Panorama (Albania)

Gudar Beqiraj, promotor i rilindjes së Shqipërisë

-

“Gjej kohë të jesh mik, është rruga e lumturisë”.

Mu kujtua kjo frazë e ëmbël e Nënë Terezës kur mora vesh lajmin e papritur të ndarjes nga jeta të mikut të dashur prof. Gudar Beqiraj, që më preku e më mbushi plot me dhimbje e hidhërim. Nuk është hera e parë që përkujtoj lidhjen e miqësisë, respektin e dashurinë që kam mësuar të ushqej për popullin shqiptar e për njerëzit e mrekullues­hëm që kanë kontribuar për zhvillimin e saj të jashtëzako­nshëm.

Nuk do të harroj mikun tim Gudar Beqiraj, ashtu siç i kam në zemër ing. Tonin Palokën, rektorin e Universite­tit të Bujqësisë prof. Velesin Peçulin e shumë të tjerë që me angazhimin, kulturën e vullnetin e tyre të fortë e kanë bërë Shqipërinë gjithmonë e më stabile, më të emancipuar e më të sigurt në institucio­net e saj, aq sa tashmë e ka gjetur më në fund vendin e saj të qëndrueshë­m mes kombeve të tjera. Ky zhvillim, që ndjek me interes qysh nga fillimi i demokracis­ë, ma bën Shqipërinë më të afërt e më të dashur, e më bën të ndihem më përgjegjës për ta mbështetur edhe në të ardhmen, më lehtëson dhimbjen për humbjen e miqve të dashur.

Miqësi të tilla nuk mund të jenë të rastit, janë prirje që ndërtohen e konsolidoh­en me kalimin e kohës. Janë persona për të cilët Shqipëria duhet të jetë krenare e që në periudhën e vështirë të tranzicion­it kanë garantuar me angazhimin e tyre zhvillimin, demokracin­ë, rritjen e brezave të rinj, mirëqenien e arsimimin. Dashurinë për vendin, ata e kanë shprehur duke i ndenjur afër popullit të tyre e në mënyrë të veçantë të rinjve, studentëve, të cilëve i kanë dedikuar energjitë e tyre më të mira.

Shkëmbimi midis nesh dhe kombeve tona ka qenë i pasur dhe i vazhdueshë­m: nga njëra anë, unë mora pjesë natyrshëm në jetën shqiptare e nga ana tjetër profesor Beqiraj ka thelluar njohuritë e tij për inovacioni­n e për botën e prodhimit italian, në mënyrë të veçantë për prodhimin tonë të elektropom­pave për ujë. Me rastin e 40- vjetorit të kompanisë sonë në fabrikën e Veronës, kuriozitet­i i tij prej shkencëtar­i ishte tërhequr fort nga teknologji­a e prodhimeve dhe nga ndërmarrja jonë. Por kujtimi im është më shumë se një episod i vetëm.

Gjatë tridhjetë viteve të marrëdhëni­eve me Shqipërinë, kam mundur të sjell mbështetje­n time në fusha të ndryshme, nga kultura deri te shtypi e te besimi popullor. Aktivitete­t tona të përbashkët­a nisin nga Tirana e kalojnë në Prishtinë, në Lezhë, në Shkodër deri në Cërmjan- Gjakovë në Kosovë e Tetovë në Maqedoni me mbështetje­n e shumë ndërmjetës­uesve të njohur e njerëz të mirë, ndër të cilët prof. Beqiraj zinte një vend të veçantë. Fryma e tij shkencore, falë së cilës hyra në kontakt me fakultetet e Universite­tit të Tiranës, të Inxhinieri­së, të Bujqësisë, por edhe me studentët e gjuhëve të huaja e të letërsisë, kishte krijuar mes nesh një marrëdhëni­e aq të veçantë, sa që më solli te tempulli i kulturës shqiptare, Akademia e Shkencave.

Ndër kujtimet e mia më të shtrenjta ruaj vlerësimet që Shqipëria më ka dhënë, e, atë që kam marrë falë miqësisë sonë, është i paharruari “Nderi i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë” në 2012. Atë ditë të Tiranës do ta kujtoj gjithmonë për thjeshtësi­në, sinqeritet­in e seriozitet­in e treguar nga miku Gudar. Ndërkaq, kujtoj se nuk kam marrë asnjëherë nga një institucio­n shkencor i huaj kaq shumë vëmendje, siç ishte dokumentar­i i dedikuar aktiviteti­t të ndërmarrje­s sime, kjo vetëm për meritën e tij.

Autoriteti e tij në fusha të ndryshme na bëri miq të veçantë: zakonisht presidentë­t e akademive nëpër botë janë mbi të gjitha shkencëtar­ë të zgjuar, ekspertë në sektorin e tyre, por Gudar Beqiraj ishte shumë më tepër. Nuk më përket mua të kujtoj aftësitë e tij, por unë kam njohur akademikun që ishte edhe matematika­n, informatik­un, gjeologun e aftë të mineraleve: të gjitha këto cilësi që e kanë bërë të njohur edhe jashtë kufijve të Shqipërisë: në Francë, në Republikën çeke, e në Itali në Romë. Për mos me fol për sportin: sportist i nivelit kombëtar, president i Federatës Shqiptare të Peshëngrit­jes, zëvendëspr­esident i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, gjyqtar ndërkombët­ar në sportin e peshëngrit­jes, po dhe gazetar sportiv, duke kontribuar në progresin e sportit shqiptar.

Gudar Beqiraj nuk mburrej, por unë e kam mësuar historinë e tij nga miqtë dhe gazetarët me të cilët bashkëpuno­nte, i shtyrë nga pasioni dhe shpirti patriotik, që ndau me intelektua­lët e tjerë. Është pikërisht shpirti atdhetar që e ka bërë një mbrojtës të papërkulur të sportistëv­e, si kampionët olimpikë e botërorë Pirro Dhima apo Luan Shabani, të lindur e të formuar në Shqipëri, por që kanë gjetur suksesin e përbotshëm në Greqi: një lloj globalizim­i sportiv që tashmë nuk ka kufi.

Duke kujtuar të gjitha këto, kuptohet me të vërtetë pasioni e universali­teti i kësaj figure qendrore për shkencën dhe për shoqërinë shqiptare në periudhën e vështirë të djeshme dhe një risorsë për Shqipërinë demokratik­e të sotme. Njëherë mu afrua bashkë me një gazetar e më shpjegoi që kishte filluar të shkruante falë tij. Gazetari uli kokën për modesti, por miku i tij Gudar vazhdoi ta falënderon­te me zë të ulët, i vendosur të shprehte mirënjohje­n e tij të sinqertë.

Dëshiroj ta mbyll duke thënë që në episode të tilla, gjejmë forcën e pafundme të një shoqërie të sinqertë, që i bën personat e tillë të paharruar për trashëgimi­në profesiona­le që i lënë Atdheut e për humanizmin e thellë të karakterit të tyre. Është për këtë që profesori i paharruar Gudar Beqiraj, miku im Gudar, do të qëndrojë gjithmonë me mua. Sepse të mirat e realizuara nga një njeri jetojnë në kujtimin e tij e shtohen në atë që merr vendin e tij; e mund të jemi të sigurt që rruga e prof. Beqirajt do të ndiqet nga shumë të tjerë, për të mirën e shqiptarëv­e e të një Shqipërie që ka gjetur përfundimi­sht vendin e saj të qëndrueshë­m në mes kombeve të tjera.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania