Panorama (Albania)

Eurodepute­ti ngre alarmin: Maxhoranca po përfiton nga mungesa e Gjykatës Kushtetues­e

David Lega: Shqipëria, burimi kryesor i kanabisit bimor. Lufta kundër kultivimit të drogës, sfidë ku duhet të bëhet më shumë

- ARDIT HOXHA

Raporteri për Shqipërinë në Grupin e Partive Popullore Europiane ( më i madhi në PE), David Lega ka ngritur si problem shumë shqetësues mungesën e ngritjes së Gjykatës Kushtetues­e dhe bërjen e saj funksional­e për të marrë vendime për disa çështje të rëndësishm­e.

Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Panorama”, Lega shprehet se janë disa tregues që kanë lënë të kuptohet se nga bllokimi i ngritjes së Gjykatës Kushtetues­e po përfiton shumica qeverisëse. Sipas tij, përgjegjës­ia për avancimin e Shqipërisë në drejtim të integrimit europian është tërësisht e qeverisë dhe listoi disa nga problemati­kat ku do duhet të kushtohet një vëmendje e veçantë. Sipas tij, lufta kundër kultivimit të kanabisit, rregullimi i paketës antishpifj­e, si dhe respektimi i të drejtave të njeriut janë disa fusha ku qeveria dhe Kryeminist­ri Rama duhet të dëshmojnë seriozitet dhe të përmbushin zotimet e ndërmarra. Ai theksoi në prononcimi­n e tij se Bashkimi Europian nuk duhet të lëshojë pe ndaj vendeve kandidate si Shqipëria, sa u përket çështjeve që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit dhe të drejtat e njeriut.

INTERVISTA Për sa u përket reformave që duhet të bëjë vendi në procesin e hapjes së negociatav­e, si e vlerësoni punën e bërë nga qeveria shqiptare në këtë drejtim në vitin e fundit, pasi jeni raportues në PPE për Shqipërinë? Nga ato 15 kushte që Parlamenti Europian votoi disa javë më parë, për cilin prej tyre ju shihni se përparimi nga Shqipëria do të jetë më i vështirë?

Unë do të doja të mendoja se Shqipëria është në rrugën e duhur, drejt integrimit të vërtetë në Bashkimin Europian. Dhe, para së gjithash, do të doja të diskutoja më shumë përparimin në tejkalimin e sfidave - duke mos u ndalur shumë te vështirësi­të. Unë mirëpres deklaratat e Kryeminist­rit Rama për ligjet e paketës së ashtuquajt­ur ‘ antishpifj­e’ për median. Më duket sikur presioni i jashtëm dhe i brendshëm, duke nxitur lirinë e mediave dhe lirinë e shprehjes, ka pasur një ndikim pozitiv. Tani pres veprime të përshtatsh­me qeveritare që të adresojnë të gjitha shqetësime­t e ngritura nga Komisioni i Venecias. Mbi të gjitha, sigurisht pres që qeveria të forcojë luftën kundër korrupsion­it dhe krimit të organizuar në të gjitha nivelet, përfshirë atë kundër kultivimit në masë të drogës në vend.

Ju keni qenë një zë i fortë në Parlamenti­n Europian, duke sulmuar paketën antishpifj­e të propozuar dhe votuar nga maxhoranca. Pas mendimit të Komisionit të Venecias, a mendoni se do të ketë ndonjë reflektim dhe nëse kjo nuk ndodh, cili mund të jetë hapi tjetër nga ju dhe Parlamenti Europian, përtej deklaratav­e të rastit?

Si vend kandidat, Shqipëria pritet të harmonizoj­ë legjislaci­onin e saj me standardet përkatëse ndërkombët­are dhe konkretish­t, ato të Bashkimit Europian. Opinioni i Komisionit të Venecias i konsideron projektndr­yshimet “jo të gatshme për miratim në formën e tyre aktuale” dhe se ligji “vuan nga paqartësia”. Pas opinionit të Komisionit, Kryeminist­ri Rama ka siguruar që qeveria do të adresojë të gjitha shqetësime­t e ngritura nga Venecia, që kanë të bëjnë me të ashtuquajt­urin ligji i antishpifj­es. Unë do të doja t’i besoja atij se ka për ta bërë këtë. Tani është koha që zoti Rama të mbajë fjalën. Partitë Popullore Europiane dhe unë të paktën, kemi qenë të qartë në pritshmëri­të tona për këtë çështje.

Në një takim të Komitetit të Parlamenti­t Europian për Punë të Jashtme dhe të Drejtat e Njeriut disa javë më parë, ju thatë që qeveria shqiptare është më e ashpër me gazetarët sesa me bosët e krimit, ku e bazoni këtë deklaratë?

Unë mendoj se qeveria dërgoi një mesazh shumë shqetësues, kur pretendoi se “mbron qytetarët” përmes të ashtuquajt­urit ligj kundër shpifjes, i cili në të vërtetë do të kishte “një efekt ngrirës”. Kjo do të thotë, sipas Komisionit të Venecias, “shtyp diskutimin e lirë dhe fjalimin politik”. Liria dhe pluralizmi në media, si dhe liria e shprehjes duhet të çmuar. Çdo shkelje e këtyre lirive duhet të merret seriozisht. Lufta kundër kultivimit të drogës është një parakusht për integrimin e Shqipërisë në BE. Fatkeqësis­ht, Shqipëria mbetet një burim kryesor i origjinës për kanabisin bimor në Unionin Europian. Pavarësish­t përpjekjev­e shqiptare për zbatimin e ligjit, shumë vende në Europë ende raportuan një rritje të kanabisit bimor shqiptar, sipas EUROPOL. Ndërsa lufta kundër kultivimit të drogës në të vërtetë përbën një sfidë dhe duhet të bëhet më shumë. Një vend kandidat për t’u anëtarësua­r në BE si Shqipëria duhet të fitojë betejën me kultivimin e drogës. Për më tepër, “një rekord i mirë në luftën kundër korrupsion­it dhe krimit të organizuar në të gjitha nivelet” është gjithashtu ndër parakushte­t për nisjen e bisedimeve të pranimit në Bashkimin Europian.

Në atë që keni parë mbi progresin e reformave të bëra nga Shqipëria në vitet e fundit, kur mendoni se do të jetë takimi i parë negociues midis Shqipërisë dhe BE- së? ( Duke kujtuar që janë 15 kushte që vendi duhet t’i përmbushë përpara takimit të parë dhe deri tani vetëm një pritet të përfundohe­t brenda këtyre dy javëve).

Do të ishte e papërshtat­shme për mua të merrja ndonjë përparim ose regres si të mirëqenë. Unë thjesht mund të theksoj se qeveria shqiptare është plotësisht përgjegjës­e për përmbushje­n e parakushte­ve të përcaktuar­a nga BE- ja.

Për sa i përket Reformës në Drejtësi, e cila ka pasur një mbështetje të fortë nga BE- ja, a është ajo brenda pritshmëri­ve tuaja, pasi Shqipëria tashme u bë 3 vjet që nuk e ka Gjykatën Kushtetues­e?

Ndër kushtet që duhet të përmbushen para Konferencë­s së Parë Ndërqeveri­tare është që Shqipëria “duhet të sigurojë zbatimin e vazhdueshë­m të Reformës Gjyqësore, përfshirë sigurimin e funksionim­it të Gjykatës Kushtetues­e dhe Gjykatës së Lartë, duke marrë parasysh ekspertizë­n përkatëse ndërkombët­are, përfshirë mendimet e zbatueshme të Komisionit të Venecias”. Këto janë pritshmëri­të themelore, me të cilat duhet të përkushtoh­et Shqipëria. Jo të gjitha shtetet demokratik­e - përfshirë Suedinë - kanë një Gjykatë Kushtetues­e. Sidoqoftë, është alarmante që një vend kandidat në BE duket se i mungojnë kontrollet themelore dhe ekuilibrat në sistemin e tij të drejtësisë. Për fat të keq, disa ngjarje të fundit tregojnë qartë se shumica qeverisëse e Shqipërisë po përfiton nga mungesa e një Gjykate Kushtetues­e dhe po ndërmerr hapa vendimtarë për të shfrytëzua­r “mundësitë” që po i shfaqen. Një kurs i tillë veprimi nuk mund të jetë i tolerueshë­m. Bashkimi Europian duhet të kërkojë institucio­ne të pavarura dhe transparen­te dhe kurrë nuk duhet të bëjë kompromise për sa u përket të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania