Panorama (Albania)

“Lost and Found”, fati i një vepre arti

- NERITAN CEKA

Gjatë viteve të qëndrimit tim si ambasador në Romë, kolegu im francez, Fransua Kuantin, më lajmëroi se kishte parë...

në oborrin e jashtëm të “Musei Capitolini” një reliev me origjinë nga Shqipëria. Me të vërtetë, në Piazza Cafarelli, nga janë zyrat e Muzeut, pashë në mes të një shatërvani një nga veprat më të njohura artistike të Shqipërisë së lashtë. E njohur si stela e Selenicës, nga vendi ku ka qenë gjetur, ajo ka qenë botuar nga arkeologu italian Luigi Ugolini, në librin e tij “Albania Antica”, 1928, përkthyer në shqip nga “Shtëpia Botuese Migjeni” me titullin “Shqipëria e Lashtë”. Ugolini e përshkruan­te stelen si një reliev 0.93x 0.50 m, që paraqet një luftëtar me armatim të lehtë, të përbërë vetëm nga një shpatë e shkurtër, e ngjeshur në brez, një heshtë e hollë, një përkrenare atikase dhe një mburojë e rrumbullak­ët. Luftëtari paraqitet në një akt solemn, duke derdhur përmbajtje­n e një patere mbi flakën e një altari. Mbishkrimi greqisht sqaron vetëm se monumenti ku bënte pjesë pllaka, u ngrit në kohën e prytanit Lysenos, biri i Sostrionos dhe të toksarkut Patronos, biri i Eukleidasi­t. Vlera e kësaj stele qëndron në punimin e thellë të relievit, ku figura e luftëtarit është shkëputur në tre të katërtat, pothuaj si një skulpturë e rrumbullak­ët. Lëvizja elegante, përqendrim­i psikologji­k në aktin religjioz dhe hollësitë e detajeve dëshmojnë dorën e një mjeshtri të madh të shek. III p. Kr. Po kaq e rëndësishm­e është edhe vlera historike e kësaj vepre arti. Emrat e personave dhe funksionet e tyre, prytani, si kryetar i pushtetit ekzekutiv dhe toksarku si komandant i harkëtarëv­e, na referojnë menjëherë te qyteti antik i Apolonisë. Po përse duhej që apoloniatë­t të ngrinin një monument në Selenicë, aq larg për kohën nga qyteti i tyre?

Për këtë duhet t’u referohemi të dhënave historike. Shkrimtari grek Pausania dëshmon se apoloniatë­t kishin ngritur në faltoren pangreke të Olympias një monument, kushtuar fitores së tyre kundër fisit ilir të Amantëve. Ai kishte kopjuar mbishkrimi­n pasues: “Këtu gjendemi si dhuratë e Apolonisë, së ndërtuar pranë Jonit nga Foibi flokëgjatë. Fituesit kundër Amantëve Zeusit ia kushtojnë me një të dhjetën e plaçkës të marrë në Thronion”. Foibi flokëgjatë ishte Apoloni, si perëndi i dritës së diellit, emrin e të cilit mbante qyteti. Qyteti Thronion i Amantëve nuk është identifiku­ar, por mendohet të ketë qenë Kanina. Mendohet, gjithashtu, se shkaku i luftës ka qenë zotërimi i minierës së serës në Selenicë, që ishte njëkohësis­ht edhe një vend i shenjtë, i njohur me emrin Nymfeum. Pausania na ndihmon edhe për përcaktimi­n e kohës kur ndodhi ngjarja, kur shkruan se monumenti u realizua nga djali i Mironit, Lykos. Nëse Mironi, autori i njohur i Diskobolit, ishte aktiv në vitet 480440 p. Kr., mund të themi se djali i tij punoi rreth viteve 460- 420 p. Kr. dhe kjo ka qenë koha e mundshme e zhvillimit të luftës midis apoloniatë­ve dhe Amantëve. Gjetja e një stele me emrat e zyrtarëve apoloniatë në Selenicë është një dëshmi arkeologji­ke, që tregon se ai territor kishte mbetur nën sundimin apoloniat deri në mesin e shek. III p. Kr, kur datohet stela. Kjo gjendje nuk kishte ndryshuar deri në shek. I m. Kr., kur shkrimtari romak Plini vendos në Nymfeum kufirin midis apoloniatë­ve dhe “barbarëve Amantë dhe Bylinë”.

Luigi Ugolini, në botimin e tij shkruan se stelen e kishte parë dhe fotografua­r në ambientet e Shoqërisë Italiane të Bitumit të Selenicës, me dashamirës­inë e ing. Ineichen, Bianchini dhe Saggiotti. Që nga ajo kohë, stela nuk u pa më dhe u konsiderua si e humbur gjatë Luftës II Botërore. Për këtë arsye u interesova menjëherë pranë Drejtorisë së Musei Capitolini, të cilët më bënë të njohur me skedën e veprës.

Ajo kishte kodin: urn: collectio: 0001: scu: 03358 dhe kishte hyrë në koleksioni­n e muzeut më 28/ 12/ 1979. Ajo që tërhiqte vëmendjen ishte prejardhja e saj nga koleksioni i Barone Aloisi në Villa via Flaminia Antica. Ky fakt sqaronte të gjithë odisenë e veprës, po të dimë se Barone Aloisi ishte emëruar konsull i përgjithsh­ëm i Italisë në Durrës më 1926, duke drejtuar edhe veprimtari­në e SVEA ( Shoqata për Zhvillimin Ekonomik të Shqipërisë). Më 1927, ai u bë edhe drejtor i SVEA, që mbulonte direkt edhe aktiviteti­n e minierës së Selenicës. Nga kjo kuptohet qartë se si stela e luftëtarit në ambientet e drejtorisë së asaj miniere kaloi në koleksioni­n privat të Barone Aloisi, pa asnjë dokument, pa asnjë dëshmi, pa menduar se një ditë këto çështje do të shikoheshi­n ndryshe.

Në funksionin tim të ambasadori­t bëra atëkohë përpjekjet për të nisur procedurën e kthimit të kësaj vepre në atdhe. Së pari duke kërkuar nga Ministria e Jashtme e Italisë, që vepra të zhvendosej nga vendi i ekspozimit në qiell të hapur, ku dëmtohej çdo ditë nga smogu i Romës dhe faktorët atmosferik­ë. Për më tepër që mbishkrimi që shoqëron ekspozimin me tekstin “Të rënëve ushtarakë dhe civilë në misionet internacio­nale për paqen” jo vetëm që nuk përkon me veprën, por historia e rrugës së saj deri në Musei Capitolini do të ishte një ofendim për ta. Duhet të rikujtoj me brengosje se përpjekjet e mia të atëhershme në rrugë zyrtare përmes Ministrisë së Jashtme të Tiranës patën si përgjigje vetëm heshtjen. Pak shpresë kam edhe tani se çështja mund të rihapet nga ministritë e linjës, që janë të angazhuara burracakër­isht në shitjen e pasurisë sonë arkeologji­ke, duke filluar nga perla e saj që është Butrinti. Me këtë rast dua të kujtoj të kundërtën e këtij banditizmi, kur shkencëtar­ë të shquar nga ana shqiptare si prof. Aleks Buda e prof. Selim Islami dhe nga pala italiane, si prof. Adriano La Regina e prof. Giuseppe Nenci, bënë të mundur kthimin në atdhe të Deas së Butrintit. Le të shpresojmë se arsyeja intelektua­le do të mposhtë marrëzinë politike!

 ??  ??
 ??  ?? Stela e Selenicës
Stela e Selenicës

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania