Pensionistët e huaj përjashtohen nga taksat
Kushtet që duhet të plotësohen për të përfituar
Parlamenti ka zyrtarizuar dje nismën e Ministrisë së Diasporës, për përjashtimin nga tatimi mbi të ardhurat për shtetasit e huaj dhe shtetasit e huaj me origjinë shqiptare që përfitojnë pension, si kusht lehtësues për vendqëndrimin në vendin tonë. Akti normativ është miratuar gjatë seancës së djeshme parlamentare, ndërkohë që nuk kanë munguar edhe zërat kritikë mbi efektet e kësaj nisme ligjore që synon të tërheqë pensionistët. Nga ana tjetër, si iniciues i këtij ndryshimi ligjor, ministri i Diasporës, Pandeli Majko, e cilësoi këtë hap me rëndësi për të mbërritur te vendimi final për njohjen e pensioneve. Kusht për heqjen e tatimit është leja e qëndrimit në Shqipëri apo pajisja me nënshtetësinë shqiptare. Ndërkohë që përjashtim nga tatimi mbi të ardhurat përfitojnë edhe shtetasit me origjinë shqiptare, që marrin pension nga një vend i huaj, por që jetojnë në Shqipëri, duke përfshirë edhe emigrantët. “Për të përfituar nga përjashtimi nga tatimi mbi të ardhurat, personat përfitues duhet të plotësojnë kushtet e mëposhtme: a) Të jenë përfitues të pensionit sipas legjislacionit në fuqi në vendet ku e kanë përfituar atë; b) Të jenë pajisur me leje qëndrimi në territorin e Republikës së Shqipërisë; c) Të mos kenë qenë ndonjëherë të dënuar në shtetin e vet apo në Republikën e Shqipërisë ose në ndonjë shtet tjetër për vepra penale, për të cilat ligji parashikon dënime me jo më pak se 3 vjet heqje lirie; ç) Të kenë marrë përgjigje pozitive nga struktura përgjegjëse administrative për përjashtim nga tatimi mbi të ardhurat personale të përfitimit të pensionit”, thuhet në vendimin e ri. Kjo nismë pritet të ndikojë në rritjen e lëvizjes së shtetasve të huaj në drejtim të Shqipërisë, forcimin e lidhjeve të shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë me vendin e origjinës, rritjen e kërkesës për shërbime në nivel vendor, zhvillim të ofertës për shërbime, kujdes e turizëm.