Panorama (Albania)

Masakroi me çekiç shokun, burg përjetë për autorin

Albert Zekaj pranon autorësinë e krimit pas sherrit për paratë

-

Prokuroria e Fierit ka dhënë dje pretencën për Albert Zekajn, i cili akuzohet se masakroi me çekiç shokun e tij. Organi i akuzës i ka kërkuar Gjykatës së Fierit burgim të përjetshëm për Albert Zekajn, autorin e vrasjes së Kreshnik Beqirajt, ngjarje e ndodhur në vitin 2017. Sipas burimeve nga Prokuroria, mësohet se autori i ngjarjes makabër ka pranuar autorësinë e ngjarjes gjatë kohës së hetimit dhe ka treguar arsyet dhe rrethanat se si e ka kryer krimin. Ai u ka treguar hetuesve se krimin e ka kryer në mbrëmje, pasi kishte mësuar që Kreshniku kishte një shumë parash me vete, rreth 30 mijë lekë të reja. Ndërkohë, siç ka shpjeguar autori, edhe pse ka pasur lekë, viktima kishte shumë ditë që i kërkonte të paguante gjysmat e detyrimeve të banesës që mbanin me qira. Ky ka qenë shkaku i sherrit mes tyre dhe pasi e ka vrarë shokun, Zekaj e ka copëtuar atë dhe e ka futur në valixhe. Autori i ka treguar me qetësi këto detaje, teksa ka pranuar se vetëm në këtë formë mund ta nxirrte kufomën nga shtëpia. Pas paketimit në valixhe, ai është nisur pasmesnate për ta hedhur valixhen në një zonë larg qytetit. Duke parë rrethanat, në të cilat është kryer krimi dhe faktin që autori e ka pranuar krimin, Prokuroria ka referuar dosjen në Gjykatë, nga ku ka deklaruar se në bazë të të dhënave hetimore kërkojnë deklarimin fajtor si dhe dënimin me burgim të përjetshëm të këtij shtetasi, por edhe 1 vit burg shtesë për grabitjen e parave të viktimës. Kujtojmë se pas zhdukjes së Kreshnik Beqirajt, ishin familjarët e tij ata që u alarmuan, pasi i kishin humbur kontaktet me të për më shumë se një vit. Kjo bëri që vëllai i tij, Donjet Beqiraj, t’i drejtohej Policisë bashkë me babanë e tij për të bërë edhe denoncim. Madje, ata e ndihmuan hetimin pasi që në fillim hodhën dyshime për shokun e dhomës. Familjarët u treguan hetuesve se Kreshniku dhe Albert Zekaj ishin njohur në vitin 2015 në burg, në Belgjikë. Pasi kanë dalë që atje, ata kanë vendosur që të jetojnë në Fier, të ndanin shpenzimet dhe të merrnin një shtëpi me qira. Pas ardhjes në Fier, Kreshniku kishte filluar punë si mirëmbajtë­s makinash, ndërsa shoku i tij nuk donte të punonte dhe kësisoj nuk kishte para as për t’u ushqyer, duke iu bërë barrë shokut, pra, Kreshnikut. M. R.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania