Panorama (Albania)

"Përplasja me Zogun e martesa me yllin e kinemasë argjentina­se"

"Përse gruaja më e bukur e Argjentinë­s, Tilda Thamar, zgjodhi të martohej me një burrë 14 vjet më të madh?"

-

- Mos guxo ta përsërisës­h më kurrë këtë gjë, se do të gjesh belanë! Iljazi u largua gjithë mëri. Ishte takuar sërish me Zogun në Kanë të Francës, mbase 20 e ca vite më pas, në një vizitë kortezie, ku, siç shprehej e bija, asnjëri nga të dy nuk e përmendi atë bisedë. Asokohe, Zogu nuk ishte më mbret, ndërsa Iljazi mbante titullin Kont, që, sipas së bijës, ia dha Papa, edhe pse as ajo vetë nuk dinte të thoshte se për çfarë arsyeje. Me titullin Kont gjendet në të gjithë artikujt rreth tij, që dalin në internet. Madje, edhe në disa libra që ka botuar për hipizmin. Po këtë emër, Kont Toptani, mban edhe shala e kalit e krijuar prej tij, që tashmë është një patentë e njohur ndërkombët­are dhe që mund ta gjesh me një kërkim të thjeshtë në "Google".

I mërzitur nga biseda me mbretin, po aq sa nga shuma jo e madhe që mblodhi nga shitja e pasurisë që i takonte nga i ati, Iljazi u ngrit një ditë më herët dhe njoftoi se do të ikte. Nuk e dinte as vetë se ku. Kësaj here kishte me vete një sasi të konsiderue­shme parash dhe për herë të parë nuk hipi në vapor, por mori avionin e linjës Tiranë - Romë. Me sa tha, do të ndalonte ca kohë në Paris, prej nga do të nisej për në Nju Jork, Buenos Aires apo Kenia, ku thoshte se kishte shumë mundësi për biznes. Mori çantën e vogël të veglave të rrojës, i la dajë Aliut shishen e tij të kolonjës, dhe i tha Nonës po atë frazë. - Nigjar, po të ikën vëllai! - Ishalla nuk vonon shumë, - i tha Nona. Daja ishte i bindur që do kthehej shpejt. Herën e fundit kishte ndenjur vetëm dy vjet jashtë.

- Kur të kthehesh, do t'i kem mësuar të gjitha kryeqytete­t e botës, - i tha, duke tundur atlasin që zakonisht përdorte ai. Në dorën tjetër mbante shishen e kolonjës që i bëri dhuratë dhe që daja e përdori deri në fillim të viteve ' 90, duke e mbushur me parfum me një kujdes të veçantë. Iljazi ngriti dorën lart për herë të fundit nga pajtoni që po e çonte në aeroport, në Laprakë. Nuk u kthye më kurrë. Dhe me përjashtim të Lisit, asnjë prej atë afërmve s'e pa më në jetë. Madje, u deshën disa vite derisa mësuan ku ishte dhe çfarë po ndodhte me të. Iljazi nuk dërgoi asnjë letër për së paku 8 vjet. Në vitin 1941, një shqiptar që vinte nga Argjentina, njoftoi familjen se herën e fundit e kishte parë në Buenos Aires, përpara se të nisej prej andej, në 1939- n. Ky ishte informacio­ni i vetëm në vitet e ngarkuara të luftës, derisa në 1947- n postieri trokiti në derën e Nonës me një letër prej tij. Sikur të mos kishte ndodhur asgjë, Iljazi njoftonte se jetonte në Argjentinë, se ishte martuar me një artiste të famshme jo vetëm atje, por edhe në botë, të quajtur Tilda Thamar, 14 vjet më e re sesa ai. Kishte vënë një lloj pasurie pas investimit të parave të sjella nga Shqipëria. Në fund e pyeste se kush ishte gjallë dhe kush kishte vdekur në Shqipëri, si edhe çfarë kishte ngjarë gjatë luftës. Ishte hera e parë që bëhej kurioz për atë që ndodhte në Shqipëri. Pak javë më vonë mbërriti një letër e dytë, ku çuditërish­t tallej me komunizmin dhe që i trembi të gjithë në familje. Në fund të letrës ishin edhe dy fraza frëngjisht nga gruaja e tij e re, e katërta, artistja, sipas tij, e famshme, Tilda Thamar. Tilda Thamar ishte vërtet një artiste e njohur në botë.... Shumë herë e mendoja martesën e saj me Iljazin si një trill shqiptarës­h. Si një nga ato historitë që ne, dhe vendet e vogla në përgjithës­i, i bëjmë të mëdha ose nga hiçi ose nga një detaj fare pa rëndësi. Por në biografinë e saj më të detajuar, martesa me kontin Iljaz Toptani përmendet e plotë. Madje, në disa gjuhë. Nuk arrita ta mësoj dhe askush nuk di ta thotë ku ishin njohur, si? Përse gruaja më e bukur e Argjentinë­s dhe një nga bukuritë e ekranit botëror zgjodhi të martohej me një burrë 14 vjet më të madh? Me një burrë që vinte nga një shtet që s'e njihte kush dhe që nuk kishte asnjë pasuri mbresëlënë­se. Në biografinë e saj shkruhet se martesa ishte e shkurtër. Me gjasë ata erdhën bashkë në Francë, të përzënë nga Evita Peron. Por Franca ishte një botë tjetër, që e joshi Tilda Thamarin më shumë sesa burri që njohu në Buenos Aires dhe që i kishte kaluar të dyzetat ose Europa e ndolli Iljaz Toptanin në një tjetër aventurë, që nuk ia dinte askush dhe që unë e mora vesh, plot 70 vjet më pas. Në fund të viteve ' 40, i ulur vetëm në restoranti­n e hotel "Royal", në Evian, në kufirin mes Francës dhe Zvicrës, dalloi një grup njerëzish që hynë me zhurmë. Ishin të pasionuar pas makinave të epokës, që po bënin ato ditë një tur përmes Europës. Midis tyre një vajzë e re, bionde, shumë e ngjashme me Tilda Thamar dhe Guldenin, gruan e tij të dytë. Vështrimet e tyre u ndeshën dhe pak minuta më vonë, ai e ftoi në vallëzim. Të nesërmen, vajza e re nga Parisi, pinjolle e një familjeje të pasur dhe thuajse 20 vjet më e re se ai, nuk e vijoi turin më tej. Ajo qëndroi në Evian me Iljazin për 5 muaj. Deri ditën që ai e sqaroi se ishte ende i martuar me Tilda Thamar dhe me sa duket, ajo nuk ia fali. Iku në Paris. Pak kohë më vonë, i sapodivorc­uar nga gruaja e katërt, Iljaz Toptani mbërriti në Paris, ku vajza e bukur që kishte njohur, ishte lidhur tashmë me një tjetër. Por jo vetëm kaq, ajo ishte bërë mamaja e një vajze, fryt i pasionit disamujor me Iljazin në Evian. Ishte fëmija i parë dhe i vetëm i tij në jetë. Nuk dihet se si reagoi ndaj gjendjes së re, por gruaja e bukur refuzoi ta braktiste të fejuarin e ri. Atëherë ata dolën të dy përpara noterit dhe ai i njohu vajzës atësinë. I dha mbiemrin Toptani dhe i transferoi titullin Kont. Askush nuk dinte gjë për vajzën e tij në Shqipëri. As Nona, as teta Meti, as njerëz që e kishin takuar nëpër botë. Siç e kam cekur dhe në fillim të librit, në tetor të vitit 2016, në dasmën e Princ Lekës në Pallatin Mbretëror në Tiranë, Skënder Zogu, nipi i mbretit, më tregoi se kishte takuar një konteshë Toptani, e cila e kishte pyetur për familjarët e saj. Duke bërë lidhjen me mua, më tha se ajo ishte diku rrotull dhe bëja mirë ta takoja e ta sqaroja. Nuk e takova dot. Por, ai më tha se vinte nga familja e Refik Toptanit dhe më dha numrin e saj. Kur fola me të dhe ajo më rrëfeu se ishte vajza e Iljazit, nuk po e besoja dot. Mendoja se kishte një ngatërresë, megjithëse ajo ngulmonte në faktin që Refik Toptani ishte gjyshi i saj. I binte që Nona të ishte halla e saj. E lamë të takoheshim në Paris. E pashë vërtet atje, dy vjet më pas. Pa e ditur që ajo do të sillte një ndryshim të madh dhe do të më shtynte për ta shkruar këtë libër. Quhej Kontesha Izabel Toptani, rreth të shtatëdhje­tave. Banonte në qendër të Parisit, në "Avenue Kleber". Kur e takova, siç e kam thënë edhe në fillim, pata një ngërç që s'do ta harroj kurrë. I ngjante aq shumë Nonës sa m'u duk sikur ajo ishte rikthyer në këtë botë për të më bërë një surprizë. Nuk flisja dot. Ca ditë më pas, kur i çova foton e fundit të Nonës, Izabela, u befasua më shumë sesa unë...

- Më la një amanet, - më tregoi ajo. - Mos u kthe në Shqipëri! Më fliste keq për të atin dhe i vetmi person që më përmendi ishte Nigjari. Nuk donte të më tregonte as për motrat dhe as vëllezërit e tjerë. Ikte me muaj e nganjëherë me vite. Shkonte në Bashkimin Sovjetik, më pas në Indi. Pastaj kthehej sërish në Europë, për t'u takuar me pak miq që kishte nga Shqipëria.

- Unë besoj se ai ka qenë agjent i Shërbimit Britanik, - më tha Izabela me sytë që i ndrinin, - bashkë me Ihsan Toptanin. Ata udhëtonin të dy nëpër Europë. Në këto udhëtime, ai njohu gruan e gjashtë dhe të fundit zyrtare të jetës dhe e para moshatare me të. Një konteshë spanjolle, që jetonte në kështjellë­n e saj në Aviles të Spanjës. U martuan dhe diku në mes të viteve ' 50, u vendos atje. Në Spanjë ndodhi çudia. Iljazi qëndroi aty pa lëvizur për 20 vjet. Derisa vdiq në 1976- n.

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania