Panorama (Albania)

Ekzistenci­alizmi i narracioni­t të Preç Zogajt, një sfidë për letërsinë e sotme

- FATMIR MINGULI

“Ne nuk e dimë kush jemi. Janë ngjarjet që na zbulojnë”

Nga romani “Anjeza nuk u zgjua”

“Me ‘ Anjeza nuk u zgjua’ kam treguar një histori që jep një tablo të jetës shqiptare në vitet 1985- 1987, duke mos u kufizuar vetëm te lidhja e dashurisë mes dy të rinjve, as të episodet e dhunës dhe intrigave”.

E shkëputa këtë frazë nga një intervistë e vetë autorit të romanit “Anjeza nuk u zgjua”, jo pa qëllim. Është ekstrakti i plotë i realizimit të këtij romani.

Fakti që Preç Zogaj është poet me portret të veçantë dhe tërheqës, të detyron që kur të shkruash për prozën e tij, të mendohesh mirë. Është gjithashtu fakt se për këtë roman të fundit të tij janë shkruar disa shënime kritike në mediat e ndryshme të Tiranës. Por kuptohet se jehona e këtij romani i ka tejkaluar kufijtë e metropolit. Promovimi i romanit “Anjeza nuk u zgjua”, në Durrës, në ambientet e librarisë “Hugo”, në fund të janarit të këtij viti ishte një nga këto jehona.

Kjo nuk do të thotë se janë thënë të gjitha. Romani “Anjeza nuk u zgjua” hap shumë dritare, të cilat herë janë të dukshme, domethënë të hapura, e herë të padukshme. Ky roman është tepër kompleks, ku ngjarjet dhe personazhe­t e shumta janë vetëm plani i parë i romanit, janë ballina e tij. Ndërsa përtej tyre shfaqen situata dhe probleme shumë të mprehta të pandeshura në romanet shqiptare. Edhe pse subjekti i romanit është i përqendrua­r në Lezhë dhe në fshatin Patalanë, ai është shumë përgjithës­ues, duke marrë me vete edhe qytete e fshatra të tjera të Shqipërisë, veç Tiranës. Ndryshe, subjekti nuk do të ndërtohej në mënyrë kaq origjinale. Skajet Lezhë– Tiranë janë pjesë e kornizës së padukshme të narracioni­t që Preç Zogaj na shpalos mahnitshëm.

Dy protagonis­tët e romanit, Davidi dhe Anjeza, janë personazhe emblematik­ë, banorë të fshatit Patalanë diku në rrethinat e qytetit të Lezhës, as nga qyteti e as nga kryeqyteti. Këtu konsiston dhe thelbi i hollë i narracioni­t të këtij romani. Jo se ata janë fshatarë dhe që zyrtarisht përfaqësoj­në shtatëdhje­të përqindësh­in e popullsisë shqiptare që jetonte në fshat, sipas statistika­ve të pushtetit monist. Jo, Preç Zogaj sjell në faqet e romanit të tij dy intelektua­lë të mirëfilltë, shumë të kulturuar edhe tej atyre të rinjve qytetarë të Tiranës apo jo Tiranës. Jo më kot emrat e Davidit dhe Anjezës janë emra simbolikë, ku Davidi vjen nga thellësitë e shekujve, duke përtëritur Davidin e Biblës dhe e vendos në platetë e teatrit të shoqërisë shqiptare, ndoshta edhe për të luftuar të mëdhenjtë e pushtetit të Tiranës. Anjeza mban emrin e shenjtores dhe kërkon piedestali­n e një aktoreje në teatrin dramatik. Por Davidi ishte siç na thotë autori: “Ai kishte qenë edhe ishte njeri pa mbështetje, pa emër, pa trevë, pa qytet, pa fshat, por të gjitha këto dhe të tjera si këto në kërkim të të mirave që ishin gjithmonë më të pakta se mëtuesit dhe kërkuesit e tyre”.

E ndërsa për Anjezën thotë: “Jo, nuk ka ku të shkojë! Bashkimi ynë është shkruar lart, - ai ngriti gishtat nga qielli”.

Duke ndjekur fatin e këtyre të rinjve, mendja të shkon te një fakt i pamohueshë­m: te sjellja e dy personazhe­ve të munguar në historinë e letërsisë shqiptare. Pse? Sepse Sterjo Spasse krijoi Gjon Zaverin në Shqipërinë e viteve ‘ 30, ndërsa Haki Stërmilli solli Dijen e vetmuar në qytetin e Dibrës, por figura të vetme. Preç Zogaj i sjell në çift edhe Gjonin, edhe Dijen.

Gjithsesi, Preç Zogaj, duke na dhënë këtë roman, na dha një epokë, ashtu negative siç ishte, por kaq mirë të paraqitur e të perceptuar. Kur lexon faqet e këtij romani, të vinë ndër mend fjalët e Zhan Pol Sartrit kur analizoi romanin “I huaji” të Kamysë: Kur lexon këtë roman, duket shumë i thjeshtë sa që mund ta shkruajë kushdo, por ja që asnjë nuk ishte Kamy e nuk e shkruante dot si ai.

Është Preç Zogaj, që, përmes dialogëve e përshkrime­ve të shumta, mbrapa tyre fsheh meditimin e Davidit, ai është i përherëndo­dhur edhe kur nuk flitet për të, madje edhe kur gati në një të tretën e romanit ai zhduket, por pikërisht këtu ndodh dhe magjia e narracioni­t të Preç Zogajt. Nëse është vetë autori që tregon dhe jo Davidi, një lexues i vëmendshëm dallon se narrator është Davidi dhe jo autori i romanit. Prei është David dhe e kundërta. Kemi të bëjmë me artificën automative të autorit, me një inovacion në narrativen shqiptare, një nyjëtim jo shumë i kapshëm, por realisht i realizuar.

Por le të kthehem te dashuria e pafat e Davidit dhe Anjezës, një dashuri aspak si të zakonshmet apo të ngjashmet me to. Është një dashuri që e ka lidhjen aty lart, në qiellin e dëlirë. Jo më kot Davidi mendon për Anjezën: “A i ke parë me sytë e tu zanat që të kanë marrë me vete në pyje natën dhe të kanë bërë kaq të bukur?”.

Preçi, me stilin e tij, në dukje me narracion linear duke u thelluar në psikikën e Davidit e më pak të Anjezës, e çon lexuesin në skena të ekzistenci­alizmit, një ekzistenci­alizëm pa shpërthime e me pamje të dukshme marramendë­se, por me thjeshtësi­në dhe qetësinë që e karakteriz­on vetë autorin.

Duke na dhënë dramën e çiftit intelektua­l shqiptar, ai nuk përdor skemat e zakonshme të tragjizmit, por vepron ashtu siç e ka përcaktuar saktë Rudolf Marku:

“Jo përmes skematizim­it të vjetër të fajësisë së kanunit dhe as përmes skematizim­it modern të kompleksit të fajësisë antifemini­ste, pasi fati tragjik i femrës shqiptare është si një sinonim i tragjizmit të vetë jetës shqiptare”.

Preç Zogaj, me një vërtetësi të rrallë, depërton në brendinë e pushtetit me skena dhe detaje të gjetura, që shpalosen si realiteti i asaj kohe dhe indirekt janë edhe preludi i rrëzimit të atij pushteti, thjesht mbas tre apo pesë vjetësh nga ngjarjet e romanit.

Davidi, epiqendër e romanit, një simbiozë shpirtëror­e e Anjezës, është një personazh tejet ekzistenci­alist. Ai shprehet: “Kurse unë nuk jam nisur dhe nuk e di a do të nisem ndonjëherë gjëkundi!”.

Davidi i Preç Zogajt është një personazh krejt i ri në letërsinë shqiptare të hershme e të tanishme. Me pavendosmë­rinë e tij, ai të shqetëson, me takim- stakimet e psikologji­së sé tij, me heshtjen apo zhdukjen nga skena për kohë të gjata, por asnjë lexues ma do mendja nuk e fajëson. Për mendimin tim, ai është pasqyrë e shumë djemve të ndershëm që vuajtën shpirtëris­ht nga darët shtrëngues­e të atyre njerëzve negativë, që arrinin të bënin gjithçka për qejfin e tekat e tyre.

Davidi është një hero i kohës së tij. Ai ndërton raporte të heshtura mes nënndërgje­gjes së tij dhe veprimit të pushtetarë­ve e të sekretarëv­e të partisë, edhe pse në heshtje në këto raporte virtuale ai të ngjall respekt. Po kështu sillet edhe me Anjezën, sepse bota e brendshme e Davidit ishte e bazuar në mistikë dhe kjo mistikë herë shkonte e ngulitej në shpirtin e mendjen e Anjezës e herë i rikthehej Davidit, por me rrezatime më të fuqishme.

“... por Anjeza kishte zbuluar se David Gjika kishte frikë, ishte kapur nga demonët e pasigurisë”. E vetë Anjeza ishte më ndryshe, një vajzë e vendosur për të çuar deri në fund dëshirën e saj të kahershme: të bëhej aktore në teatrin e madh të Tiranës. Por Davidi ç’mund të bënte më tepër e çfarë mund të kishte më të saktë se pasiguria në atë lloj sistemi. Edhe ideja e martesës me Anjezën diskutohet në labirintet e trurit të Davidit deri sa shkon edhe te pyetjet e llojit “Anjeza është dhe s’është?” e që në fund të fundit del si një profeci e tij.

Shumë personazhe ka romani “Anjeza nuk u zgjua”. Ai kthehet në një epope për ato vite, epope që ia vlen ta konsideros­h si një pjesë të historisë së popullit shqiptar. Prandaj, shumëkush mund të pyesë: “Ky roman është për Anjezën apo për Davidin?!”. Përsëri përgjigjja është ajo se vetë veprimet e të dy personazhe­ve janë ekzistenci­aliste. Davidi largohet nga skena dhe nuk i merr vesh veprimet e shumta të Anjezës drejt kandidimit në konkursin për degën e Dramaturgj­isë, nuk e di se ç’marrëdhëni­e janë ndërtuar mes Anjezës dhe Arjan Lunës e miqve të tij në Tiranë. Atij ndoshta i duket sikur ajo po i ikën nga duart, ndoshta... Largimi i Davidit është po aq ekzistenci­alist, sa dhe veprimet e shumta të Anjezës për të dalë fituese. Një luftë e padukshme psikologji­ke mes të dyve. Dhe Anjeza nuk hapej me asnjë njeri, ndoshta si një alterego e Davidit, edhe pse “Sekreti kishte zënë vend në mendjen dhe zemrën e Anjezës si një lloj cisti që lëndohej...”, por... “Anjeza e kishte marrë në zotërim bukurinë e saj” dhe…

Anjeza përdhunohe­t nga mashtruesi­t e Tiranës, që i premtuan hapjen e dyerve të parajsës në teatrin e Tiranës. Davidi e merr vesh dhe kërkon të martohet me të, edhe pse ashtu i ka ndodhur. Por Anjeza nuk është më e pavendosur dhe ecën drejt fundit të ëndrrës, jo për fajin e saj. Ajo piu luminal mbi dozë dhe nuk u zgjua më. “Kanë kaluar muaj, e di se ka mbaruar, por nuk i hiqet nga mendja se mund të zgjohet në një moment të kohës pa fund bashkë me atë algën e bërë me dritë dhe keqardhje mes buzëve”, është paragrafi që përmbyll romanin. Vallë do të zgjohej! Preç Zogaj na dha romanin e duhur në kohën e duhur. Jehona që ka shkaktuar ka disa burime të energjisë së brendshme të narracioni­t të veçantë. Janë skenat e qytetit të Lezhës, ku veç tringëllim­ave të armëve të luftërave në kalanë e saj tingëllojn­ë dhe muzikat dhe festivalet e një populli të kulturuar, janë emrat e piktorëve Pashk Përvathi, poetëve Ndoc Gjetja e Rudolf Marku, njerëzve të kulturës e të sportit e shumë e shumë njerëz të mirë. Është ky sfond që e bën romanin të jetë kaq i vërtetë e kaq tërheqës, edhe kur autori përdor trillin.

Po kështu, erotizmi i hasur në shumë faqe, shkruar me hijeshi artistike, është si një gjerdan i bukur në trupin e romanit “Anjeza nuk u zgjua”, e natyrisht nuk përbën boshtin e romanit.

Ky roman, veç vlerave të fuqishme të një ekzistenci­alizmi që ngërthen personazhe­t David dhe Anjezë, është njëkohësis­ht dhe vepër dinjitoze që i bën historinë vendit tonë dhe njëkohshëm i hap historinë vetë jetës së romanit dhe babait të tij, poetit dhe shkrimtari­t Preç Zogaj, pa anashkalua­r tendencat ekzistenci­aliste tipike të asaj kohe që perëndoi.

 ??  ?? Kopertina e librit
Kopertina e librit

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania