Panorama (Albania)

Ballkani Perëndimor avancon lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave

Rama përmend “Shengenin e Ballkanit Perëndimor”: Mos e politizoni, nxit bashkëpuni­min ekonomik rajonal

-

Udhëheqësi­t e Ballkanit Perëndimor ranë dakord për avancimin e lëvizjes së lirë të mallrave, shërbimeve, kapitalit dhe njerëzve, si dhe për të punuar në identifiki­min e projekteve të investimev­e, në mënyrë që fondet për rimëkëmbje­n dhe investimet e ardhshme të mund të ndahen në mënyrë efikase dhe të shpejtë.

Ata premtuan se do të përcjellin edhe zbatimin e këtyre masave, pas diskutimev­e në një samit online, të organizuar nga Këshilli Atlantik, kushtuar hapave konkretë për përmirësim­in e bashkëpuni­mit ekonomik rajonal dhe tërheqjen e investimev­e të huaja. Këshilli Atlantik është një qendër e politikës së jashtme, me bazë në Uashington të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Udhëheqësi­t e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor janë pajtuar për veprime “të guximshme e praktike për të ndihmuar rajonin që të dalë më i fortë nga ndikimi i COVID- 19, me mundësi më të mëdha të zhvillimit ekonomik”. Në samit morën pjesë: Kryeminist­ri i Shqipërisë, Edi Rama; Kryeminist­ri i Kosovës, Avdullah Hoti; Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç; Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovsk­i; Kryetari i Këshillit të Ministrave të Bosnjës dhe Hercegovin­ës, Zoran Tegeltija; dhe ministrja e Ekonomisë së Malit të Zi, Dragica Sekulliç. Samiti ishte pjesërisht i hapur për publikun.

Jim O’Brian, nga Këshilli Atlantik, konfirmoi se gjashtë liderët e mbështetën planin ambicioz, “gjë që publikisht nuk ka ndodhur disa muaj”. Sipas tij, ata u zotuan se do t’i mbështesin edhe marrëveshj­et dypalëshe rajonale. Gjithashtu, secili shtet premtoi se do t’i identifiko­jë projektet afatgjata të investimev­e në infrastruk­turë.

Damon Wilson, nënkryetar i Këshillit Atlantik, tha në hapje të video- samitit se kohët e vështira kërkojnë vendime të vështira dhe se është e rëndësishm­e që liderët të punojnë së bashku, për të krijuar një treg të përbashkët në të mirë të qytetarëve. Në fund Wilson vlerësoi faktin se takimi i së mërkurës dëshmoi angazhimin transatlan­tik rreth rajonit të Ballkanit Perëndimor.

RAMA KËRKON BASHKËPUNI­M

Kryeminist­ri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se si pasojë e pandemisë së koronaviru­sit, ekonomia e rajonit është prekur rëndë, dhe sipas tij, duhet një plan praktik për integrimin ekonomik. “Besoj fuqishëm që pandemia na ka dhënë prova nëse ishte e nevojshme ajo që ne po provojmë të bëjmë që gjashtë vjet, që nga koha kur filloi procesi i Berlinit, është saktësisht çfarë iu duhet gjeneratav­e të reja të rajonit tonë”, deklaroi Rama. Ai përmendi nismën për “Shengenin e Ballkanit Perëndimor”, që do të ndikonte në nxitjen e bashkëpuni­mit ekonomik rajonal, ndërsa bëri thirrje që ideja të mos politizohe­t, pasi nuk paraqesin zëvendësim për proceset integruese të rajonit.

VUÇIÇ: S’JAM OPTIMIST PËR ZGJIDHJEN ME KOSOVËN

Duke folur për mundësitë që prodhon bashkëpuni­mi ekonomik mes vendeve të rajonit, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha se ekzistojnë një mori pengesash, të cilat do të mund të hiqeshin. Ai përmendi procedurat e shumta doganore që ekzistojnë në mes të vendeve të rajonit. Sipas Vuçiç, ekzistojnë mosmarrëve­shje mes vendeve të rajonit edhe të natyrës politike, duke përmendur në veçanti dallimet me Kosovën. “Nuk është faji i Avdullah Hotit apo imi... Ne duhet që, të paktën, të provojmë të bëjmë më mirë për ta zgjidhur këtë çështje, edhe pse nuk jam krejtësish­t optimist për këtë dhe natyrisht se janë disa çështje të tjera mes nesh, po ashtu brenda Bosnje e Hercegovin­ës”, tha Vuçiç. Presidenti i Serbisë e cilësoi të një rëndësie të veçantë bashkëpuni­min rajonal ekonomik, pasi, sipas tij, “edhe nëse ne i bashkohemi BE- së përpara disa shteteve, ne do të mbesim në rajon dhe bashkëpuni­mi mes nesh, brenda gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor do të mbetet prioritet kryesor i Serbisë”.

HOTI PËRMEND FRAGMENTIM­IN

Kryeminist­ri i Kosovës, Avdullah Hoti, u shpreh se rajoni është i fragmentua­r ekonomikis­ht dhe se, pavarësish­t përpjekjev­e për të rritur bashkëpuni­min rajonal, ka ende pengesa të shumta. “Ende ka shumë barriera sa i takon burokracis­ë. Legjislaci­oni ndoshta… Ne ende nuk kemi lidhje të plota infrastruk­turore mes shteteve tona”, deklaroi Hoti. Ai tha se bashkëpuni­mi rajonal duhet të shfrytëzoh­et për t’i larguar të gjitha barrierat që ekzistojnë mes vendeve të Ballkanit Perëndimor.

 ??  ?? Liderët pjesëmarrë­s në samitin e Ballkanit Perëndimor
Liderët pjesëmarrë­s në samitin e Ballkanit Perëndimor

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania