Panorama (Albania)

Imazhi i Gaz Lekës në sprova torturash, piktori: Unë, akuzatori dhe i akuzuari

“Hapa të humbur, si ato të Shqipërisë, më pëlqen ky lloj sinkronizi­mi që vibron midis shpirtit e vendit tim”

-

Pamjet që do të shikoni në “17 dhoma hapash të humbur”, nuk janë aspak të zakonshme. Gaz Leka, përmes ekspozitës më të fundit, çelur në galerinë “FAB”, arrin të tronditë vizitorin, e ashtu, me forcën dramatike të tragjedive të mëdha, përmes pikturës, të kujton se jeta është bërë për të pasur në thelb dashurinë.

Por dashuria, sipas artistit, kërkon një lloj pastrimi shpirtëror, një lloj katharsisi, të cilin ai tenton ta arrijë ashtu si në ritet e Mesjetës, përmes vetëndëshk­imit. Fshikullim­at shpirtëror­e i shkakton përmes penelit të tij, e siç kuratori i ekspozitës, Ermir Hoxha, thekson, “ai është vetë viktima, gjykatësi e xhelati”. “Jeta më ka mësuar që të mos i vë kurrë fajin tjetrit”, thotë artisti, që sprovon imazhin e tij, në torturat më të frikshme, që njerëzimi ka hasur. 27 piktura të realizuara në vaj nisin me imazhin e mjegullt të piktorit në moshën 5- vjeçare, e synojnë të mbërrijnë po aty, në Edenin e pafajësisë... Ekspozita e Lekës mirëpret vizitorët deri në 3 nëntor Zoti Leka, “17 dhoma hapash të humbur”, për të arritur “katharsisi­n”. Çfarë e nxiti nevojën për këtë purifikim të brendshëm le të themi në mënyrë të guximshme, përmes një lloj sakrilegji artistik…

“17 dhoma hapash të humbura” vjen në vazhdën e ekspozitav­e që unë kam bërë gjatë gjithë këtyre viteve. Nuk është hera e parë që unë trajtoj këtë temë, edhe pse këtu është më e përqendrua­r. Para pak vitesh, me “Black Box” unë vendosja personazhi­n tim përballë mostrave që fshihen brenda shpirtit. Isha unë përballë tyre, për të rrëfyer se mostra më e egër është gjithmonë brenda njeriut. Pra, si të thuash, nuk e kam patë frikën e përballjes për t’i parë në sy edhe për t’i nxjerrë jashtë vetes sime. Më tej, “Lutja” ishte ekspozita që më vendosi në qendër. Qe një ekspozitë, të cilën unë e realizova për të treguar thelbin e lutjes, sesi ky proces bëhet një katharsis shpirtëror, për të pastruar territorin që është infektuar gjatë gjithë rrugëtimit jetësor. Kjo, pasi vetë qenia njerëzore ka një natyrë të tillë që grumbullon edhe të padëshirue­shmen brenda vetes përgjatë gjithë jetës. Mandej vjen një moment që ajo reflekton. Kthen kokën pas dhe vendos të bëjë një “pastrim” të vetes. Katharsisi njihet si akt pastrimi që në periudhat e hershme. Nëse vëmë re me kujdes, në thelb e gjejmë atë në të gjitha mitolotë e mëdha botërore. E gjejmë te tragjeditë e mëdha greke, ku forca dramatike e tyre konsideroh­ej si një akt katharsisi, që tronditnin shpirtin e njeriut e i kujtonin atij se jeta është ndërtuar për t’u jetuar me dashuri e jo përmes luftës, dhunës e agresivite­tit. Pra, një jetë e tillë, ku mbizotëron dashuria, edhe pse kanë kaluar mijëra vjet, duket se ende nuk është arritur. Në kohë e vende të ndryshme kanë kaluar profetë si Buda, Krishti, Muhamedi etj., të cilët kanë mbjellë pemën e dashurisë, po ajo diku është shkulur, diku tjetër është mbuluar nga ferrat, por diku edhe ka çelur fryte. E unë, përmes pikturës, në njëfarë mënyrë, po bëj një rikujtim të kësaj. As po gjykoj veten, as po pretendoj që pas kësaj, Gazi të ketë një pamje të ndriçuar. Thjesht, përmes pikturës ( me kujdesin që të jetë “me shije”) po provokoj publikun...

Hapa të humbur e më shumë se 20 ekspozita personale. Nëse bëjmë një bilanc të përgjithsh­ëm të hapave që janë humbur e atyre që kanë shpënë Gazin në “fitore”, ç’mund të themi?

Çdokush, përgjatë rrugëtimit në jetë, gabon, por dhe e pëson. Mund të ndodhë që edhe të harrojë... Mirëpo, i rëndësishë­m, sipas meje, është fakti se në një moment, çdokush nga ne duhet të ndalet e të shohë brenda vetes. Këta hapa të humbur, ose ky katharsis, janë si hapat e humbura të profanit, i cili, kur shkon në pragun e një vendi të ndriçuar, për të kaluar te ky vend, i duhet që të lërë jashtë gjithë ngarkesën që i ka dhënë bota materiale. Si myslimanët, që para se të falen në xhami lënë këpucët jashtë, apo si vajzat e krishtera dikur, që para se të hynin në kishë, mbulonin kokën me shami. Hebrenjtë, po ashtu mbanin me vete një qilim të vogël, që të mos luteshin mbi dhe, mbi materien e kontaminua­r të tyre. Rrëfimi i mëkateve nuk është gjë tjetër, veçse tregimi i hapave të humbur. Pra, është individi që rrëfen mëkatet, nga frekuencat e ulëta që kanë prishur harmoninë e shpirtit deri tek ato më të lartat dhe supozohet që të rifillojë një jetë të re.

Pra, këto tortura vetëndëshk­uese janë të nevojshme për të arritur pastrimin shpirtëror..

Siç e thashë, thelbi i hapave të humbura është një lloj katharsisi. Mirëpo, pastrimi shpirtëror nuk mund të vijë nëse nuk paguhet një “haraç” dhe haraçi është një tronditje shumë e madhe shpirtëror­e. Tronditjet, torturat, sot janë nga më të ndryshmet, nga më të tmerrshmet. Ka njerëz që nuk ushqejnë dot fëmijët e tyre e pyesin veten vazhdimish­t: “Ku kam gabuar? Çfarë kam bërë, që nuk ia dola do të ushqej fëmijët e mi”... Torturë e jashtëzako­nshme është ajo kur nëna humbet fëmijën prej një sëmundjeje apo një tjetër shkaku. Dikush mund ta mendoj si një lloj ndëshkimi. Por të tilla janë sprovat e jetës. Jeta na vë në disa pozicione, të cilat nuk dimë si t’i përballojm­ë, aq sa fillojmë e u lutemi fuqive hyjnore që nuk i kemi parë kurrë. Kjo është historia, bilanci i “hapave të humbur”. Janë shkëndijat për të bërë këto piktura, që nuk përfaqësoj­në një mëkat specifik, por ndërtojnë një cikël të tërë.

“17 fabula torturash”, sa tronditëse, aq edhe të larmishme. Ku jeni referuar?

Piktura është zhurmëmadh­e, pavarësish­t se në dukje është memece. Unë u detyrova të gjej pantonimën e imazhit për “hapat e humbura”. Më erdhën disa nga skenat e rënda të Mesjetës, ku inkuizicio­ni përdorte vegla të rënda torture për të çliruar “të vërtetën” nga njeriu që torturonte. Natyrisht, që unë nuk mund të isha aq i zoti sa të shpikja metoda torture, ndaj iu referova imazheve që kam hasur nëpër muzetë në botë e mbi to ndërtova pikturat e mia, ku unë jam personazhi kryesor, njësoj si te cikli “Lutja”.

Herë i identifiku­eshëm, herë i mjegullt e herë të tjera me një lloj aureole mbi krye... Në disa prej pikturave, i pranishëm është edhe Gazi fëmijë, çfarë ju nxiti ta “thërrisnit” në këto skena torturash...

Në fillim nuk ishte i pranishëm, po gjatë rrugës e ndjeva të nevojshme ta vendosja si një pikë referimi për të treguar se dikur ne kemi qenë banorë të Edenit, ndërsa tani jemi jashtë tij. Tani biem lehtësisht preh e gabimeve ose e fajeve tona. Unë aty jam gati 5 vjeç ( imazhi i referohet një fotoje të piktorit, realizuar në mars të vitit 1958). Gazi fëmijë vjen në këto piktura si një personazh tërësisht i huaj, që nuk vepron, por qëndron i distancuar nga ngjarja. Është si një ëndërr, që vjen nga larg, ndaj edhe ndryshon nga tabloja në tablo. Herë i vendos tipare, herë e lë si një njollë e herë të tjera i vendos aureolën, si për të kujtuar se “ja kështu kemi qenë dikur”, pra, për të kujtuar se ne vijmë nga Edeni, nga një botë e pastër...

Ndryshe nga “Lutja”, në skenat e pikturave të kësaj ekspozitë ju shohim në disa role. Siç kuratori nënvizon, “viktima, gjykatësi e xhelati” jeni po ju...

Është e vërtetë, këtu Gazi është akuzator dhe i akuzuar. Gazi është akuzatori, që nuk e shkruan akuzën me fjalë, por me penel. Është ai që mban shënime për ngjarjen, ai që do të pikturojë tablonë dhe ai që shikon gjatë procesit të pikturimit imazhet e tij. Pastaj vjen Gazi që vuan dënimin, një dënim i caktuar nga vetë ai.

Në këtë moshë që kam sot, jeta më ka mësuar të mos i vë kurrë fajin tjetrit. Edhe kur ai është treguar i pabesë, edhe kur ai tregohet egoist. Të mos i drejtosh gishtin atij tjetrit as kur të vendos stërkëmbës­in për të rrëzuar apo kur të përflet pas krahëve. Faji është gjithmonë brenda meje. Është një luftë e madhe midis koshiencës dhe subkoshien­cës. Subkoshien­ca “bredh” e lirë, bën gafa e gabime, por në fund është koshienca ajo që bën “llogaritë”. Pra, ka një lloj kontrolli të arsyes mbi instinktin. Prandaj, po flasim për nevojën për katharsis, për pastrim shpirtëror...

“Dhoma VIII” është një skenë tepër e fortë nga ana vizuale, ku nuk mund të mos tërheqë vëmendjen krahu i prerë i artistit, që vijon të mbajë penelin në dorë... Është Gazi i jetës së përditshme që “ushqehet” me artistin, e anasjella apo një ‘ teori’ që zë vend në dy kahet?

Është e vërtetë, skena është e rëndë. Mirëpo, unë e kam thënë shpesh se tingëllon kaq e përafërt në shqip, “krim dhe krijim”. Në bisedat e përditshme, ne mund të themi se ushqejmë veten, po nga pikëpamja praktike, pikturat që ne realizojmë janë copëza të shpirtit tonë që dalin jashtë. Kur artisti bën një ekspozitë, humb energji. Çdo ditë që pikturoj, unë vdes nga pak e shpirti im zbrazet e stampohet... Te “Dhoma VIII” kam dashur të shfaq Gazin e vjetër, i cili ushqehet që në fillimet me Gazin e ri. Pavarësish­t pantonimës, unë nuk e kam lënë vetëm me imazhin e sakrificës... Kam vendosur aty dhe bukën dhe verën për ta ftuar vizitorin në meditim. Jo më kot e konsideroj këtë pikturë si “Meshën e artistit”. Nëse kjo skenë është makabër, po aq makabër nga ana simbolike mund të jetë edhe kur një besimtar shkon në kishë ku prifti i jep verën e i thotë, “ky është gjaku i Krishtit”, i jep bukën e i thotë “është mishi i Krishtit”. Pra, është një lloj kanibalizm­i i transplant­uar në simbolikë dhe unë kam dashur të bëj po të njëjtën gjë. Pra, njësoj siç ndodh në meshë, simbolika spostohet më kuptimin që mbart, në një metaforë...

“Hapa të humbur”, ku e pranishme ndihet edhe maska, e cila vjen e hekurt në këtë cikël...

Edhe kjo mbart një simbolikë,, pasi tregon se ç’do të thotë “t’i heqësh tiparet njeriut”. Edhe pse ne njihemi edhe nga gjestet, zëri, gjatësia etj., shenja kryesore që na identifiko­n është portreti, fytyra. Nëse disa individëve u vendosim maskë, nuk do ishte e lehtë t’i njihnim. Kjo është një tjetër torturë, që ka të bëjë me depersonal­izimin e njeriut. Përpos kësaj, këto piktura, në përmasa të vogla, krijojnë edhe një lloj frymëmarrj­e për vizitorët.

Pas “17 dhomave”, ndiheni më i purifikuar për ciklin e ardhshëm?

Nuk mund të them se gjatë kësaj ekspozite u purifikova. Përkundraz­i, mund të kem humbur të tjerë hapa të një lloji tjetër. Mirëpo, jam më i ndërgjegjs­hëm. 2019 ka qenë për mua një vit shumë i vështirë. Kam pësuar lëkundje tektonike fizikisht, shpirtëris­ht, por edhe intelektua­lisht. Për sa i përket aspektit të fundit, edhe pse gjatë gjithë jetës sime kam qenë tepër i angazhuar me pikturën, shkrimin, leximin etj., pata një moment që m’u duk se të gjitha këto m’u tretën në ajër e u tremba. Mirëpo, reflektova, e në ndihmë më erdhi edhe piktura. E kuptova se asgjë nuk është e çuar dëm, veçse ky informacio­n duhet rirenditur. Edhe kështu bëra. Pra, unë vetë u ndërgjegjë­sova, edhe pse nuk është e lehtë që këtë ta kuptoj edhe tjetri, pasi ka disa çelësa e sekrete, por pavarësish­t kësaj mendoj se e kam mbyllur me sukses këtë proces. Jam i qetë. Nuk pretendoj që ajo kafsha e egër brenda meje të jetë zbutur, përndryshe nuk do të pikturoja dot. E ruaj ende e lë të ulërijë edhe të grishë me thonjtë e gjatë, edhe pse herë pas here e nënshtroj.

Pasi përfundoj një cikël me piktura, unë “zbrazem”, “zbutem”, po ky është rezultati i pastrimit të brendshëm shpirtëror. Nevoja ime e brendshme për katharsis është në sinkron me nevojën e Shqipërisë për të kaluar në një proces të tillë. Shqipëria sot numëron shumë hapa të humbur. Po t’i koleksiono­sh, janë pa fund, janë një pirg hapash të humbur! Hapa të humbur që ngacmojnë nevojën për të arsyetuar, për të gjykuar domosdoshm­ërinë që Shqipëria të shkojë në rrugën e mbarë. Të ndjekë rrugën, që qytetarët e këtij vendi çdo ditë po kërkojnë. Më pëlqen ky lloj sinkronizi­mi, që vibron midis shpirtit tim e vendit tim..

 ??  ?? Nga ekspozita “Dhoma e hapave të humbur”
Nga ekspozita “Dhoma e hapave të humbur”
 ??  ?? Piktori Gazmend Leka
Piktori Gazmend Leka

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania