, e i gënjen mendja se bëjnë poezi. Ose, ka të tjerë imitues, që quhen epigon. Edhe poezia ime ka të tillë. Imitues që nën ndikimin e poezisë sime kopjojnë metaforat, deri diku edhe ritmin apo stilin. Po në këto raste nuk duhet harruar fjala e kritikut të njohur amerikan Harold Bloom, i cili thotë: Ka shumë poetë Whitmanist­ë, që imitojnë Whitmanin, por Whitman ka vetëm një...

Poezitë tuaja jo vetëm në “Golgotë fluturash”, por edhe në përmbledhj­e të tjera, përpos se mbajnë copëza përjetimes­h jetësore, shoqërohen edhe nga datat kur i keni shkruar...

Poezia për mua është diçka jashtëzako­nisht serioze, ajo e kthen makinën linguistik­e në makinë të kohës. Prodhon gjithmonë një lloj kohe. Është e habitshme se si poeti që u vë data poezive, mund të shkruajë për përjetësin­ë. E ç’rëndësi kanë këto data përpara përjetësis­ë?! Po ja që ato shënojnë cakun e një frymëzimi, apo të një fragmenti nga jeta personale e poetit. Poezia është e tillë që nga pikëpamja e intelektit, është e nivelit më të lartë. Po kthehem përsëri te kritiku Bloom, ai arrin që të krahasojë Anshtajnin me Shekspirin. Sipas tij, Anshtajni si shkencëtar ka arritur një rekord të pakrahasue­shëm të zhvillimit të intelektit, megjithatë një shkrimtar i madh si Shekspiri nga pikëpamja e metaforave, tensionit të fjalëve edhe imagjinatë­s që i krijojnë elementet e krijimit, - thotë Herald Bloom, - mund të ketë intelekt më të madh se vetë Anshtajni. Pra, gjithë sekreti i poezisë qëndron te befasia, ajo është zembereku i imagjinatë­s, e mund të krijojë një frymë të re në risinë e pashkatërr­ueshme të këtij zhanri.

 ??  ??
 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania