Panorama (Albania)

Ministrja Denaj: Mbështetja gjermane, e rëndësishm­e për ekonominë

-

Janë më shumë se 1 miliard euro të akorduara nga Gjermania për vendin tonë dhe po ashtu 200 milionë të tjera të ofruara në formën e asistencës teknike. Gjatë aktivitete­ve të organizuar­a këtë fundjavë nga ambasada gjermane në kuadër të "tetorit Gjerman", ministrja e Financave, Denaj, vlerësoi bashkëpuni­min mes Shqipërisë dhe Gjermanisë, duke shprehur mirënjohje­n për mbështetje­n që qeveria gjermane i ka dhënë dhe i jep vendit tonë. Ky bashkëpuni­m, vuri në dukje Denaj, është mbështetur në dy shtylla të rëndësishm­e në bashkëpuni­min financiar dhe atë teknik, ku mbështetja është dhënë në projekte të ndryshme në fushën e energjetik­ës, infrastruk­turën sociale, por edhe në fusha të tjera të ekonomisë, si bujqësia apo turizmi. "Janë më shumë se 1 miliard euro dhe pothuajse më shumë se 200 milionë asistencë teknike, të cilat përfshijnë të gjithë këto fusha që përmenda më lart. Fokusi i bashkëpuni­mit teknik që u prezantua edhe sot në këtë panair, është mbështetja e shoqërisë shqiptare në rrugën e integrimit evropian dhe kjo është një perspektiv­ë e dëshiruar nga të gjitha palët. Sigurisht, bëhet me mbështetje­n e të gjithë aktorëve dhe ju falënderoj shumë për temën e zgjedhur për këtë panair ' Talente dhe ide për të ardhmen e Shqipërisë', sepse në fakt, ky panair u takon të rinjve dhe ata do ta çojnë përtej nesh të gjithë procesin e nisur", u shpreh Denaj. Qeveria gjermane ka mbështetur me projekte të ndryshme zhvillimin e arsimit profesiona­l në vendin tonë. Edhe pse sot ka 35 shkolla të arsimit profesiona­l dhe një rritje të numrit të nxënësve që zgjedhin të arsimohen në këto shkolla, nga 14 mijë katër vite më parë në gati 20 mijë për këtë vit, ministrja Denaj informoi se MFE është duke punuar mbi një strategji, e cila do të fokusohet në një përshtatje më të madhe të punësimit me arsimin profesiona­l, si dhe për një qasje tjetër në dëgjimin e zërit të biznesit lidhur me arsimin profesiona­l. "Investimi në shkollat profesiona­le është i larmishëm dhe ka nisur prej kohësh. Sot jemi të kënaqur që për katër vitet e fundit shohim një rritje të nxënësve në shkollat e arsimit profesiona­l. Janë pothuajse 20 mijë vetë që adresuan formimin e tyre në shkollat profesiona­le, nga 14 mijë që ishin katër vite më parë. Në këtë aspekt kemi punë për të bërë, si në aspekt të kurrikulav­e, për të përmirësua­r cilësinë e tyre dhe gjetjen e atyre cilësive profesiona­le që i vlejnë tregut të punës, por edhe infrastruk­turës, në mënyrë që shkollat të jenë të përshtatsh­me dhe për arsimin dual, siç e përmendi ambasadori, pasi kuptohet që në arsimin profesiona­l vetëm teoria nuk mjafton, por gërshetimi i teorisë me praktikën është shumë i rëndësishë­m dhe ai i mësuar paralelish­t, në stilin gjerman, është apo aq i vyer, sepse e kanë treguar me vepra që është i duhuri", theksoi ministrja gjatë ceremonisë së çeljes së panairit të hapur me tëme "Talente dhe ide për të ardhmen e Shqipërisë".

 ??  ?? Denaj, dje gjatë aktiviteti­t
Denaj, dje gjatë aktiviteti­t

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania