Panorama (Albania)

Lumi Drin del nga shtrati, shkakton përmbytje dhe rrëshqitje dherash

-

Reshjet e shiut kanë shkaktuar përmbytje, rrëshqitje dherash dhe dëmtuan një urë në zonën e Lezhës. Lumi Drin doli nga shtrati gjatë ditës së djeshme në disa pika, ku si pasojë u përmbytën një pjesë e shëtitores në qytet, si dhe dhjetëra hektarë tokë bujqësore në lagjen e ish-frutores, Balldre dhe Gocaj. Banorët e Lezhës janë shprehur se kjo situatë nuk ishte parë që prej vitit 2002, teksa ndjehen të frikësuar nëse reshjet do të vazhdojnë me këtë intensitet. “Unë kam shtëpinë këtu në lagjen e ish-frutores dhe kjo situatë nuk është parë që prej vitit 2002, kur ka qenë përmbytja e madhe. Uji më ka mbuluar gjithë rrugën dhe oborrin e shtëpisë dhe nëse do vazhdojnë reshjet me këtë intensitet, uji do hyjë në banesat e lagjes sonë. Jemi shumë të frikësuar, sepse Lumi Drin ka dalë nga shtrati në disa pika dhe prurjet janë shumë të mëdha, ndërsa askush nuk është interesuar për situatën e krijuar”, ka thënë një banor. Gjithashtu vërshimi i kanalit të ujërave të larta bllokoi akset rrugore që lidhin fshatrat Kallmet dhe Mërqi me superstrad­ën Lezhë-Shkodër dhe nga kjo situatë rrezikoi jetën dhe një qytetar, pasi motori me të cilin lëvizte u mor nga rrjedha e ujit në Mërqi. Po ashtu, është dëmtuar Ura e Gjadrit, që lidh fshatrat Zojs dhe Grash në Njësinë Administra­tive të Dajçit në Lezhë. Krahas qindrave hektarë tokë bujqësore në Zadrimë dhe Torovicë, përmbytjes si shpëtuan as varrezat e fshatit Gocaj në Lezhë. Situatë mjaft problemati­ke paraqitet edhe në lagjen e spitalit në qytetin e Lezhës. Një masiv i konsiderue­shëm dherash dhe gurësh ka rrëshqitur, duke rrezikuar shembjen e disa banesave që ndodhen në kodrën ku ka ndodhur rrëshqitja dhe pranë rrugës kryesore.

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania