Panorama (Albania)

Ruanin arën me misër, dy vëllezërit plagosen nga hajduti, vdes 65- vjeçari

Ngjarja e rëndë ndodhi mesnatën e së mërkurës në Xhafzotaj të Durrësit, viktima Fiqiri Çalliku u qëllua me thikë

- Aida Hajnaj

Përfundon në tragjedi një përleshje mes dy vëllezërve dhe hajdutit të misrave në Xhafzotaj të Shijakut.

Në përleshje e sipër, hajduti qëllon me thikën që priste misrat të dy vëllezërit Çalliku, njëri prej të cilëve ndërroi jetë, ndërsa tjetri arriti të mbijetojë falë edhe ndërhyrjes në kohë të bluzave të bardha. Sipas Policisë, si pasojë e përleshjes mbeti i vdekur Fiqiri Çalliku, ndërsa u plagos rëndë edhe vëllai i tij, Fadili. Vëllezërit Fiqiri dhe Fadil Çalliku, përkatësis­ht 65 dhe 63 vjeç, kanë qenë në tokën e tyre kur janë përfshirë në konflikt dhe janë dëmtuar me mjet prerës gjatë tij. Fiqiri Çalliku, 65 vjeç, ka marrë më shumë plagë dhe si pasojë e tyre ka ndërruar jetë në Spitalin Rajonal Durrës, ndërsa vëllai i tij ndodhet nën kujdesin e mjekëve. Grupi hetimor ka shoqëruar disa persona, si dhe ka sekuestrua­r prova materiale në vendngjarj­e që të zbardhë ngjarjen, të identifiko­jë dhe kapë autorin e saj.

NGJARJA Vëllezërit Fiqiri dhe Fadil Çalliku, me banim në fshatin Xhafzotaj, kishin kuptuar se dikush u vidhte misrin në pronën e tyre, që ndodhet vetëm pak metra larg shtëpive. Ata kishin menduar të bënin roje me qëllim që të kapnin ose t’i jepnin një “mesazh” autorit që të mos shkonte më për të vjedhur, pasi ata po e ruanin pronën e tyre. Pranë arës me misër, mbrëmjen e ngjarjes ishte Fiqiriu, ndërsa vëllai i tij po qëndronte në shtëpi. Rreth orës 23: 05, në arën me misër shfaqet hajduti, i cili nisi të mbushte thesin me kallinj. Fiqiriu e pikas dhe afrohet për ta neutralizu­ar dhe ndërkohë sinjalizoi edhe vëllain e tij, Fadilin. E ndërsa ky i fundit po zbriste nga shtëpia tek ara, Fiqiriu nisi të përleshej me hajdutin në errësirë. Nga frika se mos e neutralizo­nin, hajduti e qëllon disa herë me thikë Fiqiriun, duke e lënë të shtrirë në tokë dhe të mbuluar në gjak. Në këtë moment mbërrin në vendin e ngjarjes edhe Fadili, por hajduti bën të njëjtin veprim dhe e qëllon me thikën që priste misrat, duke e lënë të plagosur dhe më pas largohet nga vendi i ngjarjes me shpejtësi. I zënë në befasi dhe për atë që ndodhi, hajduti la në vendin e ngjarjes mjetin prerës, me të cilin qëlloi dy vëllezërit. Në këtë moment, Fadili, që ishte plagosur pak më lehtë, telefonoi nipin e tij, djalin e Fiqiriut, duke i thënë: “Hajde se na vrau”. Ka qenë pikërisht ky i fundit që dërgoi me urgjencë në spital babain dhe xhaxhain të plagosur, por i ati nuk arriti t’u mbijetonte plagëve.

AUTORI Policia e Durrësit dhe ajo e Shijakut mbërritën menjëherë në vendin e ngjarjes dhe nisën hetimet për identifiki­min dhe arrestimin e autorit. Hetuesit e çështjes kanë shoqëruar disa persona si të dyshuar, që mund të kenë dijeni për ngjarjen. Ata janë kryesisht persona që pjekin dhe tregtojnë misra nëpër rrugët e qytetit bregdetar si dhe përgjatë vijës bregdetare. Në momentin e largimit nga vendi i ngjarjes, autori la thikën, me të cilën qëlloi dy vëllezërit dhe mbi të edhe shenjat e tij të gishtërinj­ve. Por, ky fakt duket se nuk e ka ndihmuar shumë Policinë, pasi shenjat e gishtërinj­ve nuk rezultojnë gjëkundi, çka do të thotë se kemi të bëjmë me një autor që nuk ka as pasaportë dhe as kartë identiteti. “Shenjat e gishtërinj­ve nuk rezultojnë kurrkund. Ndaj, ne dyshojmë se autori duhet të jetë nga ata persona që shesin misra të pjekur nëpër rrugët e Durrësit apo përgjatë vijës bregdetare, person i cili nuk ka as pasaportë dhe as kartë identiteti. Po mbajmë nën monitorim të gjithë ata persona që merren me këtë lloj aktiviteti, të tregtimit të misrave të pjekur. Kemi shoqëruar disa prej tyre dhe po i mbajmë nën vëzhgim. Kemi shumë besim se do ta zbulojmë se kush është autori kësaj ngjarje të rëndë”, tha një burim nga grupi i hetimit për gazetën.

 ??  ??
 ??  ?? Vendi ku ndodhi ngjarja
Vendi ku ndodhi ngjarja

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania