Panorama (Albania)

Ronaldo makineri rekordesh, parakalon Fenomenin e Shevçenkon

-

Kur një dialog pasqyron një karrierë të tërë. Sepse historia e Kristiano Ronaldos është në atë bisedë me Sheznin përpara penalltisë së Imobiles në pjesën e dytë. Pas atyre pëshpërima­ve fshihet një botë e tërë. Kristiano Ronaldo përqafoi portierin e tij dhe e këshilloi ku të hidhej. Ndoshta ishte një strategji për të nervozuar goditësin e penalltisë. Por ku i dihet, Kristiano Ronaldo ndoshta ka studiuar edhe penalltitë e Çiro Imobiles duke qenë se po rivalizon kokë më kokë me të për çmimin e "Këpucës së Artë".

30 gola- Imobile shënoi dhe e kapi sërish Ronaldon në kuotën e 30 golave, por për disa minuta portugezi ishte përpara tij. Sfida mes tyre vazhdon, aq sa në fundin e ndeshjes shkëmbyen buzëqeshje dhe batuta për të treguar rivaliteti­n e shëndoshë sportiv mes njëri- tjetrit. Kristiano Ronaldo kundër Lacios shkroi edhe një herë tjetër historinë. E bën në moshën 35vjeçare, çështje numrash. Përpara tij, vetëm 2 lojtarë të tjerë kanë arritur 30 gola në kampionat: Xhon Hansen ( 1951- 1952) dhe Feliçe Borel ( 31 në 19931994). Kristiano ka bërë më mirë sesa Del Piero, Platini, Dibala, Sivori, Paolo Rosi dhe shumë kampionë të tjerë baradhezin­j. Në karrierën e tij është hera e tetë që shënon 30 ose më shumë gola në kampionat. Një herë e ka arritur me Mançesteri­n dhe 6 herë me Realin e Madridit. Tani objektivi është rekordi i Higuainit, i cili ka shënuar 36 gola te Napoli me Sarrin në pankinë. CR7 thotë se titujt me Juventusin janë më të rëndësishë­m, por brenda vetes ka vendosur këtë objektiv dhe të fitojë "Këpucën e Artë".

Në Europë- Tjetër statistikë: Kristiano Ronaldo është lojtari i parë në histori që ka shënuar të paktën 50 gola në Serinë A, La Liga dhe në Premier. Fanella të ndryshme, ashtu si edhe roli në fushë. Sepse madhështia e Ronaldos qëndron pikërisht në faktin që përshtatet kudo dhe kërkon të bëjë më mirë sesa një aventurë më parë. Me Sportingun e Lisbonës e ka nisur si sulmues krahu, diçka që vazhdoi dhe me Mançesteri­n. Ishte një Kristiano që vraponte si i çmendur në krah, dashuronte shpërthime­t, driblimet dhe fintet ndaj kundërshta­rit. Por historia ndryshoi kur Smith, ish- asistenti i Fergusonit, ndryshoi rregullat në stërvitje dhe vendosi që të mos kishte më faulle. Kristiano ishte shumë egoist dhe nuk e pasonte topin, por kur në stërvitje nuk kishte faulle, nisi që të pasonte. Pastaj te Reali u konvertua në një bomber të vërtetë me 450 gola në 438 ndeshje. Më pak lojë në krah, më shumë afër zonës. Nuk duhet të vrapojë më 11- 12 kilometra, por të menaxhojë forcat për të vrapuar 7- 8. Te Juventusi është rikthyer në të majtë, por jo si dikur. Më i kujdesshëm, më pak vrap...

Shpejtësi- Një tjetër rekord i arritur nga Kristiano Ronaldo është fakti që ka shënuar 50 gola në më pak ndeshje se të tjerët. I janë dashur vetëm 61 ndeshje që portugezi të arrijë këtë shifër. Te Juventusi iu deshën 2 vite, duke thyer edhe sulmuesit e tjerë të Serisë A. Shevçenkos iu deshën 68 ndeshje, Ronaldo Fenomenit 70, Trezegesë dhe Militos 78. Të gjithë në atë kohë ishin më të rinj sesa Ronaldo. Çështje urie... Kristiano Ronaldo është një makineri rekordesh dhe nuk ka ndërmend të ndalet.

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania