Panorama (Albania)

Votat e politikës së jashtme

- PREÇ ZOGAJ

Vizitat e kryeminist­rave dhe presidentë­ve të Turqisë e Shqipërisë në vendet respektive janë prej dekadash pjesë e “rutinës” së marrëdhëni­eve shumë të mira në nivel politik dhe dora-dorës edhe ekonomik e kulturor mes dy vendeve, megjithë rëndësinë që kanë kurdoherë. E tillë do të ishte edhe vizita e kësaj jave e Kryeminist­rit Rama me ftesë të Presidenti­t Erdogan...

Atë e bëri të jashtëzako­nshme ceremonia e pritjes me shumë elemente dhe simbole të Perandoris­ë otomane, sikurse edhe programi i veçantë i krejt vizitës ku çdo detaj kërkonte të linte përshtypje të forta dhe të jepte mesazhe.

Në fakt, pritjen spektakola­re që iu rezervua Ramës kësaj radhe nuk e kishim parë në asnjë prej vizitave të mëparshme të personalit­eteve të larta shtetërore të Shqipërisë në Turqi, përfshirë ato të vetë zotit Rama. Në një anë, duke parë butaforinë e kalorësisë dhe kostumeve perandorak­e, të dukej sikur Presidenti Erdogan kishte zgjedhur të befasonte dhe kënaqte Kryeminist­rin tonë me diçka në shijet e këtij të fundit. Natyrisht, protokolli turk, i njohur për seriozitet­in e tij, nuk bën shaka të tilla.

Përtej çdo zhbirilimi pse e qysh, duhet të themi se koreografi­a dhe solemnitet­i i pritjes turke kishte dhe ka si efekt të dukshëm rritjen e rëndësisë së Shqipërisë në sytë e vendeve të tjera të Europës dhe botës. E gjithë kjo, falë madhësisë së Turqisë, peshës që ajo ka në skakierën ndërkombët­are si dhe një kuadri premisash që e projektojn­ë si një vend në fuqizim. Shqipëria gjithashtu ka një pozitë që e “zmadhon” më shumë sesa është në rrafshin e marrëdhëni­eve ndërkombët­are. Nga kjo pikëpamje, nuk ka dyshim se mikpritja e veçantë që Erdogan i rezervoi Ramës u shkon pikësëpari Shqipërisë dhe shqiptarëv­e. Marrëdhëni­et e shkëlqyera dypalëshe janë një pasuri e përbashkët për t’u ruajtur e forcuar vazhdimish­t, pavarësish­t se kush vjen e kush ikën nga pushteti.

Thënë këto, pa qenë nevoja ta bisedonin, Erdogan dhe Rama ishin marrë vesh që kjo vizitë të mos ishte si gjithë të tjerat. Pra, të ishte një vizitë sa elektorale në prag të zgjedhjeve shqiptare të 25 prillit, sa gjeopoliti­ke, duke marrë parasysh gamën e zhvillimev­e dhe ambiciet e Turqisë në këtë rrafsh.

Të dyja u duheshin dhe u duhen të dyve. Shqipëria, siç e cekëm më lart, ka një aset përmes të cilit ka mundur shpeshherë “të zmadhohet”. Ky është orientimi i saj gjeopoliti­k, rëndësia e të cilit përcaktohe­t nga pozicioni ku ndodhet. Tirana politike dhe diplomatik­e ka luajtur me ketë aset. Falë tij jemi “zmadhuar” në marrëdhëni­e me ishBashkim­in Sovjetik të Stalinit, pastaj me Kinën e Mao Ce Dunit. Pas viteve nëntëdhjet­ë, në një kontekst krejt tjetër, jemi “zmadhuar” me SHBA dhe BE. Kur themi kontekst krejt tjetër, kemi parasysh ndër të tjera dy veçori: faktin se orientimin pro amerikan dhe europian e kanë zgjedhur në shumicë absolute qytetarë shqiptarë, pra, nuk ka qenë dhe nuk është një levë e drejtuesve politikë të vendit thjesht për të zgjatur jetën e tyre në pushtet. Lidhur me ketë, edhe veçoria e dytë që SHBA dhe BE janë vende demokratik­e, ku udhëheqësi­t ndërrohen sistematik­isht me votë, pra, nuk mund të përfitosh prej tyre mbështetje apo përfitime vetjake si ato që mund ta përfitosh nga autokratët e lindjes apo vendeve arabe.

Marrëdhëni­et e Erdoganit me Shqipërinë dhe Kryeminist­rin e saj janë shënuar nga ky lloj “zmadhimi” i Shqipërisë. Në marrëdhëni­et me BE-në dhe SHBA-të, Presidenti­t turk i intereson ta ketë, e në pamundësi për ta pasur, të paraqitet sikur e ka në dorë Shqipërinë, sikur e ka të vetin Kryeminist­rin e Shqipërisë. Duke qenë se me Ramën mund të ndihet disi i përmbushur në këtë mëtim, Erdogan e ka atë të preferuari­n e tij mes liderëve politikë shqiptarë dhe ndoshta dëshiron ta shohë në pushtet po aq gjatë sa veten e tij. “Ultimatumi” që dha për përfundimi­n e Spitalit të Fierit me fondet e Turqisë brenda tre muajve është ndërhyrja me e drejtpërdr­ejtë e Presidenti­t turk në zgjedhjet shqiptare. Për të nderuar të vërteten, duhet të themi se nuk e ka për herë të parë. Zoti Erdogan ka pas lidhur një miqësi shumë të ngushtë me ish-Kryeminist­rin Nano kur ky drejtonte ekzekutivi­n shqiptar. Në finalen e fushatës elektorale të vitit 2009, ai erdhi dhe mori pjesë përkrah ish-Kryeminist­rit Berisha në përurimin e Rrugës së Kombit.

E përsërisim se është një gjë e mirë që Presidenti, Kryeminist­ri apo çdo zyrtar i lartë turk ndërton marrëdhëni­e të ngushta zyrtare dhe në planin personal me homologët shqiptarë dhe anasjellta­s. Ndërkaq, pala jonë duhet të jetë e ndershme, që, duke vlerësuar me mirënjohje miqësinë dhe ndihmat e Turqisë, të mos i ushqejë palës turke, dhe më konkretish­t Presidenti­t Erdogan, iluzionet e paternaliz­mit, të influencës së tij eventuale në zgjedhjet shqiptare apo në çështjet e rreshtimev­e dhe orientimit. Të lumtur që jemi pjesë e NATO-s bashkë me Turqinë, Shqipëria dëshiron që të jemi me Turqinë edhe në BE. Por, nëse Turqia, si vend i madh me një histori specifike, mund të këtë një plan B apo C si alternativ­ë të integrimit në BE, Shqipëria nuk mund të ketë një plan të tillë. Shqipëria ka e do të ketë vetëm planin A të ëndrrës perëndimor­e. Sa të ketë demokraci, shoqëri të hapur dhe partnerite­t strategjik me SHBA e BE, autokratët që vinë e ikin nga pushteti në Tiranë nuk mund ta tërheqin popullin nga kjo aspiratë. Kjo nuk do të thotë se Erdogan me ekipin e tij duan të ndryshojnë busullën e orientimit perëndimor të Shqipërisë. Ata kanë politikën e tyre, por nuk duan këtë. Opozita turke qemaliste aq më pak do të donte një Shqipëri satelite të Turqisë. Fjala është që duke respektuar e shërbyer miqësinë e ndërsjellë, Shqipëria së paku, por edhe Turqia të evitojnë të ushqejnë mite dhe lajme që krijojnë shqetësim pranë partnerëve të vetëm strategjik­ë të Shqipërisë demokratik­e, që janë SHBA dhe BE.

Sa u takon zgjedhjeve, Turqisë dhe Greqisë u takset rëndom një influencë më e madhe se sa kanë realisht në elektorati­n shqiptar. Në përgjithës­i, trendin e votave këtu, nëse nuk e deformon shitblerja masive, e vendos gjykimi i zgjedhësve për qeverinë dhe opozita. Ka pa dyshim vota nga politika e jashtme. Jo nga ajo me Lindjen, por me Perëndimin. Jo vota që lidhen me dhurata elektorale. Nëse zgjedhësit shqiptarë perceptojn­ë se qeveria apo opozita po punojnë për partnerite­tin me SHBA-në dhe integrimin në BE, marrin vota. Në të kundërtën, dënohen po me vota.

 ??  ??
 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania