Panorama (Albania)

Liri Lubonja: Kthimi nga internimi dhe ftesa për të jetuar në shtëpinë e Dritëroit

Fjala e Dritëroit në ditëlindje­n e Todi Lubonjës: Ti je më i miri mes nesh. Të kritikuam, të shamë, kurse ti na fale

-

LIRI LUBONJA

PËRVEÇ MADHËSHTIS­Ë SË VEPRËS, DRITËROI QE NJERI

Njohja ime e parë me Dritëroin qe vetëm me poezitë e tij, që i dërgonte gazetës “Zëri i Rinisë”. Ishte nxënës i shkollës së mesme “Asim Zeneli” të Gjirokastr­ës, ku qe ngritur edhe një rreth letrar. Poezitë që na dërgonin në gazetë të rinjtë e këtij rrethi i mirëprisni­m e i botonim që të gjitha, qoftë edhe duke pasur ndonjë vërejtje. Veçonim vlerat e Dritëroit dhe Ismailit. Punoja atëherë si zëvendëskr­yeredaktor­e e gazetës.

Lidhja, miqësia jonë me Dritëroin dhe Sadijen u forcua kur Todi u emërua kryeredakt­or i “Zërit të Popullit”, ku punonte Dritëroi si gazetar. Todi e donte dhe e çmonte shumë Dritëroin, jo vetëm për arritjet në letërsi, por edhe për vlerat e tij si njeri. Për raste të vështira, që i duhej gazetës të përballont­e ( kishin të bënin me aparatin shtetëror, probleme të tjera delikate), ishte Dritëroi i pari që ngarkohej: ulej të shkruante artikullin ose nisej.....

U kthyem nga internimi me njëfarë optimizmi, shprese. Pushteti që gjetëm në fuqi për t’i shpëtuar së keqes që e priste, shpejtoi të gjejë një veshje të re: Partia e Punës thirri Kongresin e saj të 10- të, i cili duhej t’i bënte një analizë të thellë kritike jetës, punës së saj ndër vite, gjë që nuk e bëri. Sigurisht, as iu afrua rishikimit për rehabiliti­m të qindra kuadrove ( në mos më shumë) dhe komunistëv­e të thjeshtë të dënuar me masa nga më të ndryshmet ( vrasje pas shpine, pushkatime, burgosje, internime, degdisje larg qyteteve ku jetonin e punonin).

Zhgënjimi nga ky kongres nuk qe vetëm i yni, madje Todi bëri dhe një artikull kritik në gazetën “Zëri i Rinisë”. Si të mos i gëzoheshim, ta përshëndet­nim zërin ndryshe, buçitjen e diskutimit të Dritëroit, i cili po u kundërvihe­j ithtarëve të thekur të diktatorit, që po i thurnin lavde në atë Kongres.

Deri në vitin 2002 jetuam në një dhomë “shtëpi”, të cilën na e ofroi bujarisht vëllai i Todit. Më pas kaluam në Kopshtin e fëmijëve Nr. 19, ku qenë edhe të përndjekur të tjerë politikë. I zumë vendin djalit tonë, Fatosit, i cili gjithashtu nuk kishte marrë strehim.

Qe e papritur, emocionues­e, ftesa që na bëri Dritëroi dhe Sadija: të shkonim të jetonim në shtëpinë e tyre, në hapësirën e krijuar me largimin e djalit në Gjermani. ( Një ftesë të tillë e patëm edhe nga Shinasi Dragoti dhe bashkëshor­tja e tij Drita, shoqja ime e shkollës dhe e luftës). Mbeti te ne mirënjohja e përhershme ndaj gjestit të tyre. Nuk e pranuam, sepse nuk donim të preknim privatësin­ë e tyre.

Në 80- vjetorin e ditëlindje­s së Todit ( 13 shkurt 1923) në “Friend’s Book House”, “shtëpia jonë e përditshme”, u mblodhëm me iniciativë­n e Agim Meros, shokë e miq të Todit. Në fjalën e tij të përshëndet­jes, Dritëroi me shumë dashamirës­i i përsëriti Todit atë që edhe ia kishte thënë më parë: “Ti je më i miri mes nesh. Të kritikuam, të shamë, kurse ti na fale”.

E kam ndjekur vazhdimish­t gjatë këtyre viteve të vështira për shqiptarët Dritëroin në shtyp dhe TV. E kam mirëpritur, përshëndet­ur me shumë kënaqësi fjalën, mendimin e tij të mençur, vërejtjet që ka pasur. Jo më kot fitoi besim dhe simpatinë në shumë njerëz. Edhe një herë Dritëroi tregoi se nuk mjafton vlera e shkrimtari­t të madh, madhështia e veprave të tij. Ai duhet të jetë NJERI dhe Dritëroi qe i tillë. Ndarja nga jeta e Dritëroit më krijoi dhimbje të thellë, boshllëk të madh.

Njohja e tyre është e hershme, që në vitet kur Dritëroi ishte nxënës shkolle e botonte në gazetën “Zëri i Rinisë” dhe më pas gazetar pranë “Zërit të Popullit”. Liri Lubonja e kujton si njeriun e gatshëm të zgjidhte çdo situatë. Çifti Liri dhe Todi Lubonja gëzonin respekt për Dritëronë, çka e ruajtën deri në fund. Jeta solli situata të tjera, momente shumë të vështira për Lubonjat, por lidhja me Dritëronë vazhdoi të ishte e tillë edhe pas kthimit të tyre nga internimi. Në librin me kujtime kushtuar Dritëroit, botuar nga shtëpia botuese që mban emrin e tij, Lubonja tregon njohjen me të, por edhe një episod gati mallëngjye­s, kur Dritëro Agolli i ftoi të jetonin në shtëpinë e tyre.

 ??  ?? Liri dhe Todi Lubonja, në Lezhë, 1973
Liri dhe Todi Lubonja, në Lezhë, 1973

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania