Panorama (Albania)

Ngritja e Gjykatës së Lartë, kandidatët të njëjtin plan për zgjidhjen e dosjeve stok

Vendimet unifikuese dhe ndarja e dosjeve në grupe shihen si zgjidhja e stokut në Gjykatën e Lartë, që ka shkuar në 35 mijë e 23 dosje

-

Tre kandidatët që do të zënë një vend në Gjykatën e Lartë, dhanë dje zgjidhje të mundshme për shqyrtimin e numrit të lartë të dosjeve në këtë Gjykatë.

Statistika­t e fundit flasin për një shifër prej 35 mijë e 23 dosje të mbërritura dhe që presin të shqyrtohen, ndërsa brenda një muaji pritet që Gjykata e Lartë të plotësohet me 3 anëtarë. Këshilli i Lartë Gjyqësor intervisto­i dje 3 kandidatët që do të zënë një vend në Gjykatën e Lartë dhe brenda 10 ditësh emrat do të dërgohen në Presidencë për të bërë emërimet. Teksa u pyetën nga anëtarë të KLGJsë në lidhje me mënyrën se si mund të përballohe­j numri i lartë i dosjeve, tre kandidatët dhanë pothuajse të njëjtën zgjidhje të mundshme, duke iu referuar dhe rolit të ri që, sipas tyre, i kanë dhënë ndryshimet ligjore të vitit 2016 Gjykatës së Lartë. Kjo "gjykatë duhet të jetë gjykatë ligji dhe jo provash", tha drejtuesi i Shkollës së Magjistrat­urës, Sokol Sadushaj. Ndërsa më tej edhe dy kandidatët Ilir Panda dhe Ervin Pupe argumentua­n se vendimet unifikuese, pilote, do të mund t'u jepnin zgjidhje disa dosjeve njëherësh. Sipas juristëve, Gjykata e Lartë duhet të japë vendime unifikuese dhe interpreti­mi i tyre të jetë i njëjtë dhe për gjykatat e tjera. Kjo do të zgjidhte shumë çështje. Teksa pranuan që numri i lartë i proceseve në këtë Gjykatën e Lartë është shqetësues, ata pranuan që ky problem nuk ka ardhur vetëm nga shkrirja, por edhe për arsye të tjera që lidhen me rekurse të panumërta, e "abuziv". "Në gjykatën e Lartë mund të krijohet një seksion që të analizojë një grup çështjesh. Nëse çështjet grupohen, Gjykata e Lartë mund të japë vendime pilote. Kjo është një punë që mund të bëhet edhe me ndihmën e KLGJ. Ky grup që do ndihmojë në selektimin e këtyre dosjeve mund të jetë edhe i përkohshëm. Unë kam bindjen që shumë rekurse janë abuzivë. Mundet që në këtë pikë gjykata të jetë më aktive", tha pedagogu i së Drejtës Civile, Ervin Pupe. Edhe kandidati Ilir Panda në fjalën e tij tha se duhet të ketë disa kritere që të bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë dhe vendimet e saj duhet të jenë detyruese për Gjykatat më të ulëta dhe palët në proces. "Mendoj që përmes veprimtari­së së saj, Gjykata e Lartë të bindë palët pjesëmarrë­se, që për të shkuar te rekursi, duhet t'u mbushet mendja të gjithë anëtarëve që çështjet kanë rëndësi të madhe", tha Panda. Ndërkohë, në përfundim të mbledhjes së djeshme, KLGJ bëri pikëzimin e tre kandidatëv­e pas procesit të përzgjedhj­es. "Në përfundim të seancës dëgjimore, Këshilli miratoi vlerësimin, pikëzimin dhe renditjen e kandidatëv­e, duke i propozuar Presidenti­t të Republikës emërimin në Gjykatën e Lartë, nga radhët e juristëve të spikatur si më poshtë: Sokol Sadushaj propozohet të emërohet në pozicionin në fushën e së Drejtës Administra­tive, me 87 pikë; Ervin Pupe propozohet të emërohet në pozicionin në fushën e së Drejtës Civile me 84 pikë; Ilir Panda propozohet të emërohet në pozicionin në fushën e së Drejtës Penale, me 86 pikë", njoftoi dje KLGJ.

Nëse çështjet grupohen, Gjykata e Lartë mund të japë vendime pilote. Kjo është një punë që mund të bëhet edhe me ndihmën e KLGJ. Ky grup që do ndihmojë në selektimin e këtyre dosjeve mund të jetë edhe i përkohshëm

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania