Panorama (Albania)

“Në qeli të Kadri Hazbiut, me porosi të Enverit”

"Nga qelia pranë vinin klithma të tmerrshme"

-

Ju keni drejtuar nga fillimi në fund procesin ndaj Kadri Hazbiut. Ju kujtohet takimi i parë me të në qeli?

Për herë të parë në qelinë e Kadri Hazbiut kam shkuar me urdhër të Enver Hoxhës, disa ditë pasi ishte arrestuar. Në mos gaboj, kishin kaluar tri ditë nga arrestimi i tij. Lajmin për të shkuar aty ma dha Hekuran Isai, i cili në atë kohë ishte ministër i Brendshëm…

Pra, të dërgoi Hekuran Isai te Kadri Hazbiu?

Nuk më dërgoi Hekuran Isai, por ai më thirri në telefon: "Vjen pak këtej, - më tha. - Hajde, hajde, se kam një porosi". Shkova. Një çast si mbërrita në zyrën e tij, më tha se kishte marrë një porosi nga Enveri për t'ia përcjellë Kadri Hazbiut në qeli.

Çfarë porosie kishte Enveri për Kadriun, kur kishte vetëm pak ditë që ishte përballur me të në mbledhjen e Byrosë?

Ishte një porosi e veçantë e tij. Bile, me udhëzimin që t'ia komunikont­e prokurori i përgjithsh­ëm. Kadriu i kishte bërë një letër nga burgu dhe Enveri, pasi e kishte lexuar, kishte bërë shënimin në krye të saj.

Çfarë shkruante në letër Kadriu?

Ai i shkruante Enverit se bëheshin veprime të paligjshme me të dënuarit në dhomat e izolimit. I shkruante se ata torturohen e detyrohen të bërtasin ditën dhe natën. Kështu si vazhdon kjo situatë, i thoshte, nuk dihet si do t'i dalë fundi kësaj pune. Në aq sa shkruante aty, Kadriu nuk ankohej për vete, biles i vinte në dukje se me të nuk kishte pasur të tilla veprime. Mirëpo, Enveri nuk e besonte këtë gjë dhe i kthen përgjigje Kadriut: "Mos i ke bërë vetë ti Kadri këto gjëra kur ke qenë ministër i Brendshëm?". Këtë reagim të Enverit të shprehur në letrën origjinale të Kadriut, ia çova sipas porosisë Kadriut në qeli…

Shkove vetë në qeli të Kadriut?

Jo në qeli. Në burg kishte një dhomë të veçantë që përdorej për hetime. Aty komunikova me Kadriun. E thirri roja dhe erdhi i shoqëruar.

Me mua ishte edhe Hekuran Isai. "I ke shkruar një letër shokut Enver", iu drejtova unë. "Po", ma ktheu. "Letrën e ka marrë dhe me porosi të tij po të komunikoj përgjigjen që është e shkruar aty". Ia lexova. Ia zgjata si kisha detyrën për ta lexuar edhe ai vetë. E mori, e lexoi. "Lexoje me kujdes", i thashë. "E lexova", tha ai. "A t'i kthej përgjigje shokut Enver?". "Mirë", ia bën Kadri Hazbiu. "Po për akuzën, çfarë mund të thuash?", e pyeta. "Unë i kam thënë këto gjëra. Asgjë prej tyre nuk është e vërtetë". "Pa kujtohu edhe një herë se njerëz jemi", iu drejtua një çast Hekuran Isai…

Me kaq u mbyll takimi i parë me Kadri Hazbiun?

Pasi mbaruam bisedën, sipas detyrës që kisha marrë, e pyeta se çfarë do bënte pas kësaj. "Çfarë do bëni ju, - më tha,- se unë mbarova". "Mos ke ndonjë gjë tjetër", - i thashë. "Jo", u përgjigj dhe u bë gati të çohej. Kaq ishte ky takim që pasoi me dhjetëra e qindra të tjerë deri në fund të procesit…

Për çfarë torturash e kishte fjalën Kadri Hazbiu në letrën që i shkruante Enverit?

Ai, siç ju tregova, pohonte se ndaj tij nuk ishte ushtruar asnjë lloj dhune…

Po kishte parë të tjerë që ishin torturuar…

As të tjerë nuk kishte parë të torturohes­hin, por në qelinë ku rrinte kishte dëgjuar britma e klithma nga më të ndryshmet, që i kishin krijuar përshtypje­n se aty kryheshin tortura…

A nuk ishin ato britma torturash?

Ato ishin klithma të sajuara për presion psikologji­k… Që do të thotë… Që do të thoshte, skena presioni ndaj Kadri Hazbiut. E si realizohes­hin ato? Në qelinë ngjitur me atë të Hazbiut, tre- katër punonjës të Sigurimit, aty nga mesnata, "realizonin" skenarin e torturës me kacafytje artificial­e me britma e klithma. Zhurmat e tyre krijonin një gjendje terrorizue­se. Gjithçka sajohej sikur gardiani qëllonte pa mëshirë mbi të dënuarin dhe ky i fundit rënkonte e bërtiste: "Aman, hiqe korrentin!", "Mos ma pre gjuhën!", "Bëj ç'të duash, por jo sytë". Jehona e këtyre klithmave ishte zgjidhur teknikisht që të vinte e plotë në qelinë e Kadriut, të cilit i destinohej. Me sa duket, Kadriu, që kishte disa ditë që i dëgjonte këta zëra, ishte tmerruar dhe për t'i paraprirë mynxyrës, i kishte i bërë letër Enver Hoxhës…

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania