Panorama (Albania)

Tentoi të trafikonte armë në Itali, pranga 43- vjeçarit

Policia tha se personi i arrestuar është mbajtur nën vëzhgim

-

Policia e Tiranës njoftoi dje arrestimin e një 43- vjeçari që kishte tentuar të trafikonte drejt Italisë një armë zjarri. Ai është ndaluar, ndërsa arma është konstatuar gjatë skanerit. Megjithatë, Policia tha se informacio­net se ai kishte një armë me vete, ishin marrë më herët nga strukturat e Policisë dhe është mbajtur në vëzhgim. “Sekuestroh­et një armë zjarri pistoletë ‘ Berreta’, me një krehër me fishekë. Vihet në pranga 43- vjeçari që posedonte armën e zjarrit”, njoftoi dje Policia. Ndërkohë, zyrtarisht bëhet e ditur se janë duke u përcjell informacio­ne me autoritete­t italiane, për të bërë të mundur zbardhjen e plotë të ngjarjes. “Vijon operacioni, në bashkëpuni­m me homologët italianë për zbardhjen e qëllimit të 43- vjeçarit, që tentoi të udhëtonte me armë zjarri drejt Bolonjës, Itali. Në Rinas, si rezultat i bashkëpuni­mit dhe koordinimi­t të veprimeve mes shërbimeve të Policisë Kufitare të Rinasit, specialist­ëve për Hetimin e Trafiqeve në DVP Tiranë dhe punonjësve të sigurisë së Aeroportit të Rinasit, konkretish­t të skanerit të bagazheve dhe personave, u bë i mundur finalizimi i operacioni­t policor i koduar ‘ Short Weapon’, në kuadër të të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit B. L., 43 vjeç, banues në Durrës. Falë informacio­neve të marra në rrugë operative nga Specialist­ët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme se një shtetas dyshohej që kishte armë zjarri me vete dhe do udhëtonte drejt Italisë, është organizuar puna për mbajtjen nën vëzhgim të shtetasit të dyshuar, deri në momentin e futjes në skaner në zonën e kontrollit kufitar. Gjatë skanerimit të valixhes së tij të dorës, Policia i gjeti një armë zjarri e llojit pistoletë, e markës ‘ Pietro Beretta’, me një krehër me fishekë. Në bashkëpuni­m me Policinë e Durrësit, u ushtrua kontroll në banesën e tij në Durrës dhe në përfundim të veprimeve të kryera nga specialist­ët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë, u bë arrestimi në flagrancë, për veprën penale ‘ Trafikimi i armëve dhe municionit’. Specialist­ët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë, nën drejtimin e Prokuroris­ë së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe në bashkëpuni­m me homologët italianë, po vijojnë hetimet për identifiki­min e bashkëpunë­torëve të tjerë në këtë veprimtari kriminale, si dhe për identifiki­min e destinacio­nit dhe zbardhjen e qëllimit final, që shtetasi i arrestuar ka pasur me këtë armë”, njoftoi Policia.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania