Panorama (Albania)

Presidenti i PE: Mos e humbni shpresën europiane

"Do t'i nxisim shtetet e BE- së për një vendim unanim në favor"

- ARDIT HOXHA

Në vizitën e tij të parë jashtë BE- së, Presidenti i Parlamenti­t Europian, David Sassoli, do të udhëtojë për në Maqedoninë e Veriut.

Vizita në Shkup do të zhvillohet më 4 nëntor. Gjithashtu, mësohet se në Shqipëri, zyrtari i lartë europian ka planifikua­r një udhëtim një muaj më vonë në datat 2- 3 dhjetor. Përpara vizitës në Shkup, Presidenti Sassoli deklaroi se Unioni Europian vijon të jetë në krahë të të dyja vendeve edhe pas përgjigjes negative nga disa vende anëtare në mbledhjen e Këshillit Europian më 18 tetor, për të mos i hapur negociatat për anëtarësim. Sipas Sassolit kjo vizitë e tij në një moment të tillë shërben për t'i inkurajuar të dyja vendet që të vazhdojnë rrugën e reformave të thellë, që tashmë kanë nisur. Italiani, në krye të Parlamenti­t Europian, në fjalën e tij i është drejtuar veçanërish­t të rinjve që të vazhdojnë të shikojnë nga Europa Perëndimor­e. "Vizita në Maqedoninë e Veriut dhe shumë shpejt më pas në Shqipëri, ka një rëndësi të lartë për mua personalis­ht në këtë moment. Ne e dimë që popullsia në të dyja vendet është zhgënjyer shumë nga vendimi i Këshillit për të rënë dakord për hapjen e bisedimeve të pranimit, për shkak të vetos së disa shteteve anëtare. Ne e kuptojmë dhe e ndajmë këtë zhgënjim. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë zbatuar reformat që ne kërkuam prej tyre dhe tani meritojnë të shpërblehe­n për përpjekjet e tyre të jashtëzako­nshme. Për më tepër, dua t'u bëj thirrje qytetarëve dhe veçanërish­t brezit të ri: Mos e humbni shpresën, ju lutemi qëndroni në rrugën europiane. Parlamenti Europian qëndron me ju", ka thënë David Sassoli. Zyrtari i lartë i Bashkimit Europian, që e mori detyrën vetëm pak javë më parë, theksoi në prononcimi­n e tij për mediet se PE dhe institucio­net e tjera të Unionit ishin të gjitha të të njëjtit mendim se negociatat duhej të ishin hapur, si me Shqipërinë, edhe me Maqedoninë e Veriut. "Me shumicë të madhe votash, Parlamenti Europian ka ritheksuar mbështetje­n e tij të plotë për hapjen e negociatav­e të anëtarësim­it me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë një javë më parë. Ne nuk do të heshtim, por i nxisim shtetet e BE të marrin një vendim unanimisht në favor të bisedimeve të pranimit në takimin e ardhshëm. Ndërkohë, ne i inkurajojm­ë të dyja vendet të vazhdojnë në rrugët e tyre të reformës. Jemi të bindur që, përkundër shtyrjes, kjo kohë nuk harxhohet. Reformat e kryera në rrugën e anëtarësim­it të plotë në BE janë në interesin më të mirë të vendeve dhe qytetarëve të tyre dhe do të përfitojë para së gjithash dhe brezi i ri, që meriton një të ardhme më të mirë", theksoi Sassoli. Gjatë vizitës së tij në Shkup, Presidenti i Parlamenti­t Europian, Sassoli, do të takohet me Kryeminist­rin e Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, si dhe Presidenti­n Stevo Pendarovsk­i, me drejtuesit e partive politike parlamenta­re dhe Kryetarin e Parlamenti­t të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferri.

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania