Panorama (Albania)

Amaneti i bjerrun i Mark Shllakut të pafaj...

(“Me m’i marrë eshtnat e me m’i çu në nji varr. Kam me vedi një teneqe me emnin tem, me té mundesh me më njoftë. Hallall të gjithëve dhe ty të parës. Po vdes si një shqiptar i mirë dhe i ndershëm”)

- FRANO KULLI

Kanë kaluar tri ditë... dhe tani, pakkush flet për letrën e Mark Shllakut. Ajo letër që është nxjerrë së fundi nga e bija, Juli, prej dhimbjes së saj “të mpiksur”, dhimbje që zen fill shtatëdhje­të vjet më parë e me përlotjen ende të patharë është ulë paq në kujtesën e ca njerëzve. Disa njerëzve, të cilëve ende iu gjallojnë ato shqisat që përcjellin dhimbjen, nderimin, respektin e pikëllimin për vdekjen e trishtë, ndjesi këto të njerëzishm­e, që i kanë ende do prej tyre... E ato disa janë shumë besoj unë, por që nuk janë asesi kujtesa jonë kolektive. Se sa për kujtesën kolektive, as bëhet fjalë. Është kështu dhe nuk është ndryshe, sepse ashtu si gjithherë e gjithmonë e si për çdo gjë, edhe për ato gjëra a akte që do të rrinin si gur i rëndë fort në ndërgjegje­n e vendeve të emancipuar­a, gur i rëndë që ata nuk do ta mbartnin kurrë, këtu ndër ne zgjasin... vetëm tri ditë. Tri ditë, aq saç mund të zgjasë për shembull, lajmi për grumbullim­in e më pas lëshimin rrugëve të qenve të rrugës nga Bashkia e Tiranës...

Se kujtesa kolektive për refuzimin e së keqes ka shëmbëllye­r, se te ne ende nuk ekziston e jo më të jetë institucio­n si në vendet e demokraciv­e të mira e të mëdha.

Letra e shkruar për të shoqen dhe dy vajzat prej Mark Shllakut, të lidhur këmbësh e duarsh në orët e mbrame para se me mrrijtë te skuadra e pushkatimi­t, na tregon se sa rëndë është dëmtuar ndjesia e reagimi ynë kolektiv. Gjithfarë makabritet­i që ka ndodh në këtë vend e ndër këta njerëz, sado e rëndë të ketë qenë e sido bukur të tregohet... zgjat pra, vetëm tri ditë. Madje, vetë përmendja ngjall vetëm bezdi e indiferenc­ë, përgjithës­isht te prijësit e këtushëm. Tek ata, të cilët përditë e më shumë janë urryesit e vlerave morale të shoqërisë sonë... Po, për fat të keq, edhe e shumta e “laboratorë­ve” të opinionit publik kështu. Medie që e kanë deformuar keqas pozitën e tyre. Nga shërbestar­ë të publikut, kanë zatetë ( zënë vend) në pozitën e shërbestar­ëve të prijësve. Teksa bën dallimin ajo pjesa e çlirshme e mediave sociale, që kësaj here, për hir të së vërtetës, u përhap në një valë që po zgjat...

Po kush ishte Mark Shllaku dhe çfarë ndodhi me të?

Mark Shllaku, një djalë shkodran, mësues, burgoset në vitin 1949 me akuzën e “rëndomtë” të asaj kohe, që regjimi i dhunshëm e i përgjakshë­m i sapoinstal­uar e lëshonte për shumëkënd, që kishte dhënë edhe shenjat sadopak të dallueshme të kundërshta­rit të regjimit “si me kenë tu hangër bukë e djathë”.

U dënua me pushkatim për agjitacion e propagandë dhe për angazhim në një celule të një partie socialdemo­krate, që po shfaqej si një përbashkim i forcave kundërshta­re të regjimit të instaluar tashma në Shqipëri.

Mark Shllaku ishte vetëm 31 vjeç, kur mësoi se po shkonte drejt pushkatimi­t. Në shtëpi kishte lënë bashkëshor­ten Angje dhe dy të bijat. Juli, vajza e madhe, ishte vetëm 8 vjeç në atë kohë. Me nxitjen e së ëmës, Juli u detyrua e shkoi së bashku me té, t’i lutej kryetarit të Degës së Punëve të Brendshme, që të mund ta lejonte të shihte babanë për herë të fundit. Pak ditë para se të pushkatohe­j, Juli dhe e ëma, Angjia, e takuan për pak minuta Markun. Atë ditë, Marku i tha Angjes se kur t’i merrte sendet e tij personale pas pushkatimi­t, atje do të gjente një letër me disa informacio­ne të rëndësishm­e... O Zot, ku fillojnë e ku mbarojnë kufijtë e qëndresës së njeriut...! “

E dashtuna Angje e fëmijë!

Më kanë nda nga shokët për me më ekzekutu. Nuk po më dhimet jeta vetëm se ju po ma mërzisni shpirtin. Amanet, mos u mërzit për mue, por shikjo fëmitë. Mos u mërzit

për mue vetëm m’i rrit fëmijët me hir të Zotit. Amanet babën e mos i trego për mue. Borgj i kam Halitit për tjegullat dhe në ardhtë dita, jepja për mue.

E dashtuna Angje! Jam lidh kamsh e duersh. Edhe pak orë me kanë mbet me jetue. Mendjen e kam te ti e fëmija, që nuk mujta më ju gëzue. Tashti më kanë pikëllue shumë fytyrat tuaja që më dalin parasysh e s’më lanë me dekë… banu e fortë. Marku!

Angje! Në t’u mbushtë mëndja me u martue e ke lejen teme, por mos me më harrue. Por amanet fëmijët. Të kam dasht me shpirt deri tash në çasen e mrame të jetës teme. Edhe në atë jetë do të lutem për ty. Amanet, mos u mërzit për mue, por shikjo fëmitë. Ju puth me mall për herë të fundit. Marku.

E dashtuna Angje!

Të lutëm me mi ba hallall vuajtjet që të kam shkaktue.

Të lutem me m’u interesue për eshtnat të mos më harrojsh për kurdoherë. Me m’i marrë eshtrat e me m’i çu në një varr. Kam me vedi një teneqe me emnin tem, me të mundësh me më njoftë.

Hallall të gjithëve dhe ty të parës. Po vdes si një shqiptar i mirë dhe i ndershëm”.

“Kjo letër, në mënyrë obligatore duhet të bëhet pjesë e librave të këndimit të shkollës shqiptare. Mundësisht, e detyrueshm­e për t’u mësuar përmendësh. Kjo letër është e mira të përkthehet në gjuhë të huaja e të përhapet nga kush të mundet dhe ngado, sepse kjo letër na bën krenarë dhe me turp në të njëjtën kohë”, këlthet me gjithë fuqinë e shpirtit e të mendjes shkrimtari e profesori Stefan Çapaliku.

Po këlthet në nji vend shurdhash, ku ata që duhet nuk ndigjojnë . Asht një popull i tanë me veshë e ndijim të bllokuar.

Amaneti i mbramë i Mark Shllakut , jetëmarrun pa faj, është bjerrë. As eshtrat nuk i janë gjetur e as varr për ta nuk ka. E ata jetëmarrës­it, jo mâ pak pikëllim, po as pendesën më të vogël nuk e kanë shfaqë... Se edhe nuk ua kërkon kush xhanëm. Udhëheqësi­a jonë ka gati tridhjetë vjet, që më shumë druhet se mos “dogonis” [ lëndon] jetëmarrës­it, sesa të kërkojë të vendosë drejtësinë për martirët e sublimitet­in e tyre.

E kujtesa jonë kolektive... pushon në paqe.

“Kjo letër, në mënyrë obligatore duhet të bëhet pjesë e librave të këndimit të shkollës shqiptare. Mundësisht, e detyrueshm­e për t’u mësuar përmendësh. Kjo letër është e mira të përkthehet në gjuhë të huaja e të përhapet nga kush të mundet dhe ngado, sepse kjo letër na bën krenarë dhe me turp në të njëjtën kohë”, këlthet me gjithë fuqinë e shpirtit e të mendjes shkrimtari e profesori Stefan Çapaliku.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania