Panorama (Albania)

Reja: UEFA të përjashtoj­ë Turqinë, kthehemi në garë

"Do ta vlerësoj situatën e Strakoshës, Manaj më ka mrekulluar"

-

Shqipëria ka përfunduar shanset reale për të shkuar në Europian, por sipas trajnerit Reja, ka edhe një tjetër, sado hipotetik që të jetë: Dënimi i Turqisë.

Trajneri italian i Kombëtares shqiptare të futbollit, në një intervistë që ka dhënë për "Radio Sportiva", ka komentuar ndeshjet e tetorit me kuqezinjtë, të rinjtë Manaj e Kumbulla, ndryshimet që ka bërë në skuadër si dhe çështja e portës, teksa ka lënë të hapur mundësinë për të vlerësuar situatën në fund të këtyre kualifikue­seve, duke përmendur se i gatshëm është edhe Etrit Berisha.

HUMBJA

Italiani ka evidentuar përmirësim­et e kuqezinjve, por e ka quajtur marrëzi shkaktaren e humbjes ndaj Turqisë. "Shkoi keq për ne në Turqi, sepse në minutën e 90të humbëm ndeshjen për shkak të një marrëzie. Por, kemi treguar se jemi një ekip që mund të ndeshemi me këdo. Jemi një kombëtare në rritje, por kemi edhe disa limite. Grupi funksionon dhe kemi edhe besimin e tifozëve shqiptarë", është shprehur Reja.

RISITË

Trajneri ka shpjeguar punën që ka bërë në krye të Kombëtares dhe ndryshimet e nevojshme, por ka thumbuar edhe Italinë për mbrojtësin e Veronës. "Duhet të ndryshoja shumë, duke afruar shumë të rinj. Kam aktivizuar edhe Kumbullën e Veronës. Në të ardhmen mund të bëhet një ekip i mirë, edhe pse fatkeqësis­ht na iku mundësia për t'u kualifikua­r në Europian. Kumbulla ka zgjedhur Shqipërinë, pasi është i lidhur me vendin e tij. Ka luajtur me të gjitha moshat e Shqipërisë dhe prindërit ishin për ta parë. Çuditem si Italia nuk ia kishte hedhur sytë. Ata edhe ndoshta e kanë kërkuar, por ai e kishte bërë zgjedhjen", ka vijuar trajneri i Kombëtares së Shqipërisë.

PORTA

Edi Reja ka rihapur edhe një herë çështjen e portës, duke përmendur se në fund të edicionit do të bëjë disa vlerësime: "Në lidhje me Strakoshën, më duhet ta vlerësoj situatën. Kemi edhe Berishën, ndaj jemi të mbuluar për portën. Është e vështirë të vendosësh. Në fund të këtij cikli do të bëjmë vlerësimet e duhura", është dyshimi që ngre italiani.

FESTIMET E TURQISË

Turqia festoi me përshëndet­jen ushtarake pas golit të fitores me Shqipërinë për ndërhyrjen e ushtarëve në emër të shtetit turk, të cilën e përsëritën edhe në Francë. Për këtë, Reja bën thirrje për ndëshkim nga UEFA. "Pas ndeshjes kundër Turqisë pamë që u rreshtuan dhe bënë një përshëndet­je ushtarake. Ishim të befasuar. Janë gjeste që duhet të censurohen. Pavarësish­t gjithçkaje, ata e bënë diçka të tillë edhe kundër Francës. Shpresoj që UEFA të marrë masa kundër Turqisë, që ndoshta do të na kthente ne në rrugën e kualifikim­it. Megjithatë, përveç atyre shpresave egoiste që mund të kemi ne, mendoj se do ta kalojnë me një gjobë", ka deklaruar trajneri i Shqipërisë.

MANAJ

Është vetëm 22 vjeç, por talenti që ka e ka bërë që ndaj tij të ketë pritshmëri të mëdha, Edi Reja ka shpjeguar edhe Manajn, si ia kanë prezantuar dhe si po sillet realisht në fushën e lojës. "Manaj po kthehet. Më kishin thënë që ishte pak gjaknxehtë, por përkundraz­i, po vë re një impenjim të madh dhe jam mahnitur. I kërkoj të sakrifikoj­ë në fushë dhe e bën diçka të tillë, ndaj jam i magjepsur. Shpresojmë të vazhdojë kështu dhe të maturohet, pasi është 22 vjeç".

 ??  ??
 ??  ??
 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania