Reja: Do t'i kërkoj Kryeministrit të hapë fluturimet për mua
Trajneri i Shqipërisë, Edi Reja, tregon se i mungon shumë vendi jonë, për shkak të karantinës dhe bllokimit të transportit ajaror, si pasojë e pandemisë së koronavirusit. Italiani 74vjeçar nënvizon se ka mbetur i surprizuar nga kuzhina shqiptare dhe se i mungon qyteti i Durrësit, ndërsa shton se në veçanti i mungon menyja e peshkut.
Karantina - Trajneri i kuqezinjve ka shpjeguar jetesën me gruan e tij, zënkat, si dhe ka treguar si është përshtatur me teknologjinë në këtë periudhë kur komunikimi me anë të rrjeteve sociale është bërë thelbësor. "Më duket sikur jam kthyer në Shqipëri. Po më mungon Shqipëria dhe bari i fushës së lojës. Fatmirësisht jemi të gjithë mirë dhe rrimë të mbyllur brenda. Unë kam dy muaj që rri vetëm në shtëpi me gruan time. Përgjithësisht grindemi. Mirëpo, këtë periudhë jemi grindur vetëm njëherë. Është një mrekulli ( qesh...). Pra, po qëndroj prej kohësh vetëm me një person tjetër. Vajza rri në një qytet tjetër në Itali dhe flasim vetëm nëpërmjet rrjeteve sociale. Kjo është një mënyrë e të jetuarit ndryshe, teksa të gjithë rrinë në telefon dhe punojnë në kompjuter. Unë nuk jam tip i rrjeteve sociale, por i komunikimit të drejtpërdrejtë. Pra më mungon fjala, nuk mund të flas vetëm me gruan time. Kontakti me lojtarët dhe drejtuesit më mungon shumë. Më mungon shumë Shqipëria, më mungon
Durrësi dhe ushqimi. Më pëlqen peshku shqiptar, që ishte një surprizë për mua. Ka restorante të shkëlqyera, nuk e kisha menduar që mund të gjeja atë lloj ushqimi", deklaroi trajneri i Kombëtares në emisionin "Miqtë e Hipokratit" në "Top Channel".
Kombëtarja - Reja ka shpjeguar se çfarë këshillash ka dhënë për futbollistët kuqezinj, për këtë periudhë karantine për të gjithë. "Kam folur javën e kaluar me 30- 40 lojtarë të Kombëtares dhe u kam thënë që të ruajnë formën fizike. Disa kanë biçikletën në shtëpi dhe mund të punojnë, por gjithashtu i këshilloj që të ngjisin shkallët ku banojnë. Është një ushtrim i mirë", ka vijuar italiani.
Futbolli shqiptar - Edi Reja, me stafin e tij teknik, ka marrë përsipër që të drejtojë të gjithë lëvizjen futbollistike shqiptare, teksa është shprehur shpesh se kërkon që kampionati ynë ta gjejë veten sa më shumë të përfaqësuar në ekipet kombëtare. "Shpresoj që të rinisë futbolli, pasi ka një numër të vogël të të infektuarve. Kur ka nisur në Itali, atëherë duhet të nisë edhe në Shqipëri. Nëse bëhet me kushtet e duhura dhe me masat e nevojshme, pasi virusi nuk është shaka, atëherë duhet të rinisë. Kur do të kthehem në Shqipëri? Të nesërmen pasi të hapet kufiri. Duhet të afrohemi pak më shumë edhe me Federatën për të nisur projektin e së ardhmes. Tani do t'i them edhe Ramës që të hapë të paktën udhëtimet nga Venecia ( qesh...)", deklaroi trajneri i Kombëtares, Edi Reja.