Panorama (Albania)

Trupat turke përplasen me Ushtrinë siriane në kufi

Erdogan shpreh dyshime për garancinë e Rusisë për kurdët

-

Pikërisht atëherë kur dukej se situata në kufirin mes Sirisë dhe Turqisë do të qetësohej pas largimit të të gjithë luftëtarëv­e kurdë nga zona e sigurisë, ka ndodhur një përballje mes trupave turke dhe atyre të qeverisë siriane.

Sipas mediave shtetërore siriane, trupat e ushtrisë siriane u përleshën me forcat turke në afërsi të qytetit kufitar Ras al Ain të mërkurën. Përplasja ndodhi pasi Ankaraja zyrtare tha se rezervonte të drejtën për të filluar një tjetër sulm ndërkufita­r kundër milicisë kurde të YPG. Mediat siriane kanë raportuar se trupat turke po mbanin nën kontroll fshatra në Ras al Ain. Rebelët e mbështetur nga turqit thanë se kishte pasur përleshje të përhershme midis trupave turke dhe siriane ditët e fundit në jug të qytetit, që Turqia e mori nën kontroll pasi largoi kurdët në fillim të këtij muaji. Turqia e nisi ofensivën pas largimit të trupave amerikane nga zona, me vendim të Presidenti­t Donald Trump, pas kërkesës së Ankarasë për të krijuar një zonë sigurie prej 30 km në kufi, duke shtyrë luftëtarët kurdë të YPG të paktën 30 km në jug të kufirit. Pjesë e marrëveshj­es paralele të Turqisë me Rusinë, ishte që trupat siriane të mos lejojnë afrimin e forcave kurde. Në Ankara, Presidenti Erdogan u tha ligjvënësv­e nga Partia e tij AK, se Turqia ka informacio­ne që YPG nuk e ka përfunduar tërheqjen, me gjithë deklaratën nga Rusia të martën, se “pastrimi” i zonës kishte përfunduar. “Megjithëse informacio­ni në duart tona sugjeron që kjo nuk ka pasur sukses në një kuptim të plotë, ne do t’u japim përgjigjen tonë atyre pas vlerësimev­e në terren”, tha ai. Ankaraja e shikon YPG- në si një organizatë terroriste për shkak të lidhjeve të saj me militantët kurdë në Turqinë juglindore dhe synon të krijojë një “zonë të sigurt” në veri të Sirisë duke e “pastruar” nga grupi që e sheh si kërcënim për stabilitet­in e Turqisë. Erdogan tha: “Nëse ne shohim se anëtarët e organizatë­s terroriste nuk janë zhvendosur larg 30 km ose nëse vazhdojnë sulmet, ne rezervojmë të drejtën për të kryer operacioni­n tonë”.

 ??  ?? Një mjet i forcave rebele siriane pranë një buldozeri turk në Ras al Ain
Një mjet i forcave rebele siriane pranë një buldozeri turk në Ras al Ain

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania