Panorama (Albania)

“Martesa me Enverin, s’erdhi të më marrë, u nisa me një pajton të rrjepur”

“Vajta në shtëpinë e Enverit pa dhëndrin. Ky, jo vetëm nuk erdhi të më marrë, por as në shtëpi nuk më priti”

-

Pas festimeve të Nëntorit, në muajin dhjetor të vitit 1944, Enver Hoxha me Qeverinë u vendosën në zyra në Hotel “Dajti”. Aty e filloi punën si Kryeminist­ër, me mbledhje dhe takime pune, me marrjen e vendimeve të para dhe të domosdoshm­e, derisa u bënë gati zyrat e institucio­neve të reja shtetërore.

Edhe populli, pa dallim, të moshuar e të rinj, u përfshinë në punë dhe në aksione për heqjen e rrënojave të luftës, për pastrimin dhe rregullimi­n e qyteteve. Në ditët dhe muajt që pasuan, gjithnjë e më shumë rriteshin gëzimi dhe entuziazmi popullor në Tiranë dhe në të gjithë vendin për çlirimin e plotë të atdheut. Të mëdhenj e të vegjël punonin dhe këndonin ku t’u jepej mundësia, gëzonin dhe këndonin, brohorisni­n dhe mbanin në gojë ata që bënë luftën, dëshmorët dhe heronjtë dhe, pa dyshim, Komandanti­n e lavdishëm Enver Hoxha. I bashkuar në Frontin Demokratik, i tërë populli përveshi krahët dhe, ashtu si në luftë, u ngrit i tëri në këmbë për rindërtimi­n e vendit, për ndërtimin e jetës së re.

Nga fundi i dhjetorit të vitit 1944 u gjend për ne një shtëpi banimi, e cila kishte qenë e një inxhinieri italian, Belotit. Ajo ishte bosh, pasi inxhinieri i kishte hequr të gjitha mobiliet dhe pajisjet nga vila dhe i kishte lënë për ruajtje te një miku i tij, një tregtar nga Korça. Enverit i pëlqeu kjo ndërtesë, ngaqë ajo mund të shërbente jo vetëm për banim, por mund të përdorej edhe për pritje zyrtare dhe për mbledhje të ndryshme pune, pasi kishte një sallon të ndarë me xham. Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare i mori në dorëzim mobiliet dhe pasi u inventariz­uan si pronë shtetërore, ato u kthyen në shtëpi dhe u vunë në vendet e tyre.

Vila kishte katër dhoma në katin e sipërm, ndërsa në katin e parë kishte një sallon, një dhomë buke dhe një dhomë shërbimi, e cila lidhej me shkallët, që të çonin në katin gjysmëpërd­hes, ku ishte kuzhina dhe mjedise të tjera shtëpiake. Enveri mori aty prindërit dhe motrën të bashkëjeto­nin me ne. Në shtëpinë përdhese mbeti motra e mesme, Haxhireja, me tre jetimët e saj ( burrin ia kishin vrarë në dyqanin e tij, në Berat). Meqë nuk kishte me se të jetonte, e morëm edhe atë në shtëpi, me gjithë fëmijët. Enveri mori edhe vajzën e xhaxhait, Zylon e Baba Çenit, ndaj të cilit mendonte se kishte detyrime për atë që kishte bërë ai për edukimin e tij, si patriot dhe i mësuar që ishte.

Meqë në 3- 4 vitet e para pas çlirimit mbledhjet e Byrosë Politike bëheshin në shtëpinë tonë natën, ishte pak vështirë për familjen tonë të gjerë. Në dhomën më të madhe flinin gratë dhe fëmijët; në një dhomë të vogël flinte babai i Enverit. Ndërsa Enveri kishte në përdorim vetjak vetëm dhomën e gjumit dhe paradhomën e saj, të cilën e përdori si studio, ku priste dhe zhvillonte edhe takime pune me shokët. Në dhomën tjetër flinin nëna dhe motrat e Enverit, ndërsa një dhomë e vogël përdorej si bibliotekë. Kjo gjendje vazhdoi gati 2 vjet, derisa pjesëtarët e familjes së Enverit u zhvendosën në një shtëpi ngjitur me tonën.

Pas mobilimit të shtëpisë, unë dhe Enveri vendosëm që natën e Vitit të Ri të bënim martesën zyrtare. Njoftuam për këtë familjet tona. Të dyja palët u befasuan dhe thanë: “Dale një herë, si kështu?! Nuk jemi gati”. Ne u shpjeguam se nuk duam asgjë, madje u thamë as dasmë nuk do të bëjmë. Në fakt, prindërit tanë kishin të drejtë, sepse atyre u erdhi më në fund rasti të martonin djalin e vetëm dhe ata të mitë, vajzën e vetme. Prandaj ngulën këmbë në të tyren, madje, duke thënë se duhej bërë dyfish dasmë, meqë shpëtuat gjallë nga lufta. Por Enveri refuzoi, duke u thënë se në luftë ranë shumë shokë e shoqe, të rinj si ne, prandaj nuk na bën zemra të bëjmë dasmë. Familjarët nuk e zgjatën dhe pranuan dasmën tonë partizane. Megjithatë, diçka bënë. Kështu, nuk shpëtuam nga një lloj dasme, si gjysmë popullore, gjysmë partizane, e cila mund të them se për të dy ne qe dhe disi komike.

Unë nuk ua prisha qejfin as vjehrrës, as kunatave dhe as familjes sime, që merreshin vesh shumë mirë si krushq dhe u gatita si nuse pasditen e 31 dhjetorit. Në shtëpinë e babit erdhën nga familja e Enverit të marrin ‘ nusen’. Krushqit qenë vetëm dy motrat e Enverit, Fahrija dhe Sanoja. I pritëm me përzemërsi dhe i qerasëm me disa lloje ëmbëlsiras­h, sipas zakonit. Qeshëm shumë kur ato na treguan se ç’u kishte punuar Enveri: “I kërkuam makinën, po nuk na e dha. Thamë, po tani si t’ia bëjmë? U detyruam të marrim një pajton të vjetër… Ja kështu na e punoi Enveri yt, moj Verë…”

Më në fund erdhi çasti të iknim, për mua qenë momente tepër emocionues­e, që nuk i kisha parashikua­r. Kjo lloj ikjeje dhe ndarjeje nga prindërit dhe nga shtëpia ime e vogël më shkaktoi emocione të forta dhe më la disa mbresa të çuditshme. Po ikte ‘ nusja partizane’ nga shtëpia, veshur me një xhaketë stofi ushtarak, që më kishte shërbyer edhe si pallto. Dhe aty jashtë, në krye të rrugicës… ‘ nusen e Kryeminist­rit’ po e priste një kalë kockë e lëkurë dhe një pajton shkatarraq, i rrjepur, nga ato të kohës së babaqemos.

Kështu vajta në shtëpinë e Enverit, pa dhëndrin. Ky, jo vetëm nuk erdhi të më marrë, por as në shtëpi nuk më priti. Kishte shkuar në zyrë! Më pritën nëna dhe babai i Enverit, motra tjetër dhe fëmijët e saj. Ata më dhanë disa dhurata. Edhe unë u dhashë vjehrrit, vjehrrës e kunatave disa peshqeshe, që nëna ime ua dërgoi sipas zakoneve të kohës. Pra, dashur pa dashur nuk shpëtova pa ceremoni, megjithatë “dasma” jonë nuk pati këngë dhe valle. Sidoqoftë, ajo natë e Vitit të Ri 1945 kaloi me gaz e me të qeshura. Ajo qe dhe mbeti për mua një natë e paharruar, jo vetëm si nata e një Viti të Ri, por edhe nata e parë e jetës sime të re.

Të nesërmen, siç e kishim vendosur, bëmë celebrimin zyrtar të martesës sonë. Për këtë, Enveri i kishte dërguar një kërkesë me shkrim Komitetit Ekzekutiv, i cili solli dy nëpunëse të gjendjes civile. U bë edhe aty një ceremoni e vogël, ku morën pjesë dy miqtë e ngushtë të Enverit, dr. Omer Nishani dhe Baba Faja Martaneshi, që kishin ardhur të na uronin Vitin e Ri. Ata pranuan me kënaqësi të jenë dëshmitarë të lidhjes sonë martesore. Që nga ajo kohë, dr. Nishani me humorin e tij të njohur më thërriste ‘ nusja e Enverit’.

Më 1 dhe 2 janar na erdhën për vizitë urimi për Vitin e Ri dhe për martesën tonë shokë të Byrosë Politike, si Mehmeti me Fiqiretin, Hysniu, Vitoja, Nakoja dhe disa të tjerë. Mbaj mend që na erdhi edhe një ‘ delegacion’ i papritur, i vetorganiz­uar, dibranësh. Ishin bërë bashkë një grup kushërinjs­h nga ana e babait tim, si dhe ndonjë dibran tjetër. Bëheshin 6- 7 veta. I udhëhiqte kushëriri i babait, Mersin Qyflaku, i cili qe njohur me Enverin kur ky, nga baza ku ishte strehuar, te Xhamia e Zajmit, kaloi nëpër oborrin e shtëpisë së tij për t’i hipur një veture, që do ta çonte në Pezë. Në grupin e ardhur bënte pjesë edhe një nga drejtuesit e Komuniteti­t Mysliman, të cilit nuk ia mbaj mend emrin, por që ishte dibran. Më i paprituri për mua në këtë grupi ishte Zija Dibra, kushëri i babait nga nëna e tij. Ishte vëllai i Fuat Dibrës, pikërisht atij që u zgjodh regjent bashkë me Mehdi Frashërin, Lef Nosin e Patër Anton Harapin gjatë pushtimit gjerman. Ja pra, tani na vinte në shtëpi vëllai i regjentit për të na uruar për çlirimin e Shqipërisë dhe për martesën tonë! Por as unë, as Enveri s’e bëmë veten. E trajtuam Zija Dibrën si të tjerët. Ai nuk ishte marrë me politikë, ishte përpjekur të mbante në këmbë kapitalin e familjes. Por edhe ai falimentoi në ekonomi, si i vëllai në politikë.

Mbaj mend që në shtypin e kohës u shkrua se Enveri kishte bërë një martesë politike, duke u lidhur me një vajzë nga Veriu.

Kuptohet, në atë kohë as që nuk mund të bëhej fjalë për “muaj mjalti”. Ne mezi u mblodhëm të jetonim bashkë dhe të kishim një çati ku të fusnim kokën. Gjithashtu, na prisnin punët që kishim përpara.

Pas mobilimit të shtëpisë, unë dhe Enveri vendosëm që natën e Vitit të Ri të bënim martesën zyrtare. Njoftuam për këtë familjet tona. Të dyja palët u befasuan dhe thanë: “Dale një herë, si kështu?! Nuk jemi gati”. Ne u shpjeguam se nuk duam asgjë, madje u thamë as dasmë nuk do të bëjmë. Në fakt, prindërit tanë kishin të drejtë, sepse atyre u erdhi më në fund rasti të martonin djalin e vetëm dhe ata të mitë, vajzën e vetme.

 ??  ??
 ??  ?? Enver Hoxha, përpara një stende me fotografi të Qemal Stafës
Enver Hoxha, përpara një stende me fotografi të Qemal Stafës

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania