Panorama (Albania)

Vrasja në Kavajë, lihet në qeli ish- shefi i Sigurisë së Burgut

Sipas Prokuroris­ë, vrasja ndodhi pasi Toçi i kishte premtuar mbrojtje Marsida Qatjas nga viktima Dritan Haxholli, i cili e përndiqte

- BLEONA METUSHI

Gjykata e Kavajës la në burg Bledar Toçin, nën dyshimin e vrasjes me paramendim të Dritan Haxhollit.

Seanca është zhvilluar në ambientet e Spitalit të Durrësit, ku ish- shefi i Sigurisë së Burgut të këtij qyteti është duke marrë mjekim për shkak të plagosjes gjatë përplasjes me armë zjarri në banesën e Marsida Qatjas. Nga hetimet e deritanish­me, ka rezultuar se shkak për ngjarjen me pasojë vdekjen e një personi ka qenë mbrojtja që i dyshuari Toçi i ka ofruar Qatjas, pasi viktima Haxholli e shqetësont­e. Por ndërkohë që Prokuroria ka ngritur akuzën e "Vrasjes" me dashje ndaj Bledar Toçit, avokati i tij dhe vetë ai pretenduan se ka vepruar në kushtet e vetëmbrojt­jes dhe gjatë seancës që u zhvillua në spital, kërkuan lehtësim të pozitave dhe lënien në një masë më të butë. Kërkesë, e cila nuk u pranua nga gjyqtari Genci Dokollari, që pasi dëgjoi të dy pretendime­t, vendosi të lërë në burg të riun të paktën deri në përfundim të hetimeve. Mësohet se ky vendim do të ankimohet nga mbrojtja e Toçit.

PROKURORIA Duke iu referuar Prokuroris­ë, në datën 9 tetor 2019 Marsida Qatja ka takuar shtetasin Bledar Toçi, me të cilin ka njohje shoqërore dhe i ka treguar për një problem të sajin në lidhje me shtetasin Dritan Haxholli. Shtetasi Bledar Toçi ka marrë përsipër zgjidhjen e këtij problemi dhe i ka thënë se do të shkonte ai te shtëpia e saj. Pasditen e kësaj date, në shtëpinë e Marsidës kanë shkuar Bledar Toçi dhe shtetasit Ermir Çela e Xhulio Biturku, të cilët janë lidhje shoqërore të Marsidës dhe kanë konsumuar aty lëndë narkotike, kokainë, të cilën ua ka sjellë shtetasi Bernard Toçi. Edhe në darkë, rreth orës 20: 30, shtetasit Xhulio Biturku dhe Ermir Çela kanë qëndruar në shtëpinë e Marsidës, ndërsa shtetasi Bledar Toçi ka dalë dhe është kthyer pas 30 minutash, ku ka siguruar lëndë narkotike dhe të gjithë së bashku kanë ngrënë darkë, kanë konsumuar pije alkoolike, birra dhe më pas lëndë narkotike. Pak pas mesnate, në këtë banesë ka shkuar edhe viktima, Dritan Haxholli, i cili fillimisht ka trokitur te dritarja e katit të parë. Shtetasja Marsida Qatja i ka hapur derën kryesore dhe shtetasi Dritan Haxholli ka hyrë brenda dhe në duar mbante një armë zjarri, automatik model 56, të cilin fillimisht ia ka drejtuar shtetasit Xhulio Biturku, duke i thënë: "… me ty kam punë pastaj". Më pas i është drejtuar shtetasit Bledar Toçi duke i ka thënë: "Pse ma bën ti këtë?". Pasi ka thënë këto fjalë, shtetasi Dritan Haxholli ka qëlluar në drejtim të shtetasit Bledar Toçi, i cili ka marrë një plagë në anën e djathtë të fytit. Në vijim, edhe shtetasi Bledar Toçi, me armën e tij të shërbimit, të markës "Glock", ka qëlluar disa herë në drejtim të shtetasit Dritan Haxholli, i cili për pasojë ka gjetur vdekjen në vend.

DËSHMITË KONTRADIKT­ORE Ngjarja në Kavajë është ndër më të komentuara­t e ditëve të fundit, ndërsa ajo që mbeti në qendër të vëmendjes ishte Marsida Qatja, e konsiderua­r edhe si "molla e sherrit" mes të rinjve. Por Marsida, e cila rezulton të ketë pasur një të shkuar komplekse dhe të vështirë, e dyshuar edhe si përdoruese droge, u shfaq në media me qëndrime të ndryshme nga ajo çfarë kishte deklaruar në Polici. Gjatë marrjes në pyetje, ajo ka thënë se ka pasur një lidhje me viktimën, që i kishte dhënë fund, por ai kërkonte sërish të kryente marrëdhëni­e me të. Ndërkohë, në prononcime­t që dha për media të ndryshme, Qatja nuk e pranoi lidhjen, ndërsa deklaroi se i vinte keq për të, por e kishte kërkuar atë çfarë i ndodhi me sjelljen e tij. Qatja është martuar që në moshën 16- vjeçare, martesë nga e cila ka pasur 2 fëmijë. Nga martesa e dytë ajo ka edhe një djalë të vogël, ndërsa bashkëshor­ti është në burg në Gjermani.

 ??  ?? Bledar Toçi
Bledar Toçi
 ??  ?? Bledar Toçi
Bledar Toçi
 ??  ?? Viktima, Dritan Haxholli
Viktima, Dritan Haxholli
 ??  ?? Marsida Qatja
Marsida Qatja

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania