Panorama (Albania)

Shënime për një libër dashurie

Botimi, dedikim në 120- vjetorin e amshimit, si "hartë e mendimeve" dhe veprave të 3 dekadave, Persida Asllani: Na kthen te zanafilla e tij

- PERSIDA ASLLANI

Për poetin shekullor të shqipes, në 120- vjetorin e ndarjes nga jeta, shkrimtari Sabri Hamiti sjell për lexuesin "Naim Frashërin" e tij. Libri i akademikut, i shtëpisë botuese "Albas", në 170 faqe prek letrarin më të njohur të Rilindjes Kombëtare në të gjitha dimensione­t. Për gjuhën e zjarrtë, mistiken e besimit e personalen që endet në të, studiuesja Persida Asllani e konsideron botimin e Hamitit, si një "Naim jete". Ndërsa akademiku është munduar që në këtë libër me referenca të forta nga Mit'hat Frashëri ( Lumo Skëndo) e të tjera nga personalit­ete si Faik Konica e Eqerem Çabej, të përfshijë mendimet e tij për krijimtari­në letrare e një aspekt më të veçantë të biografisë, ku krahas Naimit si njeri, shfaqet edhe veprimtari e nacionali. Profesor Hamiti e konsideron këtë libër si "një hartë të mendimeve të tij", brenda së cilës shënjohen veprat e artikuluar­a përgjatë 30 vitesh, pas një pune kërkimore afatgjatë. Ndërsa Asllani, në parathënie­n e librit, e konsideron leximin e tij, si një mundësi për të bërë "një rizbulim të thellë e të hijshëm të Naimit. E mandej edhe një mësim".

SHËNIME PËR NJË LIBËR DASHURIE

Me vargjet që përmbyllni­n një nga poezitë lirike më të njohura të letërsisë shqipe si "Fjalët e qiririt", Naim Frashëri sillte në zemër të letërsisë shqipe një nga enigmat e mëdha të krijimit poetik. E linte aty, si psherëtimë, si pamundësi, si pohim të një të vërtete të patrajtues­hme dot deri në fund. Shkurt, na linte trashëgimi një shqiptim të përsosur të thelbit të poezisë: e ku shkruhenë në kartë fjalët e gjuhësë Zjartë?

Si vëlla e në kuvendim të pandërprer­ë me të, poeti Sabri Hamiti e çel tash së voni përmbledhj­en e vet poetike me një homazh personal për gjurmën e gjuhës së zjarrtë, e cila, kur shfaqet mbi fletën e librit a mbi fletën e jetës, dëshmon se aty ka zënë fill poezia, krijimi e leximi i saj, në letërsi e në jetë: Kur më shihni grumbull hini Kujtoni sa i madh ishte zjarri Lexues i pasionuar i Lasgushit, Hamiti e ka hetuar qysh herët se në thelb është po ai zjarr që pat frymëzuar dikur lexuesin më të mirë të Naimit në modernitet­in shqiptar, i cili e rikthente me vetëdije pyetjen e poetit të adhuruar në hyrje të poezisë që ia kushtonte me nderim. Ndërsa në vargjet e frymëzuara ia poetizonte konceptin e gjuhës si një "kredo" poetike, së cilës të dy poetët i ndenjën besnikë deri në ditët e fundit të jetës:

Gjuha: shpirt i shent'i kombit, që kalon dyke kënduar! Gjuha: zjarr ku djeg me dritë një mendim i frymëzuar! Gjuha: afsh'i gjall'i jetës! shpat'e ndritur e lirisë! Gjuha: yll i vjershëris­ë! Gjuha: Verb'i Perëndisë!

Libri që i kushtohet sot Naim Frashërit nga Sabri Hamiti shpalos leximin e pandërprer­ë të kësaj gjuhe të zjarrtë, lexim i dashurimit me të, qysh në vargun e parë, pa e zbehur personalen e thellë që endet aty. Sepse për Naimin mund të shkruhet tashmë vetëm kështu, i djegur nga gjuha e zjarrtë, i zhytur në hinin e vetvetes, përmes ndjeshmëri­së së poetit, dashurisë së lexuesit dhe mjeshtëris­ë së studiuesit.

Prandaj librin "Naim Frashëri" të Sabri Hamitit dua ta quaj një "Naim jete". Është një Naim që dëshmohet ngadalë, për të gjithë, si një mrekullim i parë me letërsinë kombëtare, si një zbulim i hershëm i lirikës për dashurinë e bukurinë, si rigjetje e vijueshme e mistikës së besimit dhe etikës së lartë të qenies përmes mirësisë dhe përulësisë. Është një "Naim jete", me një lexim të gjatë e ngulmues, shtresëzua­r nga përvojat e thella të jetës, nga përvojat edhe më të thella të letërsisë, nga metodologj­itë studimore e kritike të subjektivi­zuara e sidomos nga një përsosje e pashoqe ndër vite e shkrimit për poetin e poezinë, si finalitet fundor i çdo shkrimi për letërsinë.

Sepse këtu synon të na kthejë ky libër i autorit, te zanafilla e Naimit, te gjuha e tij e zjarrtë, aty ku më parë Poradeci pati ndjerë poetikisht shenjtërin­ë e kombit, mendimin e frymëzuar, pasionet e jetës, poezinë e mirëfilltë dhe hyjninë. Sepse "poezia e Naimit është gjuha shqipe e shpirtërua­r me pamje të dashurisë", vijon Sabri Hamiti në këtë 120- vjetor të amshimit të tij.

Kjo fjali, me potenciali­n e një sentence poetike, çel leximin pasionant të krejt librit për Naimin, duke na kujtuar qysh në qasjen e parë se trashëgimi­a "naimiane" e bashkohësi­së sonë është shumë më e thellë dhe e pasur nga sa e mendojmë dhe se vetëdijesi­mi për "naimianen" mes nesh është rigjetje e gjuhës amtare në kohën kur me të mbruhej një kulturë e re gjuhësore, botëkuptim­ore, morale dhe mbi të gjitha poetike, e cila vijon rrugëtimin në identitare­n tonë gjuhësore e letrare.

Me këtë mision, autori i shpalos lexuesit të sotëm jo vetëm ideoren e poetit dhe korifeut kombëtar, jo vetëm tematikat dominante të veprës, jo thjesht biografike­n e një jete njerëzore, jo vetëm logjikën e veprimit apo të shkrimit, por sidomos trajtat ligjërimor­e përmes së cilave shprehen ato, kërkimin gjuhësor, shprehjen e kulluar, nuancat dhe finesat që shënjojnë situata të holla emotive, ngritje shpirtëror­e, mprehtësi konceptual­e, feksje mistike e të gjitha këto, pa u larguar asnjë çast nga frymëzimi me të cilin poeti i flet vetëm poetit.

Ai fton të rizbulojmë së bashku me të, ashtu siç ai vetë e ka bërë vit mbas vit, e shkrim mbas shkrimi, këtë ngjizje të madhe përmes shqyrtimit të hollë të tekstit poetik e autorial, si pikënisja e vetme e mundshme e leximit dhe e shqyrtimit të letërsisë si art. Prej këndej buron këmbëngulj­a e skajshme për ta sjellë tekstin në lexim sa më pranë botimit të parë, për t'iu kthyer atij me lexime të vijueshme dhe pasuruese sa herë që ia dikton shqisa e tij. Atëherë takohemi përnjëmend me Naimin, që himnizon përjetësis­ht gjuhën, atdheun, heroiken, dashurinë e bukurinë, Naimin e lirikës personale e mistike, Naimin që vajton, Naimin që mrekullohe­t, Naimin e utopisë dhe ëndrrës, mirësisë e melankolis­ë, Naimin e Skënderbeu­t, Naimin e bektashizm­ës së frymëzuar e sidomos Naimin e zemrës, atë të lexuar për herë të parë e që mbetet thelbi i çdo rileximi, sado i shtyrë në kohë qoftë ai.

Për plotësinë e këtij leximi, autori ka ndërmarrë edhe shqyrtimin e Naimit të të tjerëve, atyre që si ai, pararendës leximesh e dashurish për poetin, panë në veprën e tij thelbe të patjetërsu­eshme që i kthehen vazhdimish­t dijes, vetëdijes dhe ndjeshmëri­së kombëtare. Merren në shqyrtim biografitë dhe dëshmitë e Mid'hat Frashërit, intuitimet e pasionet "naimiane" të Faik Konicës, sintezat mbresëlënë­se të Çabejt, hetimet psikanalit­ike të Krist Malokit, analizat kulturolog­jike të Koliqit dhe leximet metafizike të Eqrem Kryeziut. Krahas këtyre pikëvështr­imesh, autori skicon, me gjasë për herë të parë, një hartografi të trashëgimi­së "naimiane" në zemër të letërsisë shqipe, aty ku poeti dhe korifeu kombëtar Naim Frashëri, u bë frymëzim e lëndë poetike për poetët e mëvonshëm të letërsisë shqipe. Në këtë kapitull, titulluar simbolikis­ht "Naimi i trashëguar" merren në shqyrtim shkrimet dëshmuese por edhe krijuese të Lumo Skendos, të cilat vijnë shpesh si portretizi­m por edhe si poetikë, gjurma në frymëzimet atdhetare të Çajupit, Naimi i Lahutës fishjane, Naimi i Koliqit poet, e sidomos Naimi "lasgushian", ku theksohet kalimi i trashëgimi­së romantike në zemër të poetikës moderniste të Lasgush Poradecit si trashëgues­i par excellence i frymës "naimiane" në letërsinë moderne shqipe.

Është një përkim fatlum simbioza e studiuesit dhe e krijuesit në penën e Sabri Hamitit. Ajo i fal atij, krahas thellësisë së analizës e dendësisë së sintezës së studiuesit, një shqisë të rrallë në leximin dhe shqyrtimin e poezisë si shkrirje e gjuhës me ndjeshmëri­të dhe finesat, me intuitimet dhe përsiatjet, me frymëzimet dhe konceptual­izimet poetike, pa të cilën poezia do të mbetej veç një mëtim. Bash për këtë arsye, edhe leximi i këtij libri mbetet, për shumëkënd prej nesh, një rizbulim i thellë e i hijshëm i Naimit, e mandej edhe një mësim.

Shkruar me dashuri, për Naimin, në 120- vjetorin e ikjes së tij.

Kushtuar poetit që rikthehet, teksa e lexojnë ata që e duan e që ai vetë i desh, përmes mirësisë e shpresës, po aq shumë.

 ??  ??
 ??  ?? Busti i Naim Frashërit, i ekspozuar në 120- vjetorin e vdekjes
Busti i Naim Frashërit, i ekspozuar në 120- vjetorin e vdekjes
 ??  ?? Dje, gjatë promovimit të librit “Naim Frashëri” me autor Sabri Hamitin
Dje, gjatë promovimit të librit “Naim Frashëri” me autor Sabri Hamitin
 ??  ?? Kopertina e librit
Kopertina e librit
 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania