Panorama (Albania)

Vrau kunatën, i qetë në gjyq: Kishim debate prej kohësh

Çapoku u paraqit i qetë para Gjykatës ku pranoi krimin, por tha se nuk e mbante mend se si kishte ndodhur ngjarja me detaje

- BLEONA METUSHI

I qetë dhe i braktisur nga familjarët, autori i dyshuar i vrasjes në Paskuqan katër ditë më parë, Erdet Çapoku, u përball me akuzat dhe masën e sigurisë "Arrest në burg" pa afat.

Çapoku doli para Gjykatës së Tiranës për vlerësimin e arrestimit, ndërsa pranoi akuzën e ngritur nga Prokuroria. I riu akuzohet për "Vrasje për shkak të marrëdhëni­eve familjare" dhe në rast të shpalljes fajtor, rrezikon dënimin me burgim të përjetshëm. Duke iu referuar dosjes, mbrëmjen e 9 janarit, Erdet Çapoku, pasi kishte konsumuar alkool, ka shkuar në banesën e kunatës, bashkëshor­tes së vëllait dhe e ka goditur atë me mjete të ftohta duke i shkaktuar vdekjen e menjëhersh­me. Ndërkohë që para gjyqtarit, Çapoku ka pranuar krimin duke thënë se nuk e mbante mend konkretish­t si kishte ndodhur ngjarja dhe se ata kanë pasur debate prej kohësh.

DËSHMIA Në seancën e zhvilluar me dyer të mbyllura për shkak të kërkesës së Prokuroris­ë, Erdet Çapoku nuk ka folur gjatë, por pranoi krimin e kryer. Shkak sipas tij është bërë fakti që ata nuk e pranonin në Shtëpi. "Unë nuk e mbaj mend ngjarjen me detaje. Prej kohësh kemi pasur debate, pasi unë kam investuar dhe ata nuk më kanë pranuar në shtëpi", mësohet të ketë thënë autori i dyshuar i vrasjes së Enkeleda Çapokut, nënë e një vajze 18- vjeçare. Në seancë, avokati Maringlen Meta kërkoi nga Gjykata të vlerësonte të ligjshëm arrestimin e Çapokut, por të caktonte për të "Arrest në burg" për 30 ditë dhe të bëhej një akt ekspertimi për shëndetin e tij mendor. Kërkesa e mbrojtjes nuk u pranua nga Gjykata.

VENDIMI I arrestuari e dëgjoi në këmbë vendimin e gjyqtarit dhe ky i fundit u shpreh se nga shqyrtimi i çështjes kishte prova të mjaftueshm­e që të çonin në fajësinë e tij. "Duke iu referuar rrezikshmë­risë së veprës penale dhe rrezikshmë­risë së personit, kërkesa e Prokuroris­ë për caktimin e masës së sigurisë ' Arrest në burg' është e drejtë dhe duhet pranuar", tha gjyqtari Lazer Sallaku.

PROKURORIA Sipas hetimeve të kryera, rezulton se mes viktimës dhe autorit të dyshuar kishte pasur një konflikt, për të cilin ka qenë në dijeni edhe bashkëshor­ti i Enkeledës, që aktualisht ndodhet në burg për trafik droge. Këtë fakt e ka pohuar kunati tjetër i viktimës, Ervin Çapoku, i cili është marrë në pyetje. Ai ka deklaruar se në fund të dhjetorit është takuar në burg me vëllain e tij, bashkëshor­tin e viktimës, dhe ky i fundit i ka kërkuar që t'i fliste vëllait tjetër, autorit të dyshuar, pasi kishte frikë se mos bënte ndonjë skandal. Edhe më herët, Enkeleda Çapoku kishte denoncuar në Polici vëllain e burrit, pasi në shtator të këtij viti ai e kishte kërcënuar. E duket se disa muaj më pas, Erdet Çapoku do të bënte atë që të gjithë po i druheshin. Rreth mesnatës së 9 janarit, ai ka shkuar i dehur në banesën e kunatës dhe pasi ka goditur mamanë e saj, ka qëlluar në fytyrë dhe pjesë të trupit Enkeledën në sy të vajzës së saj, duke e lënë të vdekur në vend.

VIKTIMA Duke iu referuar aktekspert­imit të trupit të viktimës, mësohet se ajo ka marrë një plagë në anën e majtë të hundës poshtë, duke e ndërprerë hundën në dy pjesë tejpërtej, me drejtim nga ana e majtë në të djathtë duke përfunduar me një gërvishtje në skajin e jashtëm të syrit. Gjithashtu, Enkeleda ka marrë një plagë në anën e majtë të sipërme të gjoksit. "Plaga ka vendosje horizontal­e në trajtë të një trekëndësh­i me bazë nga ana e majtë, e cila ka përmasa 1.2 cm, ndërsa maja është nga ana e majtë e trekëndësh­it me kënd të ngushtë të mprehtë. Plaga ka gjatësi 5 cm, buzë të rregullta, të cilat janë spostuar 1.5 cm. Barku poshtë gjoksit paraqet një plagë në kuadratin e poshtëm të majtë, e cila ka trajtë trekëndësh me vendosje horizontal­e, me bazë djathtas. Në shpinë, në anën e djathë, vërehet një gërvishtje me përmasa 0.6 - 0.5 cm. Ka një plagë në krahun e majtë, me vendosje horizontal­e. Dëmtime të tjera nuk u vërejtën në trupin e shtetases Enkeleda Çapoku", thuhet në dosje.

 ??  ?? Viktima Enkeleda Çapoku
Viktima Enkeleda Çapoku
 ??  ?? Erdet Çapoku në Gjykatë
Erdet Çapoku në Gjykatë

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania