Panorama (Albania)

Banka Botërore: Ekonomia do të shënojë rënie me 8.4%

Raporti: Rimëkëmbja do të jetë e ngadaltë, me 5% vitin e ardhshëm

-

Ashtu si Fondi Monetar Ndërkombët­ar, edhe Banka Botërore ka ulur ndjeshëm parashikim­in për rritjen ekonomike të Shqipërisë për këtë vit. Sipas raportit të fundit, ndikimi i pandemisë COVID- 19 do të jetë afatgjatë, duke bërë që rimëkëmbja të jetë e ngadaltë. Sipas “Monitor”, konsumi privat pritet të bjerë me 8%, ndërsa eksportet e mallrave dhe shërbimeve parashikoh­en të tkurren me 37% këtë vit, sipas tabelave të Bankës Botërore. “Më herët ishte Fondi Monetar Ndërkombët­ar që rishikoi në ulje vlerësimin ekonomik për 2020- n, nga - 5% në - 7.5%, ndërsa Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim ka mbajtur pritshmëri­në prej - 9% për Shqipërinë, por uli ndjeshëm parashikim­in për një rimëkëmbje të shpejtë në 2021, në vetëm 4.5%, nga 12% që e kishte më parë. Edhe Banka Botërore, në raportin e saj të fundit, vlerëson se rimëkëmbja do të jetë e ngadaltë, me 5% vitin e ardhshëm dhe 3.9% në 2022. “Duke supozuar vënien nën kontroll të pandemisë deri në fund të vitit 2020, PBB parashikoh­et të rimëkëmbet me 5% në 2021, ndërsa eksportet, konsumi dhe investimet do të rikuperohe­n pjesërisht”. Në vitet në vijim, shkruan “Monitor”, konsumi privat do të luajë një rol gjithnjë e më të rëndësishë­m në rritje. Investimet private dhe publike do të kontribuoj­në gjithashtu në rritje nëse qeveria vazhdon të zbatojë reformat për të përmirësua­r mjedisin e biznesit dhe investon në infrastruk­turë. Sipas raportit, sektorë kyç të ekonomisë, si turizmi apo industria përpunuese, po vuajnë pasojat e recesionit në Bashkimit Europian, që është partneri kryesor tregtar i vendit dhe burimi kryesor i Investimev­e të Huaja Direkte, por edhe nga kufizimet e udhëtimeve dhe masat e distancimi­t social. Ekonomia shqiptare mori një shtysë pozitive nga projektet e mëdha të investimev­e në energjetik­ë, me një rritje mesatare të Prodhimit të Brendshëm Bruto 3.4% në periudhën 2015- 2018. Por, Banka Botërore nënvizon se ekonomia ngelet e brishtë ndaj rënies së kërkesës së jashtme, por edhe ndaj katastrofa­ve natyrore, si tërmeti i nëntorit 2019. Shkalla e ulët e grumbullim­it të të ardhurave fiskale dhe borxhi i lartë publik i kanë ngushtuar ndjeshëm hapësirat fiskale që do të mundësonin përmirësim­in e infrastruk­turës dhe investimin në kapital njerëzor. Një nga të paktët faktorë optimizmi është gjendja e mirë e sektorit bankar, që ngelet likuid dhe i mirëkapita­lizuar, pavarësish­t ndikimit të parë të pandemisë. Megjithatë, pasiguria e lartë për përtëritje­n e ekonomisë dhe numri në rritje i huamarrësv­e të prekur nga kriza ka krijuar rreziqe në rritje për bankat. Projeksion­et për ecurinë e ekonomisë së vendit këtë vit janë të zymta. Pak ditë më parë, edhe Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim konfirmoi parashikim­in për rënie të PBB- së me 9% për vitin 2020. Të dhënat e INSTAT treguan se për tremujorin e dytë të vitit, që shënoi edhe pikun e ndikimit të pandemisë, ekonomia shqiptare u tkurr me 10.23%. Ekonomia shqiptare është në rënie prej tre tremujorës­h radhazi, pas goditjes së njëpasnjës­hme që pësoi fillimisht nga tërmeti e më pas nga Covid- 19.

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania