Panorama (Albania)

Vdekja e 17- vjeçarit në Vlorë, Policia arreston dy persona

-

Policia e Vlorës ka arrestuar ditën e djeshme dy persona, pas incidentit që i mori jetën 17- vjeçarit Jaup Bekotaraj, nga Radhima. Sipas burimeve zyrtare të Policisë, në pranga janë vënë shtetasit E. M., 32 vjeç, drejtues teknik në kantierin e punës ku ndodhi ngjarja e rëndë si dhe 29vjeçari B. Xh., me detyrë manovrator i mjetit gërmues. Megjithatë, Policia thotë se nuk është vërtetuar ende nëse adoleshent­i ka qenë punonjës me kontratë, por nga burime jozyrtare thuhet se pas skrepit punonte si ndihmës. Tashmë, Policia ka marrë pamjet e filmuara nga kamerat e sigurisë në disa biznese për të vërtetuar nëse 17- vjeçari ishte në punë apo jo. Burime nga grupi hetimor bëjnë të ditur se Bekotaraj ka qenë në kantier, ndërsa rreth ngjarjes pritet të merren në pyetje të tjerë persona. Ndërkohë, kujtojmë që ngjarja e rëndë ka ndodhur mesditën e së shtunës në Vlorë, ku si pasojë e një aksidenti në punë ka humbur jetën 17vjeçari Jaup Bekotaraj. I riu dyshohet se ishte duke punuar për ndërtimin e një pallati në zonën e Ujit të Ftohtë në Vlorë, por në një moment, në rrethana ende të paqarta, ai është goditur nga skrepi që punonte aty pranë, duke marrë plagë të rënda.

NGJARJA Sipas Policisë, dyshimet për ngjarjen e rëndë janë se i mituri mund të ketë kaluar pranë zonës ku po kryheshin punimet dhe më pas të ketë hyrë brenda në vendin ku po punohej. Për zbardhjen e ngjarjes është ngritur një grup hetimor nga ana e Policisë së Vlorës, ndërsa dyshimet e para janë se viktima mund të ishte punëtor në kantier, por i padeklarua­r nga ana e firmës. Për këtë ngjarje, janë shoqëruar gjithë punonjësit e firmës ku po kryheshin punimet, të cilët kanë dhënë dëshminë e tyre lidhur me vdekjen e 17- vjeçarit. Sipas burimeve, të shoqëruari­t janë shprehur se askush s'ka vënë re lëvizjet e të miturit, por kanë vënë re momentin kur ai është goditur nga ana e skrepit. Ndërsa drejtuesi i mjetit ka thënë se në asnjë moment nuk e ka parë të riun dhe se gjithçka ka qenë aksidental­e. Hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes vijojnë nga ana e Policisë së Vlorës. Po ashtu, pritet që edhe familjarët e të miturit të japin dëshminë e tyre në Policinë e Vlorës. E. N

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania