Panorama (Albania)

Aleanca në Lezhë, Budina: Pushteti tentoi të vrasë artistët

Publicisti: Kjo është një protestë kundrejt një sistemi politik që ka degraduar në dhunë

- ANILA DEDAJ

“Në politikën e Shqipërisë së ardhshme, atë të fëmijëve tanë, ne duam një frymë qytetare. Kjo, që të mos detyrohemi e ta braktisim vendin tonë, por ta lulëzojmë atë”.

Regjisori dhe aktori Edmond Budina, i gjendur në Lezhë bashkë me anëtarët e tjerë të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, përpiqet të sensibiliz­ojë qytetarët për politikat e qeverisë aktuale, që sipas tij po bëhen shkatërrim­i i kujtesës qytetare. Kjo për ta është ndalesa e katërt dhe duket se njerëzit po reagojnë pozitivish­t ndaj thirrjeve të artistëve. Janë me mijëra shqiptarë, që si rrallëherë po thonë fjalën e tyre, duke firmosur peticionin për rindërtimi­n e Teatrit Kombëtar ashtu siç ishte dhe në të njëjtin truall. Ndërsa Kryeminist­ri i vendit i cilëson anëtarët e Aleancës si të njëjtët persona që kundërshto­jnë gjithmonë ndryshimet që qeveria bën në emër të zhvillimit, duket se njerëzit e artit dhe të kulturës e mendojnë ndryshe. Publicisti dhe botuesi Frano Kulli thotë se protesta e Aleancës është një nga shërbimet më të mira që mund t’u bëhet elementëve demokratik­ë. “Kjo është një protestë në emër të të drejtave themelore të njeriut, kundrejt një sistemi politik që sot më shumë ka degraduar në dhunë… Dhuna ka vepruar mbi trupat e këtyre artistëve, që sot vazhdojnë rezistencë­n e tyre”, shtoi më tej Kulli. Regjisori Robert Budina ndau me të pranishmit përjetimin e mëngjesit të 17 majit, kur godina e Teatrit Kombëtar dhe atij Eksperimen­tal “Kujtim Spahivogli” u shemb. “Arrestuan vetëm artistët dhe qëndresëta­rët që kishin ndenjur në Teatrin Kombëtar, për t’ju thënë juve që nëse unë arrestoj artistët, nuk pyes për asnjë nga ju. Dhe nuk mjaftoi kjo, por nën dritën e kamerave, shembja e Teatrit Kombëtar filloi në momentin që ne ishim ende brenda. Pra, ai pushtet tentoi të vriste artistët. Mendojmë dhe gjykojmë që kjo ishte një çështje shumë e rëndë, që i bëri të qartë të gjithë botës se me kë po përplasemi ne”, u shpreh ai. Ndërsa aktorja Adriana Tolka, që prej 2 vitesh e 3 muajsh proteston së bashku me anëtarët e tjerë të Aleancës, theksoi se përtej baltës që politika përpiqet të hedhë mbi ta, kjo rezistencë ka shfaqur vlera të larta morale e qytetare. “Atyre nuk u pëlqen fakti që ky vend ka ende burra e gra me personalit­et të fortë, që dinë t’i thonë jo ekzistencë­s së tyre si skllevër”, tha aktorja. Gjatë protestës, fjalën e mori edhe aktori lezhjan i Teatrit “Migjeni”, Vladimir Doda, i cili e cilësoi Aleancën si një “ishull lirie” për këtë periudhë, ku demokracia është e trazuar. “Ne po mbrojmë lirinë e fjalës, ndërkohë na akuzojnë për vulgaritet. Mirëpo, në këtë moment nuk ka shkallë më të lartë vulgaritet­i sesa ky pushtet”, u shpreh aktori. Ndërsa aktorja e re, Juli Emiri, solli në vëmendje motivet që e mbajnë në jetë prej 27 muajsh një rezistencë të tillë. “Teksa po vija në Lezhë, sytë më shkuan te një shënim i shkruar poshtë një shtylle, pranë një kambane… “Vëllazëria, drejtësia, liria, e vërteta”. Këto fjalë kaq të thjeshta janë shtyllat që mbajnë në këmbë një shoqëri kaq të shëndoshë. Në këto katër fjalë na ra kambana e alarmit, duke bërë që ne të rezistonim për 2 vjet e 3 muaj”, shtoi më tej ajo.

 ??  ?? Momenti kur fadroma shemb hollin e Teatrit Kombëtar
Momenti kur fadroma shemb hollin e Teatrit Kombëtar

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania