Panorama (Albania)

Rritet paga minimale, nga 1 janari bëhet 30 mijë lekë

Ja sa shtohet barra për biznesin, por edhe punëmarrës­in

- ADA HAZIZOLLI

Prej 1 janarit të vitit që vjen nuk do të ketë më paga nën kufirin e 30 mijë lekëve në muaj.

Këshilli Kombëtar i Punës miratoi një ditë më parë vendimin për rritjen e pagës minimale me 4 mijë lekë, nga 26 mijë lekë që është aktualisht në 30 mijë lekë. MINISTRJA DENAJ Ministrja e Financave, Anila Denaj, tha se përmes rritjes me 15.4 për qind të pagës minimale synohet ruajtja e nivelit të jetës për të punësuarit si në sektorin privat, dhe atë buxhetor. “Rritja e pagës minimale ka qenë gjithmonë iniciativë e qeverisë, në kuadrin e ‘ Pagës së Denjë’ për ‘ Punë të Denjë’, duke pasur në vëmendje edhe kërkesat e sindikatav­e, ndërkohë që ‘ përgjegjës­ia sociale’ e biznesit për punën e denjë, është e matshme, përmes sigurisë së shëndetit në punë dhe veçanërish­t me pagën reale dhe sigurimet reale shoqërore. Paga bazë minimale në shkallë vendi, e detyrueshm­e për t’u zbatuar nga çdo person juridik a fizik, vendas ose i huaj, propozohet të jetë 30.000 lekë në muaj nga 26.000 lekë në muaj që është caktuar me VKM nr. 809, datë 26.12.2018, duke u rritur me 15.4 %. Me këtë synojmë ruajtjen e nivelit të jetesës për të punësuarit si në sektorin privat, dhe atë buxhetor”, tha ministrja. BIZNESI, KUNDER Por, për shoqatat e biznesit nisma do të rrisë kostot për të vetëpunësu­arit, biznesin e vogël dhe fasonët. Kjo do të reflektohe­t më së shumti në qytete të vogla, ku pagat janë kryesisht në pragun e minimales. Duke mos përballuar efektet nga kjo rritje, punëdhënës­it do të jetë të detyruar të mos marrin punonjës të tjerë në rastin më të mirë dhe në rastin më të keq të shkurtojnë vendet e punës. Nga ana tjetër, sipas shoqatave të biznesit, duket sikur kjo rritje do të impaktojë qytetarët, në fakt është e kundërta. Edhe detyrimet për ta do të shtohen. Për ta bërë më të thjeshtë, aktualisht pagesa e kontribute­ve të detyrueshm­e shoqërore llogaritet 24.5 për qind, nga të cilat 15.0 për qind mbulohen nga punëdhënës­i dhe 9.5 për qind nga punëmarrës­i. Ndërkohë për sigurimet shëndetëso­re detyrimi është 3.4 për qind, nga të cilët 1.7 për qind i paguan biznesi dhe pjesën tjetër i punësuari. Pra, në total, 11.2 për qind e kontribute­ve paguhet nga vetë qytetarët, ndërsa 16.7 për qind nga bizneset. Për pagën 26 mijë lekë, ky detyrim për punëmarrës­it është 2 912 lekë, ndërsa për biznesin 4 342 lekë. Me rritjen e pagës minimale, detyrimi për qytetarët do të bëhet 3 360 lekë, pra, do të rritet me 448 lekë, ndërsa për biznesin do të bëhet 5 010 lekë, duke njohur një rritje me 668 lekë në muaj. Vlen të theksohet se rritja e pagës minimale deri 30 mijë lekë do të vazhdojë të mbajë të paprekur këtë kategori nga tatimi mbi të ardhurat. Tatim mbi të ardhurat për rrogat deri në 30 mijë lekë është zero. Shoqatat e biznesit kanë propozuar që përjashtim­i nga tatimfitim­i të bëhet për pagat deri në 50 mijë lekë. Kujtojmë që për pagat deri në 30 mijë lekë tatimi mbi të ardhurat është 0, për pagat nga 30 deri në kufirin e pagës maksimale tatimi është 13 për qind, ndërsa për pagat mbi 150 mijë lekë detyrimi është 23 për qind. Nga ana tjetër, rritja e pagës minimale do të shoqërohet edhe me rritjen e pagës maksimale, e cila aktualisht është në vlerën e 114,670 lekëve.

 ??  ?? Ministrja Denaj, dje në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Punës
Ministrja Denaj, dje në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Punës
 ??  ??
 ??  ??
 ??  ??
 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania