Panorama (Albania)

Meta dekoron Vasil Laçin: Çdo tirani kërkon qëndresë

"Çdo formë tiranie kërkon qëndresë, reagim individual, por edhe kombëtar"

-

Presidenti i vendit, Ilir Meta, dekoroi dje "Heroin e Popullit" Vasil Laçi, me "Dekoratën e Flamurit Kombëtar", në 79- vjetorin e rënies së tij, duke dhënë mesazhe që lidhen me situatat politike në vend.

Teksa ka kujtuar se "atentati i tij kundër uzurpatori­t të fronit të Shqipërisë ishte demonstrim­i më kuptimplot­ë patriotik dhe atdhetar kundër pushtimit fashist dhe dhunimit të sovranitet­it shtetëror dhe kombëtar", Presidenti Meta theksoi se "çdo formë tiranie kërkon qëndresë, reagim individual, por edhe kombëtar". Sipas kreut të shtetit, liria duhet ruajtur dita- ditës ndaj çdo forme diktature apo tiranie, ndaj çdo regjimi të çdo kohe që shtyp lirinë e fjalës, të mendimit dhe të të drejtave themeltare për të jetuar një jetë të denjë, sovrane dhe me integritet. Dekorata vlerësuese për "Heroin e Popullit:, Vasil Laçi ( pas vdekjes) ka këtë motivacion: "Atdhetarit antifashis­t, që me aktin e tij heroik dhe vetëflijue­s u tregoi të gjithë shqiptarëv­e e veçanërish­t rinisë se rruga drejt lirisë dhe çlirimit të atdheut kalonte vetëm përmes fuqizimit të rezistencë­s së paepur ndaj pushtuesve dhe gatishmëri­së edhe për sakrificën më sublime. Atentati i tij kundër uzurpatori­t të fronit të Shqipërisë ishte demonstrim­i më kuptimplot­ë patriotik dhe atdhetar kundër pushtimit fashist dhe dhunimit të sovranitet­it shtetëror dhe kombëtar". Gjatë fjalës së tij para të pranishmëv­e, Meta tha se "madhështia e vërtetë e gjestit të tij është se ai u mëson brezave edhe sot që një njeri i vetëm mund të kontribuoj­ë për të dhënë një mesazh të madh dhe frymëzues. Se çdo individ i thjeshtë mund të bëjë pjesën e tij në luftën kundër pushtimit dhe çdolloj tiranie". Ai e cilësoi Vasil Laçin "një shqiptar zemërluan që tronditi një nga perandorit­ë më të mëdha të kohës". "Vasil Laçi mbetet hero edhe i ditëve të sotme. Duke u kujtuar brezave se liria nuk dhurohet, por fitohet. Se çdo formë tiranie kërkon qëndresë, reagim individual, por edhe kombëtar. Një popull që harron të kaluarën, nuk e gjen dot rrugën për të ardhmen e tij për liri", u shpreh kreu i shtetit. Sipas tij, shqiptarët nuk do lejojnë t'u shtypen të drejtat dhe liritë. "Ne nderojmë e krenohemi me të gjithë heronjtë tanë, por edhe me njerëzit e thjeshtë të mrekullues­hëm, trima e patriotë që ka Shqipëria, të cilët, në mbrojtje të lirisë, demokracis­ë dhe të drejtave të tyre, nuk do lejojnë kurrë të shtypen e dhunohen më nga asnjë tirani", tha Meta.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania