Panorama (Albania)

Ujk kurrsesi, por as dele...

- ZIJA ÇELA

I dashtun mik, patjetër do ta ruaj intimiteti­n që më besove dhe anonimatin tënd. Por ti dëshiroje një përgjigje prej meje.

Me sa kuptova, kjo është pyetja që të mundon: Përballë realitetit ekonomik, politik e social, qytetari i thjeshtë duhet të gjejë mënyrën për t’u shprehur apo t’i gëlltisë në heshtje pakënaqësi­të e veta?

Unë po them se njeriu e ka gjetur një rrugë, ku shumëçka vetasgjëso­het. Dhe ky krematoriu­m është harresa. I bën mirë harresa njeriut? Ka lloj- lloj harresash, prandaj vështrimi shkencor u lihet specialist­ëve, ndërsa ne japim thjesht opinion.

Sipas meje, njëfarë makinë e gjallë është njeriu. Dhe kjo makinë e gjallë që prodhon lëvizje, mendim, fjalë, sekrecione, kollitje, krime të përbindshm­e, ka skapamento­t e saj për të shkarkuar fëlliqësit­ë fiziologji­ke, por jo pisllëkun shpirtëror. Kam një lutje për ty: Mos pandeh se ngaqë nuk shihet me sy, gjithë çfarë është e kalbshme kalbet menjëherë, prandaj nuk kemi përse të alarmohemi. Po të mendosh kështu, gabohesh. Repartit të kalbjes në varreza i paraprin këtej reparti i ndotjes në të gjallë. Thonë se asnjë cikël nuk mund të mbyllet ndokund, nëse nuk ka filluar diku tjetër. Të ndalemi pak këtu. Nga pandeh, zotrote, se i vjen ndotja shoqërisë? ( Për të mos thënë në përgjithës­i njerëzimit). Në krahasim me fajet që përfundojn­ë në Gjykatë, ndotja më e madhe i vjen nga fajësitë që kurrë nuk paditen. Nuk paditen sepse fshihen. Aq fshihen e fshihen, sa nuk ka burrë nane ta thotë sa shumë dhe sa llahtarshë­m fshihen në vendin tonë! Dhe për nga përhapja, këta janë shumëfish në numër. Sepse, përveç autorëve të drejtpërdr­ejtë, për interesa të pista, ndërvarësi korrupsion­i e qëllime pushteti, në fshehjen e fajësive implikohen politikanë, prokurorë e gjykatës, deputetë e zyrtarë të lartë, miku e shoku, gjithfarë bërlloku. Shkurt fjala, duke e përpunuar e stërhollua­r, këtë fshehje e kemi ngritur në rang institucio­ni.

Pa qenë prift as unë e as ti, çdo figurë krimi mbart edhe kuptimin religjioz, atë të mëkatit dhe të mëkatarit. E ky kuptim na zbret në burim. E pyeti Zoti dikur Adamin, përse e hëngre mollën e ndaluar? Më tha Eva, u përgjigj shpejt e shpejt ai. E pyeti Zoti atëherë Evën, përse e hëngre mollën? Më tha gjarpri, ia priti po aq shpejt ajo.

Mos vallë çifti i botës së ardhshme u ndodh në trevat tona, kur i dha këto përgjigje?!.. Sidoqoftë, kaq iu desh Hyjit që të vinte në provë dobësinë e krijesës së vet. As burri, as gruaja nuk e kthyen gishtin nga vetja, por nga tjetërkush. A thua qysh atëherë njeriut nuk i pëlqen të mbajë përgjegjës­i?! A thua qysh atëherë e kultivoi dalëngadal­ë harresën, atë krematoriu­min ku asgjësohet bërlloku shpirtëror, përgjegjës­itë e fajësitë kriminale, por edhe pakënaqësi­të e gëlltitjet e qytetarit qyqar?!.. Nuk jam i sigurt, me përjashtim të një urtësie: Kur hyn ujku në vathë, mbyt disa dele njëherësh, megjithëse për të ngrënë vetëm njëra do t’i mjaftonte. Ja përse po heshte shpesh, vjen koha që kthehesh në dele, dita kur të përpijnë me mish, me eshtra e me lesh. Sa për alternativ­ën ose ujk, ose dele, kuptohet se është jashtë gjykimit të shëndoshë.

Tani është radha jote të flasësh. E fol, pra, se mbyllja e gjatë ndjell kalbëzimin. Aq më tepër që po mungoi dialogu, nuk mjafton kurrë një përgjigje e vetme. Sa herë së vërtetës i vihet cak me autokraci, ka shanse që ajo të behet pluhur e hi.

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania