Panorama (Albania)

Nga Aleksandri i Madh te Lenini, saga e jetëve të 5 figurave historike

Nga Aleksandri i Madh e dritëhijet mbi Luigjin XIV, te Lenini si manipulato­r e bashkëjete­sa e tij me të dashurën dhe gruan

-

"Nëse historia e njerëzimit do të shkruhej si një roman, më i bukuri dhe më interesant­i do të ishte ai që trajton në kompleks figurat legjendare të saj".

Pas suksesit të vëllimit të parë, "Saga e Jetëve Legjendë", të botuar plot katër herë, gazetari Arjan Konomi vjen me një tjetër rrëfim të jashtëzako­nshëm të pesë personazhe­ve të njohur historikë, sa të suksesshëm ( e ndonjëherë edhe fatalistë), aq edhe të mbështjell­ë nga misteri. Nga balerina Mata Hari, shkencëtar­ja e dy çmimeve "Nobel", Mari Kyri, Aleksandri i Madh, Luigji XIV, deri te Vladimir Ilic Lenin, vëllimi i dytë i "Sagës" rrëfen jetët e këtyre personazhe­ve, epokat në të cilat jetuan, politikat, ndryshimet, e, siç thotë autori, "zhvillimet e të tërë asaj që vlen të përmendet në historinë e shoqërisë njerëzore".

Një libër që hedh dritë mbi jetën e balerinës holandeze të akuzuar si agjente, famën e beftë të Mata Harit në skenat më të mëdha europiane, dashuritë, si dhe një "skicë" e spiunazhit dhe kundërspiu­nazhit në ato vite. Si "antipod" i saj vjen Mari Kyri, si një nga mendjet më gjeniale që ka njohur historia e njerëzimit e që, siç thotë Konomi, "qëndron ende e vetme në majën e Olimpit të shkencës". Gazetari rrëzon "muret" e jetës së saj private, duke gërmuar aty ku ajo gjeti kurajën e këmbëngulj­en për të sfiduar mentalitet­in e rrëzuar çdo limit të imponuar ndaj intelektit femëror. Fakte të panjohura të jetës së saj private dhe si ndikuan ato në punën e saj.

Sekretet e udhëheqësv­e të tri epokave, duke nisur nga Aleksandri i Madh si strateg, gjeni të artit ushtarak, politikës e oratorisë së pashoq, "Mbreti Diell" e misteret e lavdisë së tij. Konomi tregon Luigjin XIV e dritëhijet e tij. A është Luigji XIV një mbret i urryer apo promotori i një shekulli? A e dëmtoi Francën apo e zhvilloi më shumë atë? Janë vetëm disa nga pyetjet që gazetari shtron në rrëfimin e tij.

Një libër që rrëzon arnimet e historisë me falsitete, sa i përket Revolucion­it të famshëm Bolshevik. Konomi tregon Leninin si "mjeshtër të përsosur të manipulimi­t, djallëzisë dhe shkatërrim­it"...

Zoti Konomi, sillni për lexuesin librin e dytë "Saga e Jetëve Legjendë 2". Në fokus të rrëfimit tuaj janë 5 personazhe: Lenini, Mata Hari, Luigji XIV, Mari Kyri dhe Aleksandri i Madh. Pse u ndalët pikërisht te këta emra?

Përzgjedhj­a e personazhe­ve të "Sagës 2" ka qenë një nga pikat kyçe, mbi të cilën kam reflektuar shumë. Madje, mund të them se gjatë dy viteve të shkrimit të këtij libri edhe kam ndryshuar mendim rreth emrave, mbi të cilët do shkruaja. Dëshira e madhe ishte në radhë të parë të sillja jetën e Aleksandri­t të Madh, rrugëtimin legjendar të tij, jetën e tij, betejat, politikat dhe vizionet e një strategu të papërsërit­shëm më vonë gjatë historisë së njerëzimit. Një shembull i pakrahasue­shëm për shumë figura të tjera të shquara në shekuj që pasojnë. Kjo ka qenë një ide që më ka ngacmuar që në vëllimin e parë të "Sagës", ku mungonte një personazh i lashtësisë.

Njëkohësis­ht më intrigonte shumë figura e Vladimir Iliç Leninit, liderit që ndryshoi botën duke hapur një epokë të re në historinë e saj, në sajë të atij revolucion­i që njihet botërisht si Revolucion­i Bolshevik. Pikërisht e tërë historia e thënë deri më sot dhe e mësuar në Shqipëri prej disa brezave, është krejtësish­t e manipuluar, e shtrembëru­ar dhe me mungesë të fakteve të mëdha historike të zbuluara vetëm pak vite më parë, të cilat paraqesin dritëhijet e këtij personazhi legjendar, një mjeshtër i përsosur i manipulimi­t, djallëzisë dhe shkatërrim­it, ku ambicia personale për pushtet justifikoh­et me çështjen e proletaria­tit dhe shtyn në të tilla lëvizje politike të paraqitura nëpërmjet faqeve të këtij libri. Për më tepër, gjithë ajo propagandë e Revolucion­it Bolshevik nuk është gjë tjetër, veçse një falsifikim i madh i historisë që u është dhënë për ta besuar si të vërtetë mbarë botës. Ndërsa historia e mëvonshme ka kritikuar figurën e Stalinit dhe nuk është marrë me atë të Leninit, duke e lënë në piedestali­n e liderit botëror, në librin tim zbulohet e vërteta e madhe e sjellë nga studiuesit më të mëdhenj të kohës, duke na krijuar një portret të ri të tij.

Ndërsa Mbreti Luigji XIV, apo i njohur si Mbreti Diell, vjen si një zbulim i ri i këtij personazhi emblematik në historinë botërore, por tepër i denigruar edhe nga vetë francezët, të cilët e kanë paraqitur si shembullin më të keq të absolutizm­it, despotizmi­t dhe regresit. Kjo, për faktin edhe të ndikimit të ngjarjeve të mëvonshme, kur në Francë, në emër të frazës së famshme "Liri, Barazi, Vëllazëri", vranë e prenë mijëra koka të pafajshme dhe errësuan duke e lënë mënjanë rolin dhe figurën e Luigjit XIV, që është themeluesi i shteti modern europian. Pata shtysë në përzgjedhj­en e tij nga një libër i iluministi­t të shquar Volter, i cili e lartëson këtë periudhë si një nga më të ndriturat e Europës dhe të botës.

Cilat janë burimet që keni marrë si referencë për të hedhur dritë mbi pjesën më pak të njohur të këtyre figurave dhe sa kohë ju desh për të shkruar librin?

Për të shkruar librin më është dashur më shumë se dy vjet, pasi është një punë voluminoze kërkimore, përpara se unë të filloja të shkruaja historinë, e cila është ndërtuar në formë krejtësish­t origjinale, duke e bërë si skenarin e një filmi dhe jo si jetën e një personazhi, për të qenë sa më e këndshme dhe më e lexueshme.

Puna kërkimore konsiston në dy faza të rëndësishm­e. E para është një kërkim mbi gjithë biografët e mëdhenj të këtyre personazhe­ve, të cilët kanë hulumtuar për vite të tëra në shumë vende të botës për të zbuluar nga arkivat dokumente të panjohura më parë, si dhe ditarët, letrat apo shkrimet që personazhe­t mund të kenë lënë. Pas kësaj, nis studimi i tyre dhe përzgjedhj­a e elementëve, të cilët unë mendoj se janë interesant­ë për t'i treguar në biografinë time, natyrisht nëpërmjet një rrëfimi timin, krejtësish­t të ri nga ana stilistike dhe letrare. Gjithçka është e bazuar në fakte të vërteta, qoftë edhe sa u përket dialogëve të personazhe­ve apo opinioneve, përshtypje­ve dhe kritikave të autorëve më prestigjio­zë që kanë shkruar rreth tyre. Dhe kjo, e përmbledhu­r në afro 85 faqe të librit. Pra, është një koncentrim i madh i një jetë vullkanike dhe të jashtëzako­nshme, e cila duhet sjellë bukur dhe në mënyrë të këndshme, që lexuesit mos t'i duket si një tekst shkollor historie.

Cili ka qenë ai personazh që ju ka befasuar më shumë gjatë kërkimeve tuaja? A mund të na zbuloni ndonjë "të fshehtë" të tij?

Pavarësish­t se personazhe­t duken si shumë të njohura, e vërteta është se ne dimë shumë pak për ta, sidomos për jetët private të tyre. Në rreshtat e librit paraqitet si në një roman jeta private e këtyre personazhe­ve, dashuritë e zjarrta, emocionet përvëluese, pasionet shkatërrim­tare, dështimet dhe vuajtjet, të cilat na japin një mësim shumë të madh për jetën për secilin nga ne: që asnjëherë nuk duhet të tërhiqemi, pavarësish­t dështimit, që asnjëherë nuk duhet të na kapë pesimizmi edhe atëherë kur gjithçka duket se ka marrë fund, që kurrë nuk duhet humbur shpresa se vjen një ditë që njeriu mund t'ia dalë në çdo vështirësi, sado e pamundur të duket për t'u përballuar, e cila mund të çojë edhe në një sukses të jashtëzako­nshëm, siç ka ndodhur me këto personazhe.

Mund të veçoj një fakt të ri të zbuluar mbi Leninin, i cili kishte një të dashur franceze, që mbërriti bashkë më të në Moskë dhe në periudha të ndryshme Lenini, bashkëshor­tja dhe ajo jetuan të tre, duke pasur një marrëdhëni­e treshe. Edhe pse francezja ishte një figurë shumë e njohur publike deri në vdekjen e saj, historiogr­afia bolshevike, pasi rrëzon monumentin e saj në Sheshin e Kuq të Moskës, fshin edhe emrin dhe jetën e saj nga historia. Së fundmi ka dalë një letërkëmbi­m dashurie i dendur i Leninit me të, një pjesë të të cilit e sjell në këtë libër.

Tre udhëheqës që u përkasin epokave e qytetërime­ve të ndryshme, Aleksandri i Madh, Mbreti Luigji XIV dhe Lenini. Cilat qenë elementet "ushqyese" të suksesit të tyre, a kanë pika takimi mes tyre?

Është e vërtetë që janë tre udhëheqës të famshëm të historisë së njerëzimit dhe jo rastësisht i kam përzgjedhu­r të epokave të ndryshme. Lexuesi shkon dy mijë e treqind vjet më parë në kohën e Aleksandri­t të Madh, duke njohur qytetërimi­n e asaj epoke, atë maqedonas, helen dhe persian, por edhe fenikas e babilonas, duke zbuluar perandorin­ë e fuqishme shekullore persiane, si dhe vende e popuj që shtrihen në territoret e botës së njohur deri atëherë, e cila shkonte deri në Indi. Pastaj shkojmë katërqind vjet më parë, me Luigjin XIV dhe kuptojnë se cila është Franca dhe Europa e asaj kohë, si funksionon­te shteti dhe cila ishte shoqëria e asaj epoke, si dhe konfliktet dhe marrëdhëni­et e shteteve midis tyre. Më pas spostohemi njëqind e tridhjetë vjet përpara, me Leninin, duke zbuluar Rusinë cariste dhe zhvillimet politike europiane të asaj kohe, përfshirë Luftën e Parë Botërore dhe pasojat e saj. Pra, është një udhëtim mes shekujsh për të kuptuar dhe njohur politikën, nëpërmjet këtyre tre personazhe­ve. Natyrisht, për një mendje që ka etje dhe kuriozitet për të njohur dhe për të mësuar sa më shumë.

Ndalemi te dy figurat femërore që janë pjesë e "Sagës", balerina holandeze Mata Hari, e njohur për akuzat që iu bënë si spiune, dhe shkencëtar­ja e radioaktiv­itetit, Mari Kyri. Dy femra që kanë jetuar në të njëjtën epokë, por me jetë krejtësish­t të ndryshme. Cila e pati më të lehtë të arrinte famën dhe çfarë e ndihmoi? Hari njihet për jetën e saj personale të trazuar, po për Kyrin ç'mund të themi në këtë aspekt?

E vërtetë. Dy femra që kanë jetuar njëkohësis­ht dhe aq të ndryshme, personazhe legjendare me jetë të jashtëzako­nshme publike dhe private. Antipodet e këtyre dy personazhe­ve më shtynë në përzgjedhj­en e tyre. Duke dashur të shuaj kërshërinë e atyre që janë më të pasionuar për shkencën, përzgjodha Mari Kyrinë, ndërsa për ata që janë më tepër të pasionuar pas artit dhe spiunazhit përzgjodha Mata Harin. Qëllimisht zgjodha një epokë të përbashkët, pasi fillimi i shekullit të kaluar është aq i afërt për ne, por njëkohësis­ht edhe shumë i panjohur, për të sjellë një panoramë të asaj periudhe të artë të shoqërisë njerëzore, e cila do të degjeneron­te në dy luftëra botërore. Por të dyja këto personazhe kanë shumë pika të përbashkët­a për sa u përket jetëve private të tyre. Ato i bashkon dhimbja, vuajtja dhe shkatërrim­i që të lë gojëhapur, duke mos e besuar për të qenë një e vërtetë.

Ju keni shkruar në fund të librit se jetët e këtyre personazhe­ve legjendare përbëjnë romanin më të bukur të historisë së njerëzimit. Ç'doni të thoni me këtë?

Mendoj se nëse historia e njerëzimit do të shkruhej si një roman, ai më i bukuri, më interesant­i dhe më i ploti do të ishte sjellja e figurave legjendare të saj, me jetët e tyre, të cilat na sjellin epokat, politikat, ndryshimet, zhvillimet dhe të tërë asaj që vlen të përmendet në historinë e shoqërisë njerëzore. Me një fjalë, përbëjnë romanin më të bukur të historisë së njerëzimit.

Lenini kishte një të dashur franceze. Ai jetoi bashkë me të dhe bashkëshor­ten, duke pasur një marrëdhëni­e treshe. Edhe pse francezja ishte një figurë shumë e njohur publike deri në vdekjen e saj, historiogr­afia bolshevike, pasi rrëzon monumentin e saj në Sheshin e Kuq të Moskës, fshin edhe emrin dhe jetën e saj nga historia

 ??  ?? Arjan Konomi
Arjan Konomi
 ??  ??
 ?? Arjan Konomi ??
Arjan Konomi

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania