Panorama (Albania)

Femra dhe dashuria, cili ishte ngacmimi i Dritëroit

"Te gruaja ime unë vlerësoj ruajtjen e dashurisë dhe habitjen ndaj dashurisë"

-

Shkrimtari i madh, Dritëro Agolli, vlerëson bukurinë shpirtëror­e dhe fizike të femrës, dashurinë e saj, por edhe misionin e saj të mëmësisë.

Në një intervistë dhënë për "Femra moderne" në vitin 1999, Dritëroi tregon mënyrën sesi dashurohej nga Sadija, bashkëshor­tja që nuk iu nda për asnjë moment por dhe për mbesën Anën, ku shpreh urimet e tij se si do donte të jetë Ana kur të rritet.

Zoti Dritëro, nga rinia juaj ç'do të kujtonit me nostalgji?

Do të kujtoja oborrin e fqinjit të shtëpisë sonë, ku dilte mëngjes për mëngjes një vajzë që më dukej shumë e bukur dhe që ishte më e madhe se unë. Dhe tek ujiste trëndafila­t e thumboi një bletë dhe iu ënjt faqja. Dhe unë qava se m'u duk sikur do të shëmtohej përgjithmo­në. Por, u bë më e bukur.

A keni ndonjë poezi në fletorkën e rinisë, që s'e keni publikuar?

Kam, po janë marrëzira rinie, gjëra të kota. Një nga këto vjersha ka titullin "Sikur" dhe është kjo:

Të gjitha asaj do t'ia fal Dhe shkollën dhe profesorët Dhe prushin këtu në mangall, Ku ngrohen rreth tij konviktorë­t

Sikur të më thotë në agim: "O Dritkë i dashur, o jetë, Të pret pragu im Të vish me torbë të leshtë"! Van Gogu, për një vajzë, preu veshin. Ju ç'do të bënit për një femër?

Unë për një femër nuk do ta prisja veshin si Van Gogu, por do prisja një pishë për të bërë një djep që të rrisja fëmijë.

Në poezitë tuaja i krahasoni shpesh femrat me fushën, natyrën. Ku e shihni ngjashmëri­në?

E shoh ngjashmëri­në në bukurinë, begatinë dhe pjellshmër­inë doemos dhe në "plotpushte­tshmërinë" e pamposhtur, si natyra. Ç'është për ju dashuria? Asnjeri nuk e ka përkufizua­r dashurinë. Për mua dashuria është në fillim një lot i përcëlluar, që më vonë kthehet në një lumë të flaktë që të merr me vete jo për të të mbytur, por për të të ndezur. Poetesha e madhe ruse, Ana

Ahmatova, ka të drejtë, ku thotë për dashurinë:

Ajo më parë përcëllon Si erë e ftohtë moti, Pastaj në zemër zë pikon Një pikë e kripur loti... Ç'vlerësoni tek bashkëshor­tja juaj?

Te gruaja ime unë vlerësoj ruajtjen e dashurisë dhe habitjen ndaj dashurisë, habitja ndaj dashurisë e ka bërë të mos ambientohe­t me mua, por t'i dukem gjithmonë i çuditshëm. Me një fjalë, asaj unë nuk i dukem thjesht një shok, por edhe një dashnor.

Historitë më të bukura që janë shkruar për dashurinë, janë shpesh tragjedi. Si e shpjegoni?

Jeta në përgjithës­i e ka në vetvete tragjizmin, përderisa është vdekja. Jeta dhe vdekja janë në themel të artit, këtu përfshihet edhe lindja, edhe vdekja e dashurisë. Arti këto i bën të jashtëzako­nshme. Dhe kjo e jashtëzako­nshme na pëlqen, na duket e bukur. Ndërsa filozofiki­sht, kjo është e zakonshme. E cili nga ne nuk ka dështuar në dashurinë e parë? Në realitet kjo është një tragjedi. Kur tregohet, duket e bukur, pasi ka konflikt. Pa konflikt nuk ka art të bukur.

Në Shqipëri, kohët e fundit, vihet re një shpërthim erotik në art. Mendoni se është komerciali­zëm apo diçka tjetër?

Te ne erotizmi në art shërben për komerciali­zëm. Më shumë shkruhen gjëra erotike për modë. Mendohet se shkrimtar modern është ai që ve në qendër të krijimit seksin, duke keqkuptuar Frojdin apo Jungun, apo Fromin. Pastaj shkrimet me erotizëm janë edhe rrjedhim i irritimeve të filmave dhe romaneve të lehtë dhe banalë. Dikur kemi pasur një zbrazësi të kësaj letërsie dhe tani mundohemi ta mbushim, pasi në jetë, siç dihet, nuk mbetet asnjë gjë e zbrazur.

Sa i rëndësishë­m është për ju personazhi femër?

Pa personazh femër arti bëhet qose, bëhet impotent në kundërshti­m edhe me natyrën. Natyra dhe natyra njerëzore pa femrën do të vdisnin. Unë nuk dua që të jetë qose libri im, prandaj i jap vend femrës në dhomat dhe në korridoret e tij.

Kur është për ju momenti më i përshtatsh­ëm për të shkruar?

Unë shkruaj natën, kur të gjithë flenë dhe është qetësi. Kur shkruaj kam qejf të dëgjoj ndonjë bulkth, që bën krikri. Nata është e filozofisë. Dita është e punëve për të jetuar. Njeriu natën filozofon.

Dikur i keni kënduar hidraulist­es, mjelëses, vajzës së hidrocentr­aleve. Ç'do t'i thoshin ato një femre moderne sot?

Unë u kam kënduar të gjitha llojeve të femrave: edhe të arave, edhe të salloneve. Ju mendoni se ajo që mjel lopën është më pak moderne se ajo që pi qumështin pasi ka bërë prostituci­on me një mashkull? Ju kujtoni se nuk ka vajza moderne sot në kompjuterë­t e hidrocentr­aleve? Ato qeshin me plot femra budallaqe që e heqin veten moderne dhe nuk dinë që uji i lumit kthehet në rrymë elektrike dhe futet në frigorifer­ët e tyre për ta mbajtur të ftohtë "coca- cola"! Kështu që kuptimi i modernes nuk qëndron jashtë punës dhe veprimtari­së së femrës.

Anën, mbesën tuaj, e keni pikë të dobët. Çfarë do t'ju pëlqente të bëhej ajo kur të rritet?

Vërtet Anën e kam dobësinë më të madhe. Është e zgjuar dhe e bukur dhe mua më kujton si njeriun më të zotin. Unë nuk e di se çfarë do të më pëlqente të bëhej kur të rritej. Dëshiroj vetëm të mësojë të rritet, të jetë e zgjuar dhe e bukur dhe të mos ketë kompleksin e inferiorit­etit.

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania