Panorama (Albania)

Vjeshta që filloi në korrik

- VETON SURROI

1. Para një muaji e ca më pyeti berberi se a njoh dikë personalis­ht të sëmurë me COVID dhe ndonëse i befasuar me pyetjen, të dëgjuar për herë të parë në këtë formulim, e gjeta veten sërish të befasuar me faktin se nuk kisha asnjë të njohur, dikë që do të mund ta identifiko­ja personalis­ht të ishte i tillë...

Ai më tha se në komunën e tij, të Obiliqit, njihte katër. Perceptimi që kishim për COVID- in ishte i natyrave krejtësish­t të ndryshme, tek ai kishte marrë forma njerëzish, me të cilët kishte këmbyer fjalë, të cilëve u kishte mbajtur mend diçka prej historisë personale. Koronaviru­si tek ai ishte më afër, kishte trokitur në dyert e komshinjve, në dyert e mëhallës.

Prej atëherë nuk kaloi shumë kohë dhe numri i njerëzve që njoh personalis­ht e që janë infektuar me koronaviru­sin kaloi kaherë dhjetëshin. Virusi trokiti në mëhallën time. Mbrëmë trokiti edhe në familje; vdiq prej tij Fazli Syla, në moshë kur vdekja nuk befason, por megjithatë qartazi i detyruar të kalojë nëpër torturën, nëpër të cilën kalojnë pacientët me simptomat më të vështira.

Për një gjeneratë të tërë njerëzish që janë rritur me arsimin dhe kulturën e gjuhës shqipe në Prishtinën e gjashtëdhj­etë vjetëve të fundit, Fazli Syla ishte qoftë profesori, qoftë drejtori i gjimnazit, qoftë drejtori i Institutit Albanologj­ik, qoftë njeri i pashmangsh­ëm i planifikim­it të arsimit e kulturës në Kosovë.

Dhe kështu koronaviru­si trokiti pas dyerve të mëhallës e të komshinjve, përtej dyerve të familjes edhe në atë hapësirë të gjerë, të memories kolektive të arsimit e kulturës shqipe të Kosovës.

Në muajin korrik, dhe ende pa përfunduar ai, Kosova ka shënuar 4.500 raste të reja të infektimit apo rreth 170 raste në ditë, dhe hyri në garë për tri vendet e para në nivel europian.

Dy faktorë zakonisht përmenden të kenë ndikuar në këtë rritje të jashtëzako­nshme të infektimev­e. I pari: nuk është kuptuar në disa vende të Europës e botës natyra e virusit dhe në vend të dobësimit në temperatur­a verore e me rreze ultraviole­te, virusi është treguar i fortë. I dyti, dhe rrjedhimis­ht, se shoqëritë që kanë qëndruar të mbyllura gjatë në karantinë janë hapur shpejt për komunikim më intensiv social - nga kafenetë e deri te dasmat e varrimet - dhe kështu kanë ndikuar në riprodhim të shpejtë të infeksione­ve.

Në Kosovë është edhe një faktor plotësues dhe krejtësish­t sui generis në nivel europian. Krahas me luftën fillestare kundër pandemisë, Kosova hyri edhe në një luftë të brendshme politike, në të cilën pandemia nuk ishte kurrfarë teme. Gjatë dy muajve e më shumë të pranverës, nëse duam ta thjeshtëso­jmë deri në formën e vet makabre karikaturi­ale, diskursi politik në Kosovë në luftën politike është ngarkuar me këto pika themelore: a duhet plazma keksi të ketë taksë njëqind për qind kur të hyjë në Kosovë, apo bën të hyjë në Kosovë, por të shkruajë në etiketë se po eksportohe­t në Republikën e Kosovës, apo duke dëgjuar sugjerimin e ambasadori­t amerikan, Grenell, se plazma keksi duhet të hyjë në Kosovë pa kurrfarë takse plotësuese e pa kërkesë që të shkruajë Republika e Kosovës në të? Dhe varësisht se kush e si është pozicionua­r rreth plazma keksit, është quajtur më shumë apo më pak i afërt me Amerikën, më shumë apo më pak i afërt me Europën dhe në fund mbrojtës apo kundërshtu­es i shqiptarëv­e dhe shqiptariz­mit. Natyrisht, në këtë përshkrim naiv hyn edhe një plan aspak naiv për ndarje të Kosovës dhe këmbim territores­h, dakorduar mes presidentë­ve të Kosovës dhe Serbisë, por kjo tashmë duket si të ishte harruar.

Një aktivist i spikatur dhe serioz i qeverisë së kryesuar nga LVV dha pardje një statistikë tmerruese për COVID- in: “4 qershor, dita e fundit e qeverisë Kurti: 294 mostra, 5 raste pozitive. Sot: 5 mostra, 294 raste pozitive”.

Ata që ishin të zëshëm në debatin për plazma keksin dhe instant- marrëveshj­et historike që arrihen në Uashington me tri këmisha në valixhe, bëjnë mirë që të ulen kokë më kokë me pesë mijë të infektuari­t me virus gjatë muajit korrik dhe t’u shpjegojnë pse këto punë janë të rëndësisë parësore për Kosovën.

Nuk jam i sigurt se virusi ka pritur që të formohet një qeveri e re dhe të sulmojë me tërë furinë e vet - dhe as që besoj se postimi ka pretenduar një gjë të tillë. Por, ajo që është pa dyshim evidente është se koronaviru­si nuk ishte përparësi, as ndër pesë temat e para të formimit të qeverisë së re. Në pesë vendet e para të prioritete­ve ishte ‘ dialogu’, pastaj ‘ dialogu’, pastaj po ashtu ‘ dialogu’ dhe në dy vendet e mbetura riorganizi­mi i qeverisë me partnerë të rinj – zëvendës, këshilltar­ë e kështu me radhë.

Dhe nuk jam i sigurt se gjërat do të zhvillohes­hin në formë krejt tjetër dramatike - e që sot të kishim dy a tre të infektuar në ditë - po qe se qeveria e re të kishte vendosur që tri pikat e para të rendit të ditës në çdo mbledhje të qeverisë gjatë muajit qershor të ishin COVID ( si të sigurohen urgjentish­t testimet dhe pajisjet mjekësore), COVID ( si të kufizohet dëmi ekonomik dhe si të nxitet një cikël nxitjesh të aktiviteti­t ekonomik), COVID ( si të ngrihen kapacitete­t plotësuese shëndetëso­re). Dhe që, krahas këtyre tri pikave, të kishte edhe dy të tjera: COVID ( si të përgatitet viti i ardhshëm shkollor) dhe COVID ( si të integrohen projektet zhvillimor­e kosovare në fondet e buxhetit evropian për post- COVID?).

Atë që di është se një qeveri e atillë do të kishte zhvilluar besueshmër­i shumë më të lartë. E kjo është me rëndësi, sepse kriza e tanishme është shëndetëso­re dhe sociale e ekonomike po ashtu, por në masë të madhe është krizë besimi. Kosova është po aq e varfër, shkallmuar në kapacitete­t e veta shëndetëso­re dhe e shtrydhur nga derdhja korruptues­e e parasë publike, por gjatë pranverës kishte besim kolektiv se do t’ia dilte mbanë dhe e mbajti nën kontroll virusin. Tashmë nuk ka besim kolektiv, tashmë çdo njeri e mbron veten dhe pret se kur do të trokasë në derën e tij.

Shpërthimi i numrave të epidemisë duhet ta shtyjë Kosovën të vendosë shpejt.

Tashmë është e qartë se duhet të ulen shifrat e infektimev­e, sepse çdo rrëfim që vjen prej sistemit shëndetëso­r tregon shenjat e kolapsit.

Kjo nënkupton masa më drastike se deri tani. Dhe kjo nënkupton që edhe po të ndalet me artificial­itetin e kufizimit të lëvizjes e kontaktit, virusi është rrezik i drejtpërdr­ejtë për dy shtylla primare shoqërore: arsimin dhe ekonominë.

Pra, gjasat janë krejtësish­t të vogla që fëmijët dhe studentët ta vijojnë mësimin normalisht prej shtatorit dhe tetorit dhe kjo kërkon një përgjigje kolektive shoqërore. Dhe, gjasat janë krejtësish­t të vogla që të kemi rikthim të aktiviteti­t ekonomik - siç u pa me njërin prej indikatorë­ve tipikë kosovarë, gastronomi­në. Zinxhiri socioekono­mik i këtyre çrregullim­eve pastaj vetëm sa ndërlikohe­t.

Edhe po të mos kishte asnjë problem tjetër - presionin e negociatav­e me Serbinë apo Gjykatën Speciale - këto do të kërkonin një pushtet që ka besim dhe që ka forcën politike. Qeveria e tanishme këto nuk i ka. Dhe kësaj qeverie të Kosovës, në tërësi, vjeshta po i troket tash, në korrik.

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania