Panorama (Albania)

Protestë, protestë, protestë

- BESNIK MUSTAFAJ

TeatriKomb­ëtar u shemb. Gërmadhën e tij e kemi në qendër të Tiranës si varr...

i freskët. Unë nuk jam nga ata që besojnë se ai mund të ringrihet siç ka qenë, dhe aty ku ka qenë, edhe pse një punë e tillë është ende e mundur dhe do të më pëlqente shumë të ndodhte. Nuk mendoj, po ashtu, se duhet të vazhdojmë ta vajtojmë pa fund. Kjo nuk do të kishte asnjë dobi. Vetëm do t’i jepte raste të reja Edi Ramës të tallej, siç u tall edhe herën e fundit në aulën e Parlamenti­t të Republikës, kur shpalli se, po, Teatri do të bëhet krejt siç ka qenë, por diku tjetër ( projektin e kemi, tha ai) dhe do të shërbejë si teatër kukullash. Seancën tjetër plenare të Parlamenti­t, ai, me siguri, do të gjejë një variant tjetër talljeje për këtë temë. Sepse i tillë është Kryeminist­ri ynë. Çdo mospajtim të një pjese të opinionit publik me vendimet e tij ai e përfton si sfidë, mbi të cilën duhet triumfuar jo përmes argumentev­e, siç janë rregullat e lojës në demokraci, por përmes dhunës së pushtetit dhe mandej të mundurit duhen poshtëruar deri në fund që të mos ngrenë kurrë më krye.

Në qoftë se nuk mund të shpresojmë se Teatri do të ringrihet ashtu siç ka qenë, dhe aty ku ka qenë, në qoftë se nuk ka dobi as ta vajtojmë të dekurajuar si një humbje të pakthyeshm­e, atëherë çfarë duhet të bëjmë? Të kthehemi për të rënë në gjunjë si bij plëngprish­ës përpara Babës ( siç ai e ka dekretuar veten tashmë)? Jo. Ka një rrugë, që ne ta mbajmë lart e ta çojmë përpara frymën e krijuar nga kauza e Teatrit. Fjala është për atë pjesë të kësaj fryme, e cila shkon përtej mbrojtjes së një objekti, qoftë ky edhe me rëndësi kulturore dhe simbolikë historike të veçantë, siç ishte Teatri Kombëtar. Nisur sidomos nga fakti që qëndresa zgjati më shumë se dy vjet e gjysmë, duke dalë jashtë çdo parashikim­i të Kryeminist­rit Rama, do të kisha thënë se “Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit”, si strumbulla­r i kësaj qëndrese, ka arritur të mbjellë në shoqërinë tonë, sidomos në Tiranë, frymën e vazhdimësi­së në mospajtimi­n me politikën e keqe qeverisëse. Në këto tridhjetë vjet nuk e kemi parë në asnjë rast tjetër një cilësi të tillë, e cila, nëse provohet në javët e në muajt e ardhshëm, do të shënonte pa dyshim një pjekuri të re, civilizues­e, të opinionit tonë publik.

Po flitet gjithnjë e më shumë se “Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit” do të shndërrohe­t në lëvizje të re politike. Madje, kolegu Mentor Kikia, duke cituar një burim pranë qeverisë, shprehej së fundmi në një shkrim me njëfarë sigurie të shtuar se një akt i tillë është në përgatitje. Edhe mund të ndodhë. Nuk është çudi dhe as nuk shoh ndonjë gjë të keqe. Por dy nga figurat më të zëshme dhe më koherente të kësaj Aleance gjatë kësaj periudhe, Elona Caslli dhe Edmond Budina, secili veç e veç dhe në rrugë të ndryshme mediatike, kanë pohuar publikisht se nuk do të bëheshin pjesë e një lëvizjeje të tillë politike. Të tjera deklarata nuk kam parë. Nga ana tjetër, Robert Budina, në një dalje të fundit publike, duke bërë një sintezë të dy protestave të organizuar­a në Shkodër dhe Kukës, tha se “do të kthehemi në Tiranë me një protestë politike, por jo partiake”. Kur flas për provat e reja, që duhet të kalojë fryma e re e mospajtimi­t me politikën e keqe të qeverisë, krijuar gjatë periudhës në mbrojtje të Teatrit, nuk e kam aspak fjalën për themelimin e një lëvizjeje të re politike. E kam vetëm për vazhdimin e protestave, të cilat, ashtu siç u shpreh Robert Budina, duhet të jenë doemos politike, por jo partiake. Në gjykimin tim, protestat e tilla nuk janë aspak rivale me protestat që mund dhe duhet të organizojn­ë pa humbur kohë partitë e opozitës. Dhe nuk ka asgjë të keqe pse një pjesë e madhe e pjesëmarrë­sve do të jenë në shesh edhe për njërën protestë, edhe për tjetrën.

Mbetem i bindur se opinionit tonë publik i mungon në një masë të ndjeshme vetëdija për forcën e vet, gjë që nuk do të thotë aspak se kjo shoqëri nuk ka sy për ta vënë re të keqen. Parë më në hollësi, kjo vetëdije i mungon individit, i cili, në një mjedis të lirë është me sovranitet të plotë në themel të shoqërisë. Pra, edhe individi shqiptar, më duket mua, e sheh mjaft qartë të keqen publike të mishëruar të përfaqësue­sit e tij në qeverisjen e vendit. Për t’u bindur për këtë realitet mjafton të hedhësh një sy të shpejtë në rrjetet sociale. Të rrallë janë ata që shprehen të kënaqur me vendimet apo me sjelljet publike të Edi Ramës dhe të ministrave të tij. Nuk po them aspak se kjo mori e madhe individësh të pakënaqur me qeverinë janë mbështetës të opozitës. Në rrjetet sociale vërshon çdo ditë një lumë vërejtjesh, kritikash, madje edhe sharjesh po ashtu për opozitën dhe kryetarin e saj, Lulzim Basha. Por, ndryshe nga ç‘ ndodh në një shoqëri të civilizuar, substancia­lisht moderne, kjo mori e panumërues­hme individësh të pakënaqur me qeverinë apo edhe me politikën në përgjithës­i shihet pak dhe në mënyrë sporadike në rrugë e në sheshe. Ndërkohë që historia e vendeve të zhvilluara, qoftë në Europë, apo edhe në Amerikë, na mëson mjaftueshë­m se vetëm protesta në rrugë e në sheshe ka fuqi për ta mbajtur elitën politike në shina, duke u bërë kështu vërtet faktor vendimtar për progresin e vendit.

Në gjykimin tim, pra, shoqëria e sotme shqiptare ka nevojë jetike të kalojë nëpër shkollën e protestave, të cilat duhet të jenë të gjera, horizontal­e dhe të vazhdueshm­e. Pakënaqësi­a duhet të shpërthejë për ta pushtuar qytetin, në kuptimin që i jep Platoni kësaj fjale. Vetëm përmes protestës do të mund ta hedhim poshtë me përbuzje stigmën që na kanë vënë të tjerët, madje edhe miqtë, por që edhe ne ia themi shpesh vetes plot pezëm se kemi qeverinë që meritojmë. Apo qoftë edhe opozitën që meritojmë. Unë vetë kam shkuar dhe do të shkoj në çdolloj proteste, pavarësish­t kush e thërret, sa herë kam pasur e të kem mundësi, me bindjen qytetare se protestën ua kam borxh fëmijëve të mi. Vetëm duke kaluar përmes shkollës së protestës së tillë, të vendosur, pa kompromis me të keqen, individi shqiptar e rrjedhimis­ht edhe grupi, ku ai bën pjesë, do të mund të gjykojë me kthjelltës­i kur thirrjet për protestë apo edhe për miting i bën një parti, e cila, përveç kriticizmi­t të natyrshëm, del edhe me një program politik, si dhe me njerëzit që do ta realizojnë këtë program nesër, kur ai të shndërrohe­t në program qeverisës. Shkolla e protestës, si kjo që propozon “Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit” apo edhe cilado strukturë tjetër e shoqërisë civile, e mëson individin jo vetëm të mos pajtohet me të keqen publike, por edhe ta gjejë veten pa u gabuar si mbështetës apo qoftë edhe si votues në peizazhin e propozimev­e nga partitë. Përfitimi më i thjeshtë që ka demokracia në këtë rast është se një votues i regjur nëpër protesta, të paktën votën nuk e shet dhe as nuk lejon t’ia vjedhin. Do të jetë turp kombëtar të përsëritet ajo që ndodhi në zgjedhjet e vitit 2017, kur votuesit shqiptarë i dhanë besimin një njeriu, i cili shëtiste fshat më fshat e qytet më qytet si një kloun cirku, duke u kërkuar njerëzve timonin e tepsinë.

A do të mundet “Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit” të organizojë protesta të tilla të mëdha e në vazhdimësi, gjithnjë politike, por jo partiake? Kjo është një pyetje, që unë për veten time nuk do ta shtroja këtu sikur të mos e kisha dëgjuar e lexuar shumë herë gjatë këtyre ditëve. Unë them se po. Madje, edhe struktura të tjera të shoqërisë civile, me shumë më pak përvojë se kjo Aleancë, mund të organizojn­ë protesta të tilla. Nuk është fjala për revolucion­e. Protestat, ashtu siç i kemi parë madje edhe në këtë kohë karantine në vendet perëndimor­e e siç i përfytyroj të zhvillohen edhe në Tiranë e në qytetet e tjera të vendit, kërkojnë fare pak organizim. Sepse ato nuk kanë hierarki oratorësh për të respektuar e as program politik për të shpjeguar. Ditën e shembjes dramatike të Teatrit, Edmond Budina e përmendi një nga format e shumta të këtyre protestave e që është mosbindja civile. Mos harroni, përmes mosbindjes civile, indianët ulën në gjunjë perandorin­ë më të madhe të kohës e që ishte ajo britanike. Çfarë është Edi Rama krahasuar me mbretin e Anglisë?

Protestat, ashtu siç i kemi parë madje edhe në këtë kohë karantine në vendet perëndimor­e e siç i përfytyroj të zhvillohen edhe në Tiranë e në qytetet e tjera të vendit, kërkojnë fare pak organizim. Sepse ato nuk kanë hierarki oratorësh për të respektuar e as program politik për të shpjeguar. Ditën e shembjes dramatike të Teatrit, Edmond Budina e përmendi një nga format e shumta të këtyre protestave e që është mosbindja civile. Mos harroni, përmes mosbindjes civile, indianët ulën në gjunjë perandorin­ë më të madhe të kohës e që ishte ajo britanike. Çfarë është Edi Rama krahasuar me mbretin e Anglisë?

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania