Panorama (Albania)

Ceka kujton betejat e Velos nga Teatri te stadiumi mostër

“Një pushtet që synon të grabisë edhe Maksin e fjalën e lirë”

- NERITAN CEKA

“Të gjithë cilësonin njeriun që luftonte për lirinë. Por kundër kujt dhe për çfarë?” Arkeologu Neritan Ceka flet “pa doreza” për betejat që Maks Velo ndërmori sa qe gjallë në mbrojtje të interesave të komuniteti­t. Ai sjell në vëmendje, ndër të tjera, mbrojtjen që i bëri Teatrit Kombëtar dhe “kundërshti­min e tij për ndërtimin e monstrës arkitekton­ike me emrin stadiumi ‘ Air Albania’”

Mora vesh vdekjen e Maksit. Çfarë trishtimi… ( nga një “Facebook” zyrtar) Më befasoi shfaqja e papritur e një dokumentar­i kushtuar Maks Velos, në një nga mediat private mbrëmjen e 7 majit, shoqëruar me një kordele të zezë në anën e djathtë të ekranit. Nuk desha të besoja se ishte në të vërtetë një homazh për vdekjen e tij, të një të njohuri që prisja ta shihja, kur të mbaronte ngujimi i Covid- 19, atje në këndin e përhershëm, të radhës së parë të Akademisë së Arteve në koncertin e orkestrës së Radiotelev­izionit apo në shfaqjet e përzgjedhu­ra të teatrove të Tiranës e të TOB. Them një të njohuri, sepse Maksin e kam pasur më shumë të njohur, se sa mik, ashtu siç e skalit me shumë art e dhembje në shkrimin e tij një i njohur/ mik shumë më i afërt i tij, poeti dhe bashkëvuaj­tësi i Spaçit, Visar Zhiti. Me të vërtetë Maksi nuk bëhej mik i askujt, sikur e konsideron­te këtë një humbje të integritet­it të tij, të ndërgjegje­s për të qenë mik i të gjithëve përmes krijimit arkitekton­ik, pikturës dhe, më shumë akoma, fjalës së lirë. Ishte një misionar i shpirtit të lirë njerëzor, që e shprehte këtë me të gjitha mjetet e mundshme, që nga mënyra si vishej e ecte, nga raporti fizik që ndërtonte me ata që kishte pranë, nga gjestet që shoqëronin bisedat e veta dhe, në mënyrë më pak publike, me krijimet e tij artistike. Një arkitekt, një artist, një tribun që do të na mungojë. Natyrisht jo të gjithëve, por atyre që kanë nevojë të lexojnë diçka që nuk mund ta shkruajnë vetë, të shohin diçka që nuk mund ta krijojnë vetë dhe të dëgjojnë diçka që e ndjejnë, por nuk mund ta shprehin vetë. N ga kjo rrjedh edhe shumëllojs­hmëria e lamtumirav­e që ju dha Maksit përmes fjalimeve të shkurtra dhe shkrimeve të gjata. Të gjithë cilësonin njeriun që luftonte për lirinë. Por kundër kujt dhe për çfarë? A është kjo një alibi? A mund të ndërtohet një alibi ndaj një njeriu që ndërron jetë, por që kalon në një dimension tjetër, duke vazhduar të na vëzhgojë e gjykojë nga shkrimet, pikturat dhe veprat arkitekton­ike të tij? Mund të anashkaloh­et lufta e tij për mbrojtjen e Teatrit, jo vetëm si vepër arkitekton­ike, por si një monument që mishëron rrugën e gjatë e të shkëlqyer të Teatrit Kombëtar shqiptar. Po kundërshti­mi për ndërtimin e monstrës arkitekton­ike me emrin stadiumi “Air Albania”, që shkatërron me përmasat dhe ngjyrat e tij kompleksin monumental të sheshit “Nënë Tereza”, monument kulture? Po diskutimi i tij me rastin e dekorimit ( pas vdekjes!) të arkitektit Petraq Kolevica, në mbrojtje të autorësisë së veprave të arkitektëv­e shqiptarë, por edhe të promovimit të tyre në ndërtimin e fizionomis­ë së re të kryeqyteti­t?

Në përgjigje të këtyre pyetjeve, m’u kujtua poezia “Ndëshkimi” e Viktor Hygoit, ideja se njeriu nuk ndëshkohet në të gjallë të tij. Ashtu dhe Maksi nuk u thye nga mosvlerësi­mi i talentit gjatë regjimit komunist, nga djegia e krijimeve të tij artistike, nga burgimi i padrejtë, nga mosmarrja në konsiderat­ë e përvojës së tij nga pushtetet politike. Hygoi na mëson se njeriu ndëshkohet nga antiteza e jetës së tij, kur të ndryshmit e talentit të tij, të përkushtim­it publik, të patriotizm­it të heshtur, mundohen ta përvetësoj­në personalit­etin e tij, ta shpallin të pazëvendës­ueshëm, të mbajnë fjalime para arkivolit të tij. Jam i sigurt se Maksi i librave, pikturave, projekteve do të ishte dridhur, njëlloj si Napoleoni në varrin e tij të mermertë në Invalides të Parisit. Maksin që nuk mundën ta heshtnin të gjallë etër dhe bij, e vendosën vetëm të vdekur në asimetrinë e tërë jetës së tij, atje ku e kishin përndjekur, mohuar, përbuzur, të mbyllur në një arkivol në një sallë të pushtetit, me kurora hipokrizie, me nëpunës të përzgjedhu­r, të lajmëruar personalis­ht, në heshtjen mortore, që shprehte një gëzim po kaq të heshtur: një kundërshta­r më pak!

Ky është skenari “estetik” i një pushteti të restaurimi­t, në se do t’i referohemi përsëri periudhës së ngjashme, që ndëshkoi figurën e Napoleonit. E një pushteti që ka ripërtërir­ë kundërvëni­en e Spaçit ndaj intelektua­lëve, të cilët paraqesin një rrezik të përhershëm ndaj arrogancës, arbitrarit­etit dhe gjithë veseve, që garantojnë atë pushtet. Një pushtet që i kundërvë talentit, përvojës, origjinali­tetit dhe përkushtim­it të Maksit e kolegëve të tij arkitektë shqiptarë, “studion franceze” për zhvillimin urbanistik kaotik të Tiranës, “studion holandeze” për projektin e Teatrit Kombëtar si një qendër tregtare periferike, “studion italiane” për monstrat arkitekton­ike të “velierës” së Durrësit, kullës “arkivol”, apo qendrës tregtare me emër stadium kombëtar. Një pushtet që synon të grabisë gjithçka, veçanërish­t Maksin dhe fjalën e lirë të tij.

Çfarë trishtimi…

 ??  ?? Neritan Ceka
Neritan Ceka

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania