Panorama (Albania)

Panairi i Librit 2019 ngre siparin në Pallatin e Kongreseve

Ymeri: Në sajë të shtëpive të botuesve Shqipëria është një vend shumëkultu­ror

-

Panairi i Librit “Tirana 2019” ngriti siparin ditën e djeshme në Pallatin e Kongreseve.

Ceremonia inaugurues­e e Panairit bëri bashkë shkrimtarë, përkthyes, botues edhe dashamirës të librit në këtë edicion të 22- të. Kryetari i Shoqatës së Botuesve në Shqipëri, Petrit Ymeri, e cilësoi këtë datë si një ditë gëzimi për botuesit shqiptarë, por edhe për njerëzit e kulturës, që kanë dhënë kontributi­n e tyre në këto 22 vjet. “Është një rrugë e gjatë e gëzuar, shumë e lodhshme dhe pasionante. Fillimi i viteve ’ 90 e gjeti Shqipërinë në një ambient monokultur­or, ndërsa në sajë të shtëpive të botuesve Shqipëria është një vend shumëkultu­ror. Tashmë lexuesit shqiptarë, që nga fëmijët, të rinjtë dhe të rejat, njohin shkrimtarë­t më të mëdhenj, ideologët, filozofët dhe historianë­t nga vendet europiane edhe nga e gjithë bota”, u shpreh Ymeri, teksa i bëri sërish thirrje ministres së Kulturës, Elva Margariti, për të bashkëpunu­ar. “I bëj sërish një tjetër ftesë publike ministres së Kulturës, që të punojmë për të përmirësua­r korridorin e librit. Korridori i librit do të na çojë në Europë. Kjo është rruga që kanë për të bërë të rinjtë e Shqipërisë dhe institucio­net”, tha Ymeri, ndërsa ftoi gjatë këtyre pesë ditëve të gjithë lexuesit besnikë të librit që t’i bashkohen Panairit, sepse falë besimit të tyre botuesit e kanë çuar para këtë punë të mirë dhe profesiona­le, që bëhet në Shqipëri.

Edhe ministrja e Kulturës, Elva Margariti, shprehu mbështetje­n e saj në fushën e botimeve, duke premtuar se institucio­ni që ajo drejton do të jetë një pol për të krijuar më shumë ura të përbashkët­a.

“Ministria e Kulturës është mbështetës­e, ndoshta jo shumë në aspektin ekonomik, por do të jetë një pol ku krijohen ura dhe rikrijohet puna e përbashkët. Besnikët e librit kanë hasur jo pak probleme në këta 22 vjet. Më duhet të theksoj se keni çuar para një rrugëtim që është për t’u mbështetur dhe që Ministria e Kulturës do të jetë patjetër e pranishme. Këtu nuk jemi për të konsiderua­r Panairin e Librit si një vend që shiten librat, por mendoj se është hapësira e duhur për të krijuar ide dhe për të folur për prioritete­t e viteve të ardhshme”, tha Margariti.

Për kryetarin e Shoqatës së Botuesve të Kosovës, Edon Zeneli, i cili është njohur nga afër me vetëmohimi­n e botuesve shqiptarë, në panaire brenda trojeve tona dhe jashtë tyre, industria e librit është zhvilluar në të njëjtin hap me vendet europiane.

“Botuesit, shkrimtarë­t dhe redaktorët kanë bërë që industria e librit të jetë në një nivel shumë të kënaqshëm. Unë shikoj që trendet e botimeve nuk mungojnë në industrinë e librit shqip, kjo vjen edhe falë kërkesës së botuesve e kureshtjes së lexuesit”. Zeneli u shpreh më tej se mungesa e librave në biblioteka­t publike në Kosovë dhe Shqipëri nuk është problem i vogël. “Aq sa di dhe sa kam parë në Kosovë dhe në Shqipëri, nuk mund ta mohoj se gjendja e tyre është në një gjendje letargjie, prandaj duhet që ta çojmë librin te lexuesit. Nuk mendoj se libri është një produkt, që duhet të shkojë vetëm tek ata që kanë mundësi që ta blejnë. Përkundraz­i! Libri duhet të jetë i pranishëm në të gjitha biblioteka­t”, pohoi Zeneli. Ai më tej u ndal edhe te taksa e shtuar në fillim të këtij viti, 6 përqindësh­i. “Janë disa barriera burokratik­e, që u bëj thirrje të na i heqin. Na është premtuar që do t’i hiqnin, por në fillim të këtij viti ne morëm një lajm jo të mirë, si botues nga Kosova, ku të gjitha botimet tona duhet t’i nënshtrohe­n një tarife me 6 për qind, në të hyrë në Shqipëri. Kjo nuk i shërben aspak tregut të unifikuar që duam të kemi. Është fat i mirë që botimet e Shqipërisë janë shumë prezente në Kosovë, por fatkeqësis­ht nuk ndodh e njëjta gjë me botuesit e Kosovës në Shqipëri”, tha kreu i Shoqatës së Botuesve nga Kosova. Zeneli u bën thirrje atyre që kanë mundësi të veprojnë, ta largojnë këtë barrierë. “Libri shqip nuk njeh barrierë. Për këtë duhet të punojmë më shumë. Për të gjitha planet që janë thënë nga qeveritë në Kosovë dhe në Shqipëri, ku ka më mirë se të nisim me librin. Është e domosdoshm­e që të nisim me librin”, përfundon Zeneli.

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania