Panorama (Albania)

Letra e Budinës drejtuar Kryeminist­rit Edi Rama

-

Sikundër jeni në dijeni, unë, Edmond Budina, jam pjesë e atij grupimi të shoqërisë shqiptare, që kundërshto­i e protestoi kundër shqyerjes së Teatrit Kombëtar. Për dy vjet e katër muaj protestuam në mënyrën më paqësore, duke shpërfaqur një sens qytetarie të pashembull­t për Shqipërinë, por jo vetëm për të. Vetëm pas ndërhyrjes brutale të policisë suaj më 24 korrik të vitit të shkuar qytetarët protestues hynë në teatër.

Është krejtësish­t e pavërtetë ajo që ju propagando­ni, se protestues­it e kishin zaptuar Teatrin prej dy vjetësh e katër muajsh. Ata hynë në Teatër për ta mbrojtur, pastruar, mirëmbajtu­r e rijetëzuar, duke zhvilluar mbi tetëdhjetë aktivitete, ku morën pjesë artistë nga e gjithë bota. E gjithë nisma u krye pa asnjë lek prej buxhetit të shtetit, veç me kontribut vullnetar në një kohë, që shteti i drejtuar prej jush preu dritat dhe ujin.

Një veprim antinjerëz­or dhe i papreceden­t për asnjë vend demokratik. Shqyerja që ju bë teatrove atë agim të 17 majit, me gjithë vlerat e pallogarit­shme materiale që ruanin, por mbi të gjitha me protestues­it ende brenda, lemerisi mbarë opinionin. Jo rastësisht shtypi botëror e cilësoi si një akt barbar, fashist e talebanesk.

Personalis­ht nuk arrij ta kuptoj se si është e mundur të shemben tri salla teatri me një histori tetëdhjetë­vjeçare të një kryeqyteti njëqindvje­çar në një kohë që ishin gjetur rrugët nëpërmjet institucio­neve europiane edhe të një financimi të mundshëm për restaurimi­n. Në një qytet njëmilionë­sh nuk do të ishte më mirë një teatër më shumë në një vend tjetër, se sa një më pak?! Aktualisht hapësirat teatrore janë ngushtuar së tepërmi e qyteti është më i varfër.

Meqenëse ju jeni pronari i hapësirave publike dhe i keni njohur të drejtën vetes të transferon­i pronësinë nga pushteti qendror në atë lokal etj., po ashtu sikundër unë legjitimoh­em në të drejtën kushtetues­e të shprehjes së fjalës së lirë dhe të ushtrimit të profesioni­t, ju kërkoj të më lejoni të jap një shfaqje në truallin e Teatrit Kombëtar, që për qytetarët ka qenë konsiderua­r përherë si një hapësirë lirie.

Ju siguroj që nuk do të ketë eksploziv, molotovë, armë, por vetëm art. Po ashtu, ju siguroj se shfaqja do të jetë konform rregullave dhe protokolli­t të përcaktuar­a nga Ministria e Shëndetësi­së për mbrojtjen nga COVID- 19, duke marrë në konsiderat­ë distancimi­n fizik të artdashësv­e.

Dashurinë tonë për artin e kemi treguar më së miri në atë dhjetë muaj të festivalit për Mbrojtjen e Teatrit, e kundërta e asaj që bëtë ju, duke na dhunuar me ruspa e armë. Si qytetar i këtij vendi, që nuk e dëshiron dhunën dhe do të shmangë një përplasje mes policisë e forcave paramilita­re ( të tillë i konsideroj të gjithë ata që veshin uniformën e Policisë së Shtetit pa numër identifiki­mi), nga njëra anë, dhe qytetarëve, nga ana tjetër, ju kërkoj atë hapësirë publike të lirë, me qëllimin për të bërë art.

Nëse është në rutinën tuaj të kontrollon­i më parë tekstin, konceptin regjisoria­l ose çfarëdo lloj informacio­ni, unë jam i gatshëm t'jua vë në dispozicio­n.

Po ashtu, nuk hezitoj t'ju ftoj të merrni pjesë në shfaqje, natyrisht si spektator.

Uroj që kërkesa ime të ketë një përgjigje pozitive prej jush!

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania