Panorama (Albania)

Nga miqësia me Kadarenë te përplasja me Ramizin e Nanon, rrëfimi i Moikom Zeqos: Si dola nga politika

“Si e mësova për sëmundjen”, mendimtari: Preka fundin, përjetova ditët më të vështira të jetës sime

- ANILA DEDAJ Moikom Zeqo

Pesha e sëmundjes ndihet ende, ndërsa ecejaket e tij në rrugicat e Tiranës mbushin njerëzit që e duan me shpresë. “Kam prekur fundin, përjetova ditët më të vështira të jetës sime”, tregon Moikom Zeqo, në rrëfimin për betejën më të ashpër me leuceminë, për më shumë se dy muaj në Spitalin Universita­r “Nënë Tereza”.

Mjekët qenë befasuar se si ky njeri ( jo i zakontë), para shtrimit, kish mundur të mbijetonte, ndërsa në trupin e tij prej 10 ditësh mungonin rruazat e bardha. E megjithatë, aty në katin e 3- të të Pavijonit të Hematologj­isë, ku Zeqo kaloi ditët më të vështira, e ku përgatiste veten e familjarët për më të keqen, miqtë shikonin se si sëmundja dorëzohej para vlerave të këtij misionari të dijes. Gjithmonë falënderue­s, i ndërgjegjs­hëm e i keqardhur për bashkëvuaj­tësin që shikonte prej dhomës 10- të të Pavijonit. Edhe në moment të errëta si këto, ai kërkon e dallon të mirën, që e mbush me një lloj krenarie. “Sa mirë që ne shqiptarët i kemi akoma të forta lidhjet familjare”, pohon, ndërsa tregon rastin e një pacienteje të shtruar, së cilës i qëndronin pranë prindërit, vëllezërit e kushërinjt­ë ditë e natë, pa qenë nevoja që të qëndronin në spital të gjithë. Po ashtu, pranë tij gjendet Lida kurajoze, Arnisa, Kleitia e Epidamni, të cilët “kokëfortë” nuk e lejojnë të dorëzohet. Në murin e dhomës ku qe shtruar, të tre fëmijët patën vizatuar e varur nga një portret, që sapo të çelte sytë, mendimet e tij të zgjateshin drejt tyre. Kanë nevojë për të, e s’janë të vetmit. Për poliedriku­n mendjendri­tur, mendimet e tij, ka nevojë shoqëria, vendi. Pra, s’mund të ndodhë ndryshe, ai duhet t’ia dalë e të zgjasë rrugëtimin e tij! Siç ka bërë prej ditës, kur në Anglinë e largët, ndërsa festonte dasmën e djalit të vetëm, u njoh me përbindësh­in që i kish shkaktuar ënjtjet në trup. Si i huaj, në spital s’mund të pranohej ndryshe veç përmes urgjencës. Pas analizave, familjarët do të mësonin për sëmundjen. “Mesatarja e jetëgjatës­isë është 9 vjet”, kishte shpjeguar mjeku. Lajmi qe tronditës. “9 vjet janë shumë pak për Moikomin, e duam mes nesh”, dëgjoi asokohe të thoshin miqtë. Dashamirës­it e tij, të afërmit, të cilët në këto ditë përpiqen të reflektojn­ë pak nga gjurmët e fisnikëris­ë që ai ka lënë në ta, ia njohin edhe brengat. “Nuk mund ta imagjinoj që një ditë nipërit e mbesat e mia të mos flasin shqip”, thotë i keqardhur. Mendja i shkon te Pandora e vogël, që mban emrin e nënës së tij të dhembshur, e në këto ditë i lehtëson dhimbjet teksa thërret: “Xhyçi, xhyçi”. Sigurisht që si çdo prind, do të kishte dashur që fëmijët t’i kishte gjithmonë pranë vetes, që dyert e shtëpisë së tij në të ardhmen të qëndronin të hapura, por e pranon klimën e ashpër me të cilët të rinjtë duhet të përballen në vendin tonë. Ai e ka përjetuar zemërimin e injorancës së kurorëzuar, në karrige e poste të larta në supet e tij. E ka përjetuar prej diktaturës kur “e degdisën” në Rrogozhinë për poezitë hermetike ( pa dyshim që s’mund t’i shpëtonte pena e tij xhelozisë së anëtarëve të Lidhjes). Apo më vonë, ku pas një kontributi të gjerë në përpilimin e programit të PS- së, jetën kulturore vendase e debatet intelektua­le, Fatos Nano vendos ta largojë nga politika, për “hir të kapriçove të tij”. E ka përjetuar, pas 2006- ës, kur pas një jete në punë, një personalit­eti si ai i duhej të përballej me një pension prej më pak se 15 mijë lekësh. Për të rrëfyer jetën e tij, padyshim që libra të tërë s’do të mjaftonin, por poliedriku Moikom Zeqo ndan për lexuesit e “Panoramës” disa nga çastet më pikante të rrugëtimit jetësor, që prej fëmijërisë në Durrësin e mrekullive, e deri më sot. Puna si redaktor në gazetën “Drita”, miqësia e takime me personalit­ete vendas e të huaj, nga Kadare, Poradeci e Kodra tek ish- Presidenti turk Turgut Ozal. Zeqo rrëfen po ashtu dy ngjarjet e para kulturore që lidhën Shqipërinë me botën, përpilimin e programit të PS- së e përballjen verbale me Ramiz Alinë. Në këtë intervistë, ai shpreh gjithashtu shqetësimi­n e tij për njohjen e poezisë së vërtetë.

Zoti Zeqo, vendlindja juaj ngre krye në poezitë e bisedat tuaja të përditshme, si një pjesë e pandashme por njëherazi influencue­se ndaj asaj që ju jeni sot. Na shpjegoni diçka më shumë rreth kësaj lidhjeje...

Për mua ka qenë një fat i pashembull­t që kam lindur pranë Durrësit. Shtëpia ime nuk qe më shumë se 50 metra larg, nga shtëpia e lashtë në stilin popullor, që sot është muze, e ku ka jetuar Aleksandër Moisiu gjatë fëmijërisë. Mandej, përjetimi i pafundësis­ë së detit, për mua ishte shumëçka. Në atë qytet, pata fatin të përjetoj një botë tjetër, e cila do më lejonte të mos ndikohesha nga bota fshatare. Për motivin e thjeshtë sepse nuk e kam jetuar. Në vitet ’ 70, unë i kisha botuar dy libra, “Vegime të vendlindje­s” dhe “Qyteti feniks” e mund të them se isha i vetmi poet i saj kohe që nuk isha ndikuar nga poeti rus, i cili u bë pikë referimi pothuajse për të gjithë poetët shqiptarë. Ky qe Sergej Esenin, natyrisht ishte një poet i mirë.

Po si ndodhi diçka e tillë, pra që unë të mos ndikohesha? Kjo shpjegohet me faktin se një pjesë e madhe e poetëve ishin me origjinë nga fshati. Në këtë këndvështr­im, unë nuk mund të ndikohesha. Jo vetëm sepse nuk kisha jetuar në fshat, por edhe për faktin se im atë u nda nga jeta në moshën 40- vjeçare e unë atëherë isha vetëm 10 vjeç. Babai ishte nga Libohova, por mungesa e tij bënte që unë të mos ndikohesha qoftë edhe në evokimin e një origjine tonën, nga qyteza me kështjellë. Mund të them se ky ka qenë njëri prej sekreteve të mia.

“Laboratori i ëndrrës”, ku ju përmblidhn­i dorëshkrim­et tuaja të moshës 20- vjeçare vjen si një befasi, e natyrshëm lexuesi shtron pyetjen: Si është e mundur që në poezitë tuaja nuk gjen asnjë varg, ku të reflektohe­n dogmat e kohës?

Te “Laboratori i ëndrrës” përmblidhe­n ditarët e mi voluminoz të vitit 1970. Ata ditarë rrëfejnë qartazi, se unë kam qenë i ndikuar vetëm nga letërsia, piktura e filozofia. Qenë këto leximet e mia, ndaj në këto dorëshkrim­e nuk gjen asgjë politike. Edhe pse ne studionim në atë kohë tekste politike, unë isha krejtësish­t i tërhequr nga poezia dhe piktura. Qe ajo periudha kur unë nisa të pikturoj, duke u marrë kryesisht me grafika, e mandej më vonë me pikturimin me ngjyra. Piktura në njëfarë mënyre ishte edhe plotës i nivelit tim poetik. Te metaforat që unë përdor, gjen gjithmonë diçka pikturike. Unë nuk është se mbaja asokohe ndonjë qëndrim ndaj regjimit, apo politikës, por interesi im ishte vetëm estetik.

Asokohe ju natyrisht nuk mund t’i botonit, apo t’i bënit publike këto poezi, apo shënime tuajat. Por nuk kishit frikë ndërsa shkruanit me një stil “avangard”, përkthenit poezi të Majakovski­jt, apo të francezit Reverdy, dëgjonit Eric Burdon, se dikush mund t’ju pikaste?

Absolutish­t jo, arsyeja ka qenë shumë e thjeshtë. Në familjen time, unë nuk kam patur askënd prej nga të ndikohesha. Apo që të tërhiqte vëmendjen e njerëzve të dyshimtë. Mamaja ime nuk ndërhynte në jetën time dhe kështu në njëfarë mënyre isha krejtësish­t i vetmuar. Ndërsa shokët e mi të fëmijërisë nuk qenë të lidhur as me politikën, as me poezinë e as me artin. Jetonim në një lagje, por shumë prej tyre nuk mbaruan studimet e larta e nisën punë në portin detar. Kështu që fëmijëria ime në njëfarë mënyre ka qenë e vetmuar.

Në ’ 67- ën, ju do të nisnit studimet në Fakultetin e Histori- Filologjis­ë, e menjëherë pas kësaj nisni punë te “Drita”. Në këto terrene, rreziku që prirjet tuaja të ekspozohes­hin ishte më i madh...

Natyrisht që në universite­t bëhej një jetë më politike. Unë e nisa publicisti­kën që gjatë kësaj periudhe, megjithatë shkrimet e mia nuk qenë asnjëherë politike. Ndër botimet e mia të para mund të përmend esetë për dy romane të Kadaresë “Kështjellë­n” dhe “Kronikë në gurë”, e mandej të tjerat kanë qenë përgjithës­isht shkrime që kam bërë për piktorët.

Si e keni përjetuar periudhën kur shkruanit për gazetën “Drita”?

Te “Drita” nisa në vitin ’ 71 si redaktor, ku mbulova sektorin kulturor dhe atë shkencor. Ka qenë një periudhë e artë për mua, sepse në vitin ’ 72 ndodhën disa ngjarje të mëdha. Kam realizuar ndoshta intervistë­n e vetme me Abdurrahim Buzën. Duke qenë Shqipëria, vendi i studimeve ilire, korrespode­ncat dhe takimet me dijetarët e huaj, i pasqyroja unë në gazetë. Kam mbuluar gjithashtu ngjarje të mëdha si Kongresi i Drejtshkri­mit të Gjuhës Shqipe, ku të pranishëm ishin shkrimtarë të shquar, edhe nga Kosova. Mes këtyre ngjarjeve, më vjen po ashtu në mend kthimi i Ibrahim Kodrës në Shqipëri në ’ 72- shin. Isha unë qe e shoqërova dhe e pasqyrova këtë moment kaq të rëndësishë­m. Çfarë kujtoni nga takimi me Ibrahim Kodrën? Ibrahimin e pritëm në Durrës e ai shprehu dëshirën të shkonte në Ishëm ( Durrës), në fshatin e tij të lindjes. Edhe ashtu u bë. Ne shkuam te shtëpia e xhaxhait të tij, pasi prindërit nuk jetonin më. Ndërsa gratë e shtëpisë gatuanin, pyesnin Ibrahimin se me çfarë do kish dëshirë ta gostitnin. Ai po kërkonte një ëmbëlsirë tipike vendase, emrin e së cilës nuk po e kujtonte. “Kadaif? Bakllava?...”, nisën ta pyesnin me radhë. Derisa një prej zonjave të shtëpisë arriti ta kuptonte. “Asude!”, tha ajo. “Po, ajo është!”, iu përgjigj piktori. Aty unë kam parë me sytë e mi se si Ibrahim Kodra, duke ngrënë hasude, i lotonin sytë. Qante e përsëriste: Kjo është ëmbëlsira më e mirë në botë! Mandej mori një fletore vizatimi nga ato të fëmijëve, dhe bëri në të 5 portrete të cilat m’i dha mua për botim. I ruaj ende sot e kësaj dite. Ndodhi që më vonë, nipi i tij, i cili punonte inspektor skene në teatrin e Durrësit më dorëzoi mua letrat që Ibrahimi i patë dërguar nënës dhe babait, me një shqipe pak të lexueshme. Edhe këto letra i disponoj ende.

 ??  ?? MOIKOM ZEQO ( MAJTAS) RAMIZ ALIA
MOIKOM ZEQO ( MAJTAS) RAMIZ ALIA
 ??  ??
 ??  ?? Zeqo, duke intervistu­ar piktorin Abdyrahim Buza, në vitin 1972
Zeqo, duke intervistu­ar piktorin Abdyrahim Buza, në vitin 1972

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania