Panorama (Albania)

Nga fëmijët te të moshuarit, fundjava i gjen të gjithë nëpër parqe dhe plazhe

-

Edhe kjo fundjavë që lamë pas ishte vendosur nga qeveria që të ishte nën një regjim të rreptë mbylljeje dhe daljet do duhej të ishin me orar dhe për kategori të caktuara. Kështu, sipas udhëzimit të Komitetit Teknik të ekspertëve për menaxhimin e pandemisë, nga ora 08: 00 deri në orën 10: 00 ishte fasha orare, kur pensionist­ët mund të dilnin nga shtëpia dhe t'i gëzoheshin diellit e temperatur­ave të larta. Pas tyre, me një orë pushim nga shtëpitë do mund të dilnin prindërit me fëmijët deri në orën 17: 30. Por këto fasha orare, për fundjavën që lamë pas, mbetën në letër, pasi parqet, sheshet qendrore të të gjitha qyteteve në vend ishin të tejmbushur­a nga orët e para të mëngjesit dhe deri vonë në mbrëmje. Nga

Tirana, e deri në qytetet më të vogla, duket se karantina këtë fundjavë nuk u respektua siç ishte bërë në fundjavat paraardhës­e. Por nuk ishin vetëm parqet, rrugët dhe sheshet që u mbushën me qytetarë gjatë kësaj fundjave, përkundër udhëzimit që kishte vendosur qeveria, pasi edhe plazhet nuk ishin më pak të frekuentua­ra. Duke përfituar nga temperatur­at e larta dhe dielli ndjellës, ishin të shumtë të rinjtë që çelën sezonin e plazhit. Por për këta të fundit, frekuentim­i i detit dhe marrja e rrezeve në plazh u kthye në aventurë, pasi në disa raste pati raportime të efektivëve të Policisë që ndërhynin, duke iu kërkuar që të largoheshi­n, pasi plazhi është një aktivitet që me vendim qeverie, nuk lejohet ende. Duke pritur që nga kjo javë të lirohet qarkullimi ndërqytetë­s dhe hapja e bareve dhe restorante­ve, pritshmëri­a e qeverisë dhe e qytetarëve është se fundjava që kaluam të ketë qenë e fundit me masa shtrëngues­e qarkullimi dhe dalje nga shtëpia.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania