Panorama (Albania)

Vdiq në burgun francez, familja hap dyert e mortit: Djalin e kanë masakruar

Rukije Rexha: Në trup ka dëmtime të shumta, autoritete­t franceze na thanë se u vetëvra në qeli, ishte arrestuar për djegie makinash

-

Mentor Rexha, 36 vjeç, nga Lezha dhe me banim në Shkodër, është shqiptari që u gjet i pajetë pak ditë më parë në një burg të Francës.

Autoritete­t franceze iu kanë thënë familjarëv­e se Mentor Rexha është vetëvrarë, por, në fakt, familja Rexha, që gjendet në Shkodër, mendon ndryshe. Nëna e Mentorit, e cila ka hapur edhe dyert e mortit, Rukije Rexha, ka dyshime të forta se djali i saj nuk është vetëvrarë, por dikush e ka vrarë brenda në burg dhe atyre nuk u është thënë e vërteta. Trupi i pajetë ndodhet ende në Francë, ndërsa atje, nga Shkodra, ka shkuar motra dhe vëllai i viktimës për të mësuar më shumë se çfarë ka ndodhur dhe për t'u interesuar për të sjellë trupin e pajetë në Shkodër. Nëna e viktimës, në një intervistë të dhënë për media, kërkon drejtësi dhe zbardhjen e plotë të vrasjes së djalit të saj, duke pretenduar se ai është vrarë brenda në burg dhe nuk është aspak e vërtetë, sipas saj, se ka kryer vetëvrasje. Nëna kërkon gjithashtu që trupi i pajetë të sillet sa më parë drejt Shkodrës dhe këtë ta mundësojë shteti shqiptar, duke qenë se gjendja ekonomike e familjes Rexha në Shkodër është tejet e dobët. Mentor Rexha prej 6 muajsh ndodhej në një burg në Francë, i dyshuar për djegien e disa makinave bashkë me disa shokë të tij, dyshime që nëna e tij i hedh sërish poshtë. Kanë qenë shokët e tij ata që kanë lajmëruar familjen për vrasjen dhe askush tjetër nga autoritete­t nuk kanë kontaktuar për t'i thënë familjes Rexha se Mentor Rexha ka ndërruar jetë.

Si e keni marrë vesh lajmin për ndarjen nga jeta të djalit tuaj?

Sa i përket tragjedisë që ka ndodhur në familjen tonë, ne lajmin për ndarjen nga jeta të djalit tim e kemi marrë vesh vetëm nëpërmjet shokëve të tij dhe askujt tjetër. Djalin ma kanë vrarë dhe asnjë njoftim nuk na kanë sjellë. Nuk kemi marrë asnjë njoftim se çfarë ka ndodhur. Djali im nuk është vetëvarur, por e kanë vrarë brenda në burg. Djali është me shenja dhune në gjithë trupin dhe e ka parë motra e vet, pra, vajza ime dhe e ka gjetur të dëmtuar në gjithë trupin.

Pas sa kohësh keni mësuar për vdekjen e djalit tuaj?

E kemi marrë vesh shumë vonë, pasi ka shkuar vajza ime në Francë dhe pasi na ka lajmëruar shoku i tij, me të cilin ka qëndruar në burg dhe kanë ngrënë bukë bashkë. Djali kishte një vit në Francë dhe ka shkuar për një jetë më të mirë, si të gjithë të rinjtë që shkojnë në emigrim.

Cila është arsyeja që djali juaj është arrestuar në Francë?

Ata dyshojnë se djali im me shokë ka djegur makina në Francë. Në një kohë kur ka qenë duke folur me të vëllanë në telefon, Policia e ka kapur djalin tim dhe të tjerët, por, në fakt, ai nuk ka pasur faj dhe nuk është i përfshirë për atë që akuzohet. I kanë futur brenda.

Autoritete­t franceze janë shprehur se djali juaj është vetëvarur, ju si mendoni?

Ata thonë ashtu, por, në fakt, nuk është e vërtetë. Djalin ma kanë vrarë brenda në burg se i kemi parë shenjat.

Prej sa kohësh është në burg?

Djali ishte 6 muaj që qëndronte në burg që nga momenti i arrestimit.

Keni komunikuar më të gjatë kohës kur ishte në burg?

Po, kemi komunikuar disa herë, krejt normalisht. Na ka kontaktuar shpesh dhe kemi folur gjatë kohës kur ishte në burg.

Ju ka shprehur ndonjë shqetësim ose problem që mund të ketë pasur?

Jo, jo. Ka folur me ne, me djalin tjetër dhe asnjëherë nuk na ka thënë për ndonjë shqetësim apo problem. Javën që shkoi ka folur me djalin tjetër, por edhe me të motrën dhe që nga ai moment nuk kemi komunikuar më.

Cili është apeli juaj për shtetin shqiptar?

Unë kërkoj drejtësi për të zbardhur të plotë vrasjen e djalit tim. I lutem shumë ministrit, Kryeminist­rit, që, nëse kanë vetë fëmijë, të na e sjellin trupin e djalit tim në shtëpi. Gjithë që na kanë thënë, janë shprehur se djalin e kanë vrarë brenda në burg. Kryeminist­rit i bëj thirrje të veçantë që të bëjnë çmos dhe të na e sjellin djalin këtu tek shtëpia.

Djali dhe vajza juaj ndodhen në Francë aktualisht dhe kanë shkuar për këtë rast të rëndë. Çfarë ju kanë thënë ata?

Vajzën kanë dashur që ta bëjnë të firmosë pa e parë trupin e djalit dhe ndoshta ajo do kishte firmosur edhe për një tjetër, por ka kërkuar që të futet brenda dhe është e futur dhe më pas e ka njohur trupin dhe ka thënë ky është vëllai im sepse kanë dashur që ta bëjnë që të firmosë për tjetër person. Djalin e kanë nxirë në gjithë trupin sepse e ka parë ajo dhe ka kuptuar gjithçka dhe ka kudo shenja dhune, prandaj kërkoj drejtësi.

 ??  ?? Viktima, Mentor Rexha
Viktima, Mentor Rexha
 ??  ?? Shenjat e dhunës në trupin e Mentor Rexhës
Shenjat e dhunës në trupin e Mentor Rexhës
 ??  ?? Nëna e Mentorit
Nëna e Mentorit

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania