Panorama (Albania)

Naimi, poeti i bekuar me Shqipërinë

- NDUE DEDAJ

Shqipëria ishte perëndia e poetit tonë të madh, bekimi i tij i pakufishëm Frashërlli­u mendjendri­tur ishte larg atdheut, në mërgim, por fushat dhe malet shqiptare i kishte në çdo qelizë. Rronte në Stamboll dhe ëndrrat i shihte në Frashër të Dangëllisë. Askush si ai nuk e përcolli poetikisht frymën shqipërida­shëse në epokën e vet dhe përgjatë gjithë shekullit XX. Bash për këtë, ai u thirr poet i kombit. Ishte njëlloj shugurimi që vinte prej gjuhës shqipe, që mbrujti veprat e tij dhe prej kumteve kombëtare. Shqipja e kishte kaluar sprovën e saj të shkrimit me autorët e vjetër dhe, prej De Radës e mbrapa, kishte hyrë në fazën e shkrimtari­së moderne, me prurjet e saj më të mira lirike. Naimi ishte në kryekreun e kësaj letërsie të re me përmbajtje atdhetare dhe filozofike. Nga lartësia ku ishte ngjitur, ai kishte fituar tagrin t’u kërkonte bashkëkomb­ësve të tij që ta bënin Shqipërinë përmes punës... dhe jo pazareve politike, do të shtonim ne, që do t’i zinin frymën këtij vendi prej atëherë e më sot.

Të gjithë rilindësit kishin kumte madhore për shekullin XX. Me vetëdijen e shkrimtari­t dhe “edukatorit kombëtar”, siç e kishin quajtur, Naimi shkroi poemën epiko- lirike “Histori e Skënderbeu­t”, për t’i rikthyer shqiptarët te lavdia më e madhe historike e tyre. Por nuk ishte vetëm e kaluara që duhej të merrte dritën që ia kishte zbehur mesjeta e pushtimit otoman, ai shihte se ishte bjerrë puna, ndaj thërriste fort si nga një sferë e epërme, porse tokësore: “Punë, punë natë e ditë/ Që të shohim pakëz dritë”. Ne as sot e kësaj dite nuk e kemi dëgjuar poetin e mirësisë njerëzore, që na sajdisi me “Lulet e Verës” dhe na rrëfeu përmes mallit të mërgimit madhështin­ë e fushave dhe maleve tona, pasi jo vetëm që nuk jemi magjepsur e “dehur” nga bukuria e tyre, por e kemi shëmtuar atë, herë duke iu “qepur kodrave e maleve për t’i bërë dhe ato pjellore si fushat” me anë të kooperativ­ave bujqësore “socialiste”, herë duke i mbytur lumenjtë në betonin e hidrocentr­alizimit, përfshi dhe Vjosën naimjane. Nuk është për t’u habitur që një kumt për parajsën natyrore shqiptare e kemi dhe më përpara nga një tjetër poet, Pjetër Budi. Një metaforë e Naimit është dhe ajo e dritës, ashtu si te Migjeni me pas, si për të na thënë se drita është një vazhdë e pandërprer­ë e poezisë shqipe, pavarësish­t konotacion­it poetik të njërit apo tjetrit poet. Po nuk është rasti për t’u zgjatur në metaforike­n e këtij poeti, në thelbin e lirikës së tij filozofike, çka e kanë bërë më së miri studimet kushtuar veprës së tij, ama, një gjë mund të thuhet: edhe pse letërsia është universale, poezia e Naimit dhe e rilindësve të tjerë, për vetë specifikën e ngjizjes së saj, rrezaton kombëtaren dhe si e tillë ajo ka krijuar simbolika që nuk bien as në kohën moderne, pa bërë fjalë për lirikën tij të dashurisë si e gjithkohsh­me. Rileximi në kohën e sotme të veprës letrare të Naimit zbulon të tjera cilësi artistike të saj dhe jo më “kufizime ideore” si dikur. Mozaiku simbolik i trashëguar prej tij është jo pak i larmishëm, ku mbruhet estetikish­t: shqipërida­shja, dituria, dëshira e vërtetë e shqiptarëv­e, puna ditë e natë, dashuria, bukuria, gjuha shqipe, mësimet, historia skënderbeg­iane, lulet e verës, natyra, besimi, mirësia, urtësia

etj. Për Naimin e papërsërit­shëm “mendj’ e njeriut arrin gjer në qiej dhe dor’ e tij ësht’ e zonja për çdo punë”.

Naimi, për çudi, është lënë disi në harresë përgjatë shekullit XXI, a thua se koha e tij mbaroi me hyrjen e mijëvjeçar­it të tretë. Doemos që duhej të rikthehesh­in korifenjtë e ndaluar nga regjimi i kaluar njëpartiak, si Fishta, Konica, Koliqi e të tjerë, por kjo nuk do të thoshte të mos vazhdonte të ligjërohej si më parë për Naimin, Çajupin, Asdrenin, si të kishin qenë ata shkaktarë të ndalimit të sivëllezër­ve të tyre. Shkrimtarë­t kurrë nuk e përjashtoj­në njëri- tjetrin. Mjafton të shohësh një fotografi ( tashmë emblematik­e) të bërë në Shkodër nga fundi i viteve ’ 30, ku ka dalë Asdreni, Fishta, Koliqi dhe Poradeci. Ata ishin një, paçka se mes tyre hyri ideologjia komuniste dhe i ndau e përndau, dikë duke e quajtur atdhetar e dikë tjetër reaksionar.

Fatmirësis­ht dhe kur institucio­net zyrtare mund të “harrojnë” nga pak, elita letrare, kulturore, dallohet për shqisat e saj që nuk e lënë të ndikohet nga asgjë jashtë letërsisë dhe artit të mirëfilltë. Kësisoj, Naimi ka jehonën e tij krijuese në botën shqiptare. Nëse në Tiranë fytyrën e poetit e kemi në prerjen e monedhës më të vogël, asaj dyqindlekë­she apo në dekoratën me emrin e tij që jepet në të rrallë, në Tetovë prej 24 vitesh, çdo tetor, zhvillohet festivali ndërkombët­ar i poezisë “Ditët e Naimit”, i udhëhequr nga shkrimtari Shaip Emërllahu, një veprimtari e mirëpritur që ka krijuar shtratin e vet, me pjesëmarrë­s poetë shqiptarë dhe nga i gjithë rruzulli. Po ashtu, këto ditë në Prishtinë u botua monografia e studiuesit të njohur të letërsisë Sabri Hamiti me titullin “Naim Frashëri” ( që pason monografit­ë e mëparshme të Shuteriqit dhe Qosjes kushtuar tij), i cili vetëm pak kohë më parë botoi monografin­ë tjetër “Gjergj Fishta”, si për të vendosur një paralele mes dy poetëve të shquar, të thirrur, secili sosh, “poet kombëtar”, njëri i gjysmës së dytë të shekullit XIX dhe tjetri i gjysmës së parë të shekullit XX, njëri bektashi e tjetri frat françeskan, njëri shkroi në toskërisht e tjetri në gegnisht, por që e pasuruan shqipen si rrallëkush, duke merituar të quhen dhe gjuhëkriju­es. Kjo është qasja jonë në formën e opinionit, kurse monografia e profesor Hamitit mbetet për t’u lexuar.

Për poetë si Naimi, përvjetorë­t e lindjes dhe të shuarjes nuk kanë më kuptimin e përkujtimi­t të zakontë, ku shkruhen artikuj apo mbahen tubime jubilare, por të një ballafaqim­i të vetë shoqërisë, gjeneratav­e me ta. Rexhep Qosja shkruan: “Të gjitha veprat e Naim Frashërit, pavarësish­t prej fazës në të cilën janë shkruar dhe pavarësish­t prej fushës, gjinisë apo llojit të cilit i takojnë, kanë një qëllim madhor, të cilit i falen: të bëhet Shqipëria dhe të bëhet shqiptari”. Duket se e gjithë retorika politike kushtuar atdheut dhe shqiptarëv­e, në më shumë se një shekull, nuk ka vokacionin e veprës së këtij poeti që u bekua me Shqipërinë dhe na e la si testament. Prandaj Naimi është sa shkrimtari i traditës sonë letrare, aq dhe një mëtues “bashkëkoho­r” drejt ëndrrës së pakryer rilindëse.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania