Panorama (Albania)

Opozitë parlamenta­re? Buxheti kalon me më shumë se 86 vota

-

Seanca e djeshme plenare, e dyta për këtë javë edhe e parafundit për këtë sezon parlamenta­r, kishte në rendin e ditës një listë të gjatë projektlig­jesh dhe aktesh për t’u miratuar. Por edhe kjo seancë në Kuvend provoi forcën e maxhorancë­s dhe thuajse inekzisten­cën e opozitës, pasi asnjë ligj nuk mori më pak se 80 vota. Shumë pak vota kundër dhe akoma më pak abstenime ishin në 11 ligjet dhe 2 aktet normative që u miratuan dje. Por ajo që bëri më shumë përshtypje ishin 86 votat pro ndryshimit të buxhetit, në një kohë kur në sallën plenare Grupi Parlamenta­r i PS- së nuk ishte i plotë, pasi kishte disa mungesa. Por pavarësish­t mungesave të deputetëve socialistë në sallë, votat pro u kompensuan nga opozitarët e rinj që edhe në seancën e djeshme nuk nguruan që të dalin në krah të maxhorancë­s dhe t’i mbështesin aktet e paraqitura. Në një vështrim të të gjitha ligjeve dhe akteve që u miratuan dje në Kuvend, asnjë prej tyre nuk ka marrë me pak se 80 vota, por kishte edhe nga ata në të cilat qëndrimi i deputetëve ishte thuajse unanim. Ishte pikërisht projektlig­ji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 45/ 2015 ‘ Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish- Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë’”, i cili u miratua me 95 vota pro, 10 kundër dhe 1 abstenim.

Sakaq përtej votave të hedhura në fletën që iu paraqitet nga shërbimet e Kuvendit, në seancën e djeshme pati shumë pak opozitë edhe në fjalimet që deputetët mbajtën nga foltorja. Vetëm deputeti Halit Valteri u përpoq që të tregonte disa arsye pse ishte kundër rishikimit të buxhetit të bërë nga qeveria, duke sjellë si kontest gjendjen e rënduar ekonomike të vendit, të cilën e krahasoi me vitin e errët 1997. Po ashtu edhe opozitari tjetër Myslim Murrizi në fjalën e tij qëndrimin kundër nuk e pati me asnjë nismë ligjore që ishte në rendin e ditës, por me një tender që kishte zhvilluar Ministria e Brendshme në lidhje me uniformat e punonjësve të Policisë së Shtetit.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania