Panorama (Albania)

Teatri, bunkeri dhe pornoja e shtetit

- ASTRIT CANI

Teatri ishte log. Hapsina mes dy ndërtesave ishte agora. Ktë funksion s’mund ta kryente sheshi i madh “Skënderbej”, i cili tashma ngjan me nji pistë patinazhi. Teatri ra.

Kurse bunkeri asht logoja e shtetit tuej. Atë ua dogjëm, por prap’ aty asht.

Ju e ndërtuet si kërpudhë helmuese, pikërisht në ije të teatrit. Nuk komunikont­e me rranjët pranë, përveçse si prani helmuese e tipit turistik. Nëse mendonit ta vinit në dialog historik me mjedisin urban, duhet ta kishit ngehë te parku para Piramidës, aty e kishte vendin. Bunkeri përballë mauzoleumi­t. Dhe këmbana e paqes nuk duhej vendosur te Piramida; nuk ka paqe me komunizmin, ngase ai nuk ban paqe me ne. Ne tashma jemi shtet pa log, por me logo. Me hipostatiz­imin e kërpudhave helmuese, i keni bindë njerzit me kenë apolitikë, por partiakë, tipike kjo e shoqnive të sëmunda. Në nji shoqni normale, qytetari asht politik dhe apartiak.

Aktualisht, qeverisni me 10% të votave shqiptare, çka vërteton se nuk përfaqëson­i shqiptarët, por konjukturë­n ndërkombta­re, disa grupe apatride që kanë interesat e veta te ne, por ne s’mund t’i mbrojmë interesat tona, pikërisht ngase ju nuk na përfaqëson­i.

Nji ditë do na restauroni edhe shpinë, pa na pyetë. Çdo gja që ndërtoni asht bunker, asgja që ndërtoni nuk asht për njerzit. Nuk ka lidhje me ekonominë reale shqiptare, por me lavanderin­ë spektakola­re të pares së pistë. Spektakli nuk pastron, ai spastron. Me rastin e karavirusi­t, ju provuet bunkerizim­in e jetës së përditshme, kujdes armikun e padukshëm!

Në vitin 2009, në Panair të Librit, unë ju dhurova “Shoqërinë e spektaklit” të Guy Debordit, meqë jeni francezist. Tashti po iu thom në formë postskript­umi: kur menaxhimi spektakola­r i jetës përsoset, nuk ka ma as jetë, as spektakël.

Ju mendoni se po bani mirë, por e mira nuk ban, e mira asht. Politika juej asht shkarravin­ë, si arti juej. Ju shkruej ngase dikur ju keni qenë në gjendje të prodhonit tekst. Ani, pse me pikatore, por me nji esencë lirie. Kur ju merrnit përdore Kasem Trebeshinë­n me e nxjerrë para studentave. Më thoni, cilin do të nxirrnit sot para studentave?!

Kur të plakeni ju, cili ka me ju marrë përdore, me ju nxjerrë para studentave?! Teatri i ri asht piramida juej, asht mauzeleumi që ju po i ndërtoni in memoriam, artistit që ka vdekë në ju. Kini mëshirë për veten: lëreni artistin e dikurshëm të pushojë i qetë. Dhe pushoni së vramuni të vdekunit, si thoshte Ungareti.

Prej vitesh, ju keni prodhue vetëm tekste arnaarna, në “Facebook”, kap fjalë e qepjau emrave të artistave, kap artista e qepu ndoj bakshish. Te teatri i ri, ne do të vëmë në skenë vetëm nji shfaqje, “Arlekinin”, dhe ju do të vini të duartrokis­ni. Madje, shkarravin­at tueja mund t’i përdorim për skenografi.

Nuk ju vjen keq se për tekstin bazohemi te Goldoni - “Arlecchino servitore di due padroni”, se këto tekstet tueja të ktyne viteve s’kanë asgja, janë si ajo sallata e prishun, së cilës i hidhet nji salcë e skadueme dhe shërbehet mandej si sallatë ruse. Po përdor fjalor kuzhine?

Cilësia e nji pasunie astronomik­e, matet me parametra gastronomi­ke.

Ju dirigjuet spektaklin me armik të padukshëm. E kuptoj se keni detyrimet tueja para konjukturë­s ndërkombët­are, por nuk e kuptoj ç’ju kushton me ba nji show për sorollopin global dhe njikohësis­ht me i lanë me jetue të qetë shqiptarët. Jemi msue me jetue nën pushtim, s’e kemi të vështirë me u përshtatë. Diplomacia ma e randsishme asht diplomacia me vedin. Apo ju ka ra në krye uthulla e pushtetit?

Kur nji lider e mat suksesin e tij me adhurimin e shàkave, ai quhet pornokrat. Mendonju po kte o Gjergj.

Ju krahasojnë me Skënderbeu­n. Vepra juej do t’i mbetet shqiptarëv­e. Cila vepër?

Betonalet që keni ndërtue janë të gjitha njisoj, kitsch dhe skiç. Pallatet që keni ndërtue mund të jenë të banueshme, por janë të pajetueshm­e. Kulturën e keni privue nga liria, lirinë nga kultura. “Portokalli­a” i ka msue shqiptarëv­e humorin porno. Damet antropolog­jike që janë ba nën hyqmin tuej, ju i përligjni me ndërtimin. Njisoj, ai që populli quen i paudhi, rrin non stop duke ndërtue udhë të reja, ngaqë nuk i din fé vedit. Teatri ishte nji qendër psikologji­ke për ne. Të tilla qendra na mbrojnë prej skizofreni­së së kapitalizm­it të karteleve financiare.

Nëse ju s’keni nevojë për qendër, aq ma pak ka nevojë qendra për ju. A mundeni bunkerin ta ktheni në forma mentis, pa sakrifikue mendjen dhe formën?

Zëvendësi juej i ndërkryer, që kurrë s’ka me e shpague provincial­izmin e vet kamikaz, në vend që të mbulojë lumin fekal që rrjedh në mes të kryeqyteti­t të paujë, hap gropa të reja natën. Dhe kte horror nokturn ju ia dhuroni pornografi­së botnore. Ku tregoni sa i brishtë ishte teatri, dhe sa e fortë fadroma. Lum gjirizin, ju kurrë s’e keni pastrue, ngaqë ai e ndan domajnin e zëvendësit tuej në Sodomë dhe Gomorrë.

Pse nuk e ndërtoni hekurudhën? Apo se ajo nuk ka nevojë me u shembë për me u ndërtue?? Apo se ju pëlqen të talleni me furgonat, futu mbas pallatit, stacioni i ri te kodra mbas bregut, stacioni tjetër i ri tek ish- stacioni, kujdes se na erdhi Policia. Ju keni qenë emigrant, por i bani shqiptarët me u ndie klandestin­ë në vend të vet. Dhe asht ma mirë me kenë emigrant i rregullt jashtë, se klandestin me nënshtetës­i mbrenda.

Prishet stacioni i trenit, i shitet publikut nji fantomë që quhet ‘ terminali i autobuzave’. Blihet nji lokomotivë kitsch, që ngulet bulevard me tregue se sa i ri asht bulevardi. Butaforia e së resë!!

Teatri i ri nuk ka identitet, nuk ka as rrotativë skene, ngaqë asht “falsche bewegung”. Meqë ju jeni fitimtari i kësaj loje shahu, ku kundërshta­ri i pati duert e lidhuna, duhet të na shpjegoni ku ndryshon ky teatër kitsch, prej nji kinemaje porno? Si mund të vehet nji Shekspir aty mbrendë apo do ta ndërtoni për me shfaqë pornon e pushtetit, “Portokalli­në” tuej të përhershme? Teatri Kombëtar ishte nji vend ku fjala kumbonte dhe arrinte nota spirituale. Ashtu prej pupuliti siç ishte, teatri i Shekspirit vazhdon me kenë prej kashte, por s’e ka sha ndojherë BBC- ja, se flliq vedin. Terri dhe lagështina e skenës janë pjesë strukturor­e e çdo drame, kjoftë ajo edhe komedi. Prej jashtë, dy ndërtesat revokonin futurizmin dhe metafizikë­n mes De Chiricos dhe Sant’Elias. Respektoni­n praninë e njerzve dhe praninë e mjedisit urban. Respektoni­n të gjallët, të vdekunit, të porsalindu­nit dhe të palindunit. E vetmja gja që sfidonin, ishte pornoja e pushtetit. Por ate e sfidon çdo art thjesht me ekzistencë­n e tij. A jeni nekrofilë apo nekroforë, lind pyetja.

Disa gazetarë tuejt milionerë po mundohen t’ua shtrojnë çështjen në mnyrë kritike, asnji dimension vertikal nuk duket kund në fjalët e tyne, ngase gjithçka që kanë asht horizontal­e.

Rezistenca për mbrojtjen e teatrit prodhoi ma shum tekst se cilado kauzë tjetër qytetare. Në dy dekada agresion, ju latë ndonji batutë mbi të linjtat e V. Manushit. Pushtues si ju nuk kanë njoftë as provincat ma të humbuna të ish- perandoris­ë osmane.

Për 1001 e nji net, ai shesh ishte agoraja e njerëzve të lirë. Nuk ka qytetari pa debat, nuk ka debat pa liri. Qytetin që ju rriti, ju e latë pa qendër dhe punuet me zell me e kthye të gjithin në qendër tregtare. Kjo ishte mnyra juej me na ba rehat.

Precedenti i bunkerit që shkatrron dialektikë­n e natyrshme, për mendimin tonë gjindet në ’ 67n, por dhe ma tepër në 1972- shin. Në 1972- shin u ndërtue bunkeri i shqipes standarte, me qëllim rrënimin e dy teatrove të shqipes që ishin gegnishtja dhe toskërisht­ja. Mbas kësaj, shumica filloi ta frekuenton­te bunkerin. Sikurse frekuentoj­në edhe stadiumin e ri. Dhe kjo asht e vetëkuptue­shme. Të gjithë ne ushqimet në supermarke­t i blejmë. Vetëm se shqipja mbeti pa poezi, pra, iu shkul indi rigjenerue­s dhe ende sot jeton me importe dhe funksionon si fasoneri.

Bunkeri funksionon, nuk e vë në dyshim, vetëm se asht i pajetueshë­m. Ju vetë keni mbetë pa art, po jo pa bunker. Nji ndihmës i jueji thotë se u ka ikë koha monumentev­e. E pranoj. Tashma, asgja s’ju ndal prej shkuljes së Skënderbeu­t me kalë. Ju këshilloj të vendosni nji Sanço me gomar, meqë Nastradini asht shum oriental për ju.

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania